` . Iran, refuzohet kandidatura presidenciale e Ahmadinejad - TV-SHENJA

Iran, refuzohet kandidatura presidenciale e Ahmadinejad

Ish presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad është pamundësuar të garojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të cilat do të mbahen më 19 maj të këtij viti, raporton AA.

Në një deklaratë të ministrit të Brendshëm të Iranit, Abdolreza Rahmani Fazli, të transmetuar në televizionin shtetëror , thuhet se Këshilli i Gardës, i cili dominohet nga klerikët fetar, përgjegjës për ligjet dhe kandidatët, ka thënë se janë miratuar vetëm gjashtë kandidatura presidenciale.

Në deklaratën thuhet se kandidatura e Ahmadinejad, që llogaritet një konservator, është refuzuar ndërsa ajo e presidentit aktual Hassan Rouhani është pranuar.

Ibrahim Raeesi, një klerik i vijës së ashpër, i afërt me liderin Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, është një tjetër kandidat, ndërkohë që në garë do të jetë edhe kryebashkiaku i Teheranit, Mohammad Baqer Qalibaf.

Kandidatët tjerë presidencial janë zëvendës-presidenti i moderuar, Eshaq Jahangiri, ish ministri për Kulturë, konservatori Mostafa Mirsalim, si dhe ish zëvendës-presidenti reformues Mostafa Hashemitaba.

Komisioni Zgjedhor i Iranit tha se mbi 1600 persona kanë dorrëzuar kandidaturën e tyre për zgjedhjet e majit.

Raund i parë i zgjedhjeve është planifikuar për datën 19 maj.

Nëse asnjë kandidat nuk merr më shumë se 50 për qind të votave, do të mbahet një balotazh, në të cilin do të marrin pjesë dy kandidatët me më shumë vota të fituara në raundin e parë.

Zgjedhjet presidenciale të Iranit, do të përkojnë me zgjedhjet e këshillave komunal dhe lokal, si dhe me zgjedhjen e pjesshme për këshillin Shura të Iranit.

Postime të Ngjajshme