` . Industria e vetëdijes dhe inteligjencia e turmëzuar - TV-SHENJA

Industria e vetëdijes dhe inteligjencia e turmëzuar

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

Fjala turmë nënkupton një grumbull të madh dhe të paorganizuar të njerëzve, një grup të çrregullt njerëzish, të cilën nuk janë shumë të ndërgjegjshëm për synimet e veta të përbashkëta, të cilët i mbledh dhe i shpërndan instinkti. Turma ose grigja, si emërtohet ndryshe, është e kundërta e qenies-që-di (Bewuste-Sein), antipod i qenies vetëreflektuese dhe të lirë. Hysamedin Feraj përdor disa shprehje interesante, si vetëkonceptimi i pafuqishëm (2015: 30), liria negative, kënaqja e orekseve, që ndërlidhen me termin që trajtohet në këtë ese, masën. Zakonisht turma është e pagdhendur, pa mprehtësi mendimi, e papërfshirë në proceset e logjikës së hollë dhe është lehtë e manipulueshme.

Një nocion tjetër që ndërlidhet me masën është manipulimi, që nënkupton keqpërdorimin, shfrytëzimin ose eksploatimin e një individi a grupimi për qëllime të caktuara. Vetë fjala manipulim është një farkëtim latin: manus – “dora”, pulare – “lëmoj”, pra ta kalosh dorën përmbi, të përmirësosh, të kurdisësh, të prekësh. Në kuptimin origjinal, dikur manipulimi kishte të bëjë me përpunimin e një objekti përmes aftësive të duarve dhe njeriu që ishte veçanërisht i shkathtë dhe i shpejtë në këtë përpunim teknik quhej manipulues ose operator. (Shushnjiq, 2017) Manipulimi në fakt është një formë e shpëlarjes së trurit, e shfrytëzimit të veglës së propagandës për të bërë për vete dikë duke shfrytëzuar naivitetin e tij. Nocioni manipulim sot shënjon një semantikë negative dhe përcakton marrëdhëniet midis njerëzve kur njëra palë ndikon mbi palën tjetër, me qëllim arritjen e një interesi të caktuar vetjak ose grupor. Ndërkohë, masa mund të jetë edhe kurban, por edhe xhelat. Sipas nobelistit Canetti, xhelati është i vërtetë. Sa më shumë të rritet ajo, aq më destruktive bëhet, mund të shkaktojë fesat, trazira, kataklizma, madje nëse nuk vetëdijësohet, mund të shpie në humbëtirë. Elita i projekton, masa – ndonëse e pavetëdijshme – i realizon ndryshimet e mëdha sociale, si padëgjueshmëria qytetare, rebelimi, revolucionet.

Kurdisja e shpirtrave njerëzorë

Sot jetojmë në epokën kur metodat e manipulimit me njerëzit janë sofistikuar, madje është krijuar një sektor i veçantë, një industri e ashtuquajtur “e vetëdijes” ose “ndërgjegjes”, që përhap një “radiokativitet shpirtëror”, që nënkupton “kurdisjen” e shpirtrave njerëzorë (Packard), ndërkaq pasoja kryesore është zhvendosja ose sfilitja e vullnetit për vetëvendosje. Kjo industri, përmes mediumeve, internetit e rrjeteve sociale krijon një realitet të paqenë, një të vërtetë të rrejshme lidhur me gjërat, njerëzit, fenomenet dhe trendet, krijon një pop kulturë apo kulturë masovike. Turma detyrohet ta blejë atë që nuk i duhet (këpucët e dhjeta me radhë), atë që nuk e do, konsumon ushqime të pashëndetshme (fast food, çipsa e Cola), simpatizon antivlera, “jopersonalitete” (tradhtarët bashkëshortorë të serialeve), qenie të padenja për ndjekje (këngëtarë narkomanë), politikanë pakurrizorë të cilët i bën makijazh kjo industri, i beson folk-patriotizmit të rrejshëm (Gruevski), ndjek modën e rrobave të shqyera (moda 2017), madje edhe të vjetra të përpunuara (H&M), beson në të vërteta shkencore të paketuara nga “intelektual pasues” jo investigues (historia jonë shqiptare e bazuar në tekste sllave). Sot manipulimi zakonisht bëhet përmes mediave dhe rrjeteve sociale. Për kontekstin e Maqedonisë TV Sitel, Kanal 5, TV Alfa, MRT2 janë shembuj më të qartë të propagandimit medial të determinuar nga gurutë politikë. Industria e vetëdijes manipulon edhe përmes flaerëve, bilbordeve, sfilatave, ekranit, celularëve… Metoda e saj e manipulimit quhet “bindje pa dhimbje”. Në kohën tonë, metodat e vrazhdëta të detyrimit zëvendësohen me teknikat e buta të bindjes.

