` . Iniciativë qytetare për shpëtim të Kodrës së Diellit - TV-SHENJA

Iniciativë qytetare për shpëtim të Kodrës së Diellit

“Të shpëtojmë Kodrën e Diellit” është iniciativa e disa qytetarëve të cilët kanë shprehur revoltën e tyre për gjendjen e tanishme të kësaj qendre turistike. Ata kanë paralajmëruar fillimin e një fushate për shpëtimin e Kodrës së Diellit.

Ja dhe reagimi i tyre i plotë:

Të vetëdijshëm se jetojmë pranë një mrekullie natyrore siç është masivi i malit Sharr, që prek edhe qytetin tonë,

Të ndërgjegjshëm për rëndësinë shëndetësore, ekologjike, turistike dhe ekonomike që ka Kodra e Diellit,
Të brengosur nga moskujdesi, mosinvestimi, anashkalimi, lënia pas dore, përdhosja e qendrës turistike, dikur ndër më të njohurat e ish-Jugosllavisë, nga ana e institucioneve lokale dhe shtetërore,
Ne, qytetarë të vullnetit të mirë, që dëshirojmë ta shohim Kodrën e Diellit sa më mirë, më në rregull, më të pastër, më të përparuar, më të shfrytëzueshme në askept ekologjik, turistik, rekreacioni, sporti, etj, ngrejmë zërin për gjithçka të keqë që i ndodhë këtij kapaciteti turistik,
Të mbledhur nën organizimin qytetar ”Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” shprehim hidhërimin tonë për katandisjen e kësaj qendre turistike që i është bërë tash e 15 vite me radhë, duke e lënë pa asnjë investim, pa asnjë rregullim infrastrukturor, pa asnjë mirëmbajtje, pa asnjë projekt konkret në drejtim të forcimit të kapaciteteve pranuese turistike. 
Kodra e Diellit është shndërruar në një vend ku nuk dihet se kush ha, e kush pi, është shndërruar në një vend ku secili bën çfarë të dojë, vjedh sa të mundet, largon nga puna këdo, e punëson cilindo, e zhvat në maksimum, duke mos ndërmarrë asgjë për t’u kujdesur për të, për të përmirësuar diçka, për të rregulluar diçka, për ta bërë sa më të pastër, më tërheqës dhe më fitimprurës, duke filluar nga aspekti shëndetësor, sportiv, e deri te ai turistik dhe ekonomik.
Edhe sa do të duhet të presim për t’u investuar, së paku 1 euro, edhe sa do të duhet të presim që të plotësohen qejfet, teket dhe xhepat e institucioneve të cilat deri tani kanë premtuar shumë, por nuk kanë realizuar asgjë, edhe sa do të duhet të presim që të bëjmë një skijim normal, një shëtitje normale, një pushim si duhet, një qëndrim relaksues, një qetësim shpirtëror, një shërim trupor, një aktivitet sportiv?!
Paralajmërojmë fillimin e një fushate shpëtimi të Kodrës së Diellit. Nuk do të qëndrojmë duarkryq dhe të shikojmë se si institucionet lokale dhe shtetërore vazhdojnë ta keqpërdorin këtë qendër turistike nga e cila më së shumëti përfitojmë ne, qytetarët e Tetovës dhe ata të fshatërave përreth malit Sharr.
Veprimet tona do të jenë nga më të ndryshmet, duke filluar me këtë deklaratë të parë publike për media, e duke vazhduar me takime dhe konsultime me qytetarët, pa lënë anash edhe protestat konkrete.
Ftojmë të gjithë qytetarët, intelektualët, juristët, ekonomistët, ekspertët e turizmit që të na bashkangjiten dhe të ofrojnë kontributin e tyre në drejtim të SHPËTIMIT TË KODRËS SË DIELLIT!

 

Postime të Ngjajshme