` . iPhone për vitin 2021 do të ketë sensor për gjurmë gishtash në ekran - TV-SHENJA

iPhone për vitin 2021 do të ketë sensor për gjurmë gishtash në ekran

Apple planifikon që në telefonat e vet për vitin 2021 ta riprezantojë Touch ID, me një sensor për gjurmë gishtash në ekran, sipas një raporti të ri nga analisti industrial Ming-Chi Ku. Sajti 9to5Mac raporton se analisti thotë se teknologjia do të implementohet së bashku me teknologjinë e njohjes së fytyrës të Apple Face ID brenda dy vjetëve, dhe se këto dy metoda të sigurisë do ta plotësojnë njëra-tjetrën dhe do ta ofrojnë një përvojë të unifikuar.

Sensorët për gjurmë të gishtave në ekran kanë qenë të pranishëm tash ca kohë, ndërsa për herë të parë u paraqitën në modelin Vivo X20 Plus UD në fillim të vitit të kaluar. Apple ka punuar në këtë teknologji që nga fillimi i vitit 2017, kur u paraqit kërkesa për patentë për sensorin e kompanisë për gjurmë të gishtave në ekran, por kjo ende nuk është zbatuar në telefonat Apple. Besohet se për këtë fajtore janë kufizimet e teknologjive ekzistuese të sensorëve për gjurmë të gishtave, dhe ato e përfshijnë konsumin e lartë të energjisë, madhësinë e vogël të funksionimit të sensorit, module të mëdha dhe vështirësi në prodhim.

Kuo pohon se shumë prej këtyre problemeve do të tejkalohen deri në vitin 2021, kur Apple me siguri do ta përdorë një zgjidhje ultrazanore për leximin e gjurmëve të gishtave, të ngjashme me atë që e ofron Qualcomm.

Përveç që përdoret në iPhone, theksohet se Kuo sugjeron gjithashtu që teknologjia mund të jetë më e përshtatshme për Apple Watch sesa për Face ID, shkruan KOHA Ditore. Apple Watch aktualisht nuk përmban asnjë formë të sigurisë biometrike dhe mbështetet në PIN kod.

Edhe pse Kuo ka rezultate të mira të parashikimeve të mundësive të biznesit në Apple, informacionet e reja duhet të merren me rezervë, veçanërisht pasi që nga implementimi potencial na ndajnë më shumë se dy vjet.