` . Inxhinieringu që po “gdhend” kokat e shqiptarëve - TV-SHENJA

Inxhinieringu që po “gdhend” kokat e shqiptarëve

Shkruan: Ismail SINANI

A duhet të ketë në jetë vetëm dy alternativa? Nëse do të ishte ashtu, me siguri nuk do të kishte kuptim asgjë. Përcaktimet “me mua” apo “kundër meje”, janë dualizma me tone ekstreme.

Shoqëria jonë, prej vitesh e sidomos në periudhën e fundit, është duke u përballur me një sfide të demokratizimit të brendshëm dhe, si duket, assesi nuk po arrin t’ia dalë. Rrethi vicioz nuk po e lë atë të katapultojë më lart për ta parë ecurinë e zhvillimeve me sy të vërtetë. Skematizimi dhe stigmatizimi i politikës ka krijuar një çarje të madhe në logjikë, duke e shndërruar kështu shoqërinë në një turmë, ndërsa individin në një pasues të verbër të asaj që i serviret.

Dekada me radhë kemi përqeshur dhe folur me mllef për sistemin monist, i cili ka manipuluar me turmat, kurse sot kur flitet më së shumti për liberalizëm dhe neoliberalizëm, por vetëm ata që janë më të esëllt në mendje e kuptojnë se përsëri populli është bërë peng i një manipulimi masiv, i cili në të shumtën e rasteve i ngjan një hipnoze kolektive.

Motoja “liria e shprehjes” gradualisht po merr një trajtë të rrezikshme nga “promovuesit” e saj, duke e shndërruar atë në gogol që u takon vetëm atyre që kanë vendosur ta shtyjnë idenë e tyre për të krijuar një shoqëri me standarde dhe kritere të paracaktuara si rezultat i një inxhinieringu të sofistikuar. E veshur me vellon e një liberalizmi, sot kjo moto po bëhet pengesë kyçe që njerëzit e paktë, që kanë ngelur me guxim, të mund ta thonë atë që vërtet e kanë në zemër. Liberalizmin e promovuar përmes kësaj ideje e kanë shndërruar në rrymë radikale të të menduarit, duke u përpjekur të pengojnë çdo diversitet në mendime që paraprakisht, sipas tyre, është radhitur në kategorinë e ideologjizmave që ua dëmtojnë projektin për krijimin e masave të kontrolluara.

Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, më saktë shoqëria shqiptare në këto tri vende, sot duket se po përballet pikërisht me këto ekstreme të neoliberalizmit ekstrem, që shqiptarin dëshiron ta shndërrojë në një makinë pa ide dhe mendim.

Shqiptarin e Maqedonisë sot e kanë prurë në një fazë që ai mos të ketë të drejtë të kompozojë qoftë edhe një mendim alternativ kundrejt politikave të një politikani maqedonas, ngase ky i fundit është kontribut pikërisht i atyre që bëjnë inxhinieringun e që e kanë shndërruar atë në një Rubin Hud të politikës moderne. Çdo mendim që vë në mëdyshje sinqeritetin e tij përkitazi me interesat kombëtare shqiptare, shihet si një surprizë e guximshme, që nga tabori i kundërt, gjithnjë sipas logjikës së tyre, e meriton të përkufizohet në grupin e atyre që janë me palën tjetër maqedonase, sipas tyre edhe më e ligë. E, në fakt, në këtë mënyrë krijojnë një tablo bardh e zi mes të keqit dhe të mirit, pa i dhënë të drejtë shqiptarit që ta zgjedhë atë që ai vërtet ka nevojë për të.

Aspak më mirë nuk është as edhe Shqipëria. Rrethanë lehtësuese është se atje përcaktimi mes dy opsioneve, të djathtë dhe të majtë (atribute që gjithsesi e meritojnë të shënohen me thonjëza), janë me ind shqiptar. Por, edhe kjo nuk është se ka ndonjë peshë të veçantë, ngase nga mënyra se si erdhi deri të zgjidhja e ngërçit politik u pa se pas këtij projekti politik qëndron përsëri një “dorë e fshehur”që menaxhon kokat e turmës.

Dhe Kosova… Atje 18 vjet pas luftës po ndodhë thyerja e të gjitha tezave politike të ndërtuara tashmë disa vite me radhe. Armiqtë dhe miqtë i ndërruan vendet, akuzat u shndërruan në elozhe lavdi, kurse elozhet në akuza të pacipa…Pastaj futen në punë “inxhinierët e mendjes”, që krijojnë “kushte” për të harruar gjithçka! E pastaj me këto tipare të shtrembëruara dikush pretendon se dëshiron të ndërtojë shtet të ri modern, të hapur…, e që, në fakt, më në fund ai përfundon si shtet i kapur.

Duke qenë situata kështu, krijohet bindja se shqiptarët edhe një herë po bëhen fushë eksperimenti, duke krijuar një ndërvarshmëringa struktura, të cilat në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë që ky popull të dalë nga komplekset karshi fqinjëve tanë, por edhe qendrave të ndryshme të vendosjes. Më e keqja në këtë rast është se nuk është marrë mësim nga e kaluara.

 

Postime të Ngjajshme