` . Instagram lajmëron përdoruesit kur dikush fotografon historitë e tyre – TV-SHENJA

Instagram lajmëron përdoruesit kur dikush fotografon historitë e tyre

Instagram është duke testuar një veçori e cila paralajmëron përdoruesit nëse dikush fotografon ose regjistron historitë e tyre.

Disa përdorues të Instagram të cilët kanë tentuar të fotografojnë ekranin e telefonit për të kapur historinë e një miku, u paralajmëruan nga rrjeti social se herën tjetër do të njoftohej personi të cilit i është fotografuar historia.

“Herën tjetër që do të fotografoni ose regjistroni, personi i cili ka publikuar historinë do të lajmërohet,” shkruhej në njoftimin e Instagram.

Poshtë historisë, përdoruesit do të shohin një ikonë në formë drite e cila tregon se kush ka fotografuar.

Historitë e Instagram zhduken pas 24 orësh por asgjë nuk i ndalon përdoruesit ti fotografojnë.

Rivali, Snapchat, ofron një gjë të tillë prej kohësh duke u treguar përdoruesve se kush i fotografon historitë dhe fotot e tyre në fshehtësi.

Instagram do të lajmërojë përdoruesit nëse u janë fotografuar historitë vetëm kur dërgohen me mesazhe direkte. /PCWorld Albanian/