` . Intervistat, Opozitarët të vendosur për rrëzimin e pushtetit – TV-SHENJA

Intervistat, Opozitarët të vendosur për rrëzimin e pushtetit

Pavarësisht dallimeve mes vete, liderët e partive opozitare, Bilall Kasami, Ziadin Sela dhe Gzim Ostreni janë të unifikuar rreth vlerësimit se qeveria aktuale VMRO-BDI duhet të delegjitimohet dhe të largohet nga pushteti. Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në intervistën e fundvitit për televizionin Shenja theksoi se partitë opozitare nuk duhet të harxhojnë energjinë në luftën mes vete, por të luftojnë BDI-në, të cilën e quan e keqja e shqiptarëve në vend.

 “Ne nuk jemi, dhe nuk e përkrahim idenë, se nëse nuk jemi bashkë, duhet të jemi kundër njëri-tjetrit. Për ne është e qartë, se e keqja e shqiptarëve të Maqedonisë, është partia në pushtet. Ajo që thirret në 150 mijë vota shqiptare, këtu në Maqedoni, dhe në asnjë mënyrë për ne nuk janë, e keqe e shqiptarëve në Maqedoni, partitë tjera opozitare. Prandaj, ne jemi të gatshëm që të ulemi, të bisedojmë me çdo subjekt tjetër, subjekt i cili nuk ka hipoteka dhe nuk është i kapur nga dikush.”, ka thënë Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.

Edhe kkryetari i Lëvizjes për Reforma në PDSH, Ziadin Sela,thotë se pozita juridike dhe politike e shqiptarëve në vend është anashkaluese dhe nënçmuese, dhe kjo sipas tij, si pasojë e politikës së gabuar të BDI-së.

“Në veri, në Kosovë, ti ke vetëm 4% serbë që jetojnë, dhe që kanë katërqind herë më tepër të drejta sesa shqiptarët në Maqedoni. Duke nisur nga Hani i Elezit, deri në mitrovicë, gjuhën serbe e kanë zyrtare, ndërkohë që ne se kemi aspask zyrtare, dhe përballemi me formulime të gjuhës shqipe, njësoj si në mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, ku gjuhës shqipe i thonin, gjuha të cilën e flasin një përqindje e konsiderueshme e popullatave që është e ndryshme nga gjuha serbishtja. Dhe sot i thonë gjuha të cilën e flasin mbi njëzet përqind e popullatës, që është e ndryshme nga maqedonishtja.”, ka thënë kreu i LR-PDSH, Ziadin Sela.

Ndërkaq, kryetari i Unitetit, Gzim Ostreni thotë se ndër arsyet për largimin e tij nga BDI-ja, është edhe përfshirja në krime e kryesisë më të ngushtë të partisë. Ostreni nuk dha detaje, por theksoi se me këto indikacione duhet të merret Prokuroria Speciale.

 “Udhëheqja e keqe do të thotë edhe përfshirje në krime, mendoj se pyetja juaj është për të njëjtin send. Të gjithë ata, të cilët udhëheqin keq, do të thotë se nuk udhëheqin në përputhje me programin, në përputhje me statutin, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, me ligjet. Faktikisht, ngriten mbi Kushtetutën, ngriten mbi ligjet, edhe e sjellin një shtet në një kaos ku qytetarët më mirë ndjehen të jenë të zymtë, të heshtur, para përgjegjësisë së tjerëve, sesa të flasin dhe të kenë përgjegjësi për atë.”, ka deklaruar kryetari i “Unitetit”, Gzim Ostreni.
Në intervistat e fundvitit për televizionin SHENJA, liderët e partive opozitare flasin edhe për mundësinë e bashkëpunimit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Lidhur me zgjedhjet e 24 prillit, ata kërkojnë që fillimisht ndërkombëtarët të vlerësojnë nëse do të plotësohen kushtet për zgjedhje korrekte dhe demokratike dhe nëse ka nevojë për prolongimin e tyre.

Ajnur Bafaqri /SHENJA/