Sipas James McConnel-it, sot jetojmë në një kohë kur nëse manipulatorit ia jepni në disponim vetëm disa javë çdo qenieje normale mund t’ia ndryshojë sjelljen aktuale në atë që dëshiron. “Kuptohet nuk mund ta bëjë të fluturojë me krahë, por mundem që nga një i krishterë të nxjerr një komunist dhe e kundërta” – vazhdon McConnel (1970). Është koha kur me grepin më të mirë mund të zësh peshqit më të çuditshëm njerëzorë (Nietzsche). Kjo është industria që prodhon krijesa të pandjeshme, të pavetëdijshme, ndërgjegjefjetur, konformistë. Për sa i përket konformizmit, ai nënkupton ndryshimin e sjelljes, sidomos të asaj publike, të bindjeve, ideve, qëndrimeve, për t’iu përshtatur standardeve të shumicës ose për t’iu nënshtruar presioneve sociale, të grupeve, individëve drejtues. Me një fjalë, është ky botëkuptim që kosovarçe shprehet me “Kejt po bojn qashtu!”. Dikur me masat manipulonte komunizmi, sot manipulojnë izma të panumërt, nacionalizmi, liberalizmi, anarkizmi, djathtizmi, majtizmi, radikal-feminizmi etj. Përmes kësaj kategorie psiko-analitike Hitleri, Enver Hoxha, Tito, S. Husejni dhe shumë të tjerë kanë arritur ta bëjnë popullin “të varur” prej tyre. Nëse kthehemi te realiteti i Maqedonisë, konstatojmë se popullata mbi pesëmbëdhjetë vjet manipulohet nga një parti politike përmes “mitit të UÇK-së”, përmes çlirimtarëve legjendarë, heronjve të pamposhtur dhe në disa cikle mbyll sytë para performansave dështake dhe voton krahun e luftës që ka degraduar çdo vlerë shoqërore, që ka krijuar një klimë anemike dhe anomike të defetizmit kolektiv. Qeleshja dhe çiftelia dy ditë para zgjedhjeve dhe marketingu medial, i mban gjallë humbësit realë në skenën politike. Me parulla të ngjashme me atë të sivjetme të PAN-it në Kosovë: “Ka ardhë koha për fillimin e ri!” Ky është shembull par exellence i manipulimit me turmat. BE-ja dhe NATO janë dy imazhet e tjera të shpërdorimit dhe të vënies në gjumë të popullit, të dhënies narkozë shprese për të ardhmen. Manipulimi shkon nga vetëmadhërimi deri te etiketimet më të ulëta të oponentëve. Një shembull tjetër i ballonit propagandues ndërlidhet edhe me rastin e ndodhive tragjike në parlamentin e Maqedonisë (27 prill), kur pati një tendencë për të paraqitur një subjekt politik (Besa) si dezertore përmes etiketimit “Lëvizja Ik” nën pretekstin se përfaqësuesit e saj “s’ishin prezentë në çastet e turbullirave”, në “arenën e turpit” të asaj dite. Gjithë kjo e bazuar në mitin e trimërisë shqiptare dhe imazhin negativ “tradhtia”. Ndërsa e vërteta është se as pat kushtrim, e as besatim se duhej të qëndrohej deri në orë të caktuar në hapësirat e kuvendit. Kur ka “marrëveshje për qëndrim në front”, ai që e thyen besën, ai tradhton, ndërsa askush nuk ka përgjegjësi për gjërat që ndodhin në mosprezencë të tij, pa qenë i ftuar publikisht për t’i qëndruar në ballë punës në aksh orë dhe lokacion.

Manipulimi teologjik dhe akademik

Një formë tjetër e manipulimit është edhe ajo përmes ligjëratës teologjike ose fetare. Si gjatë historisë, ashtu edhe sot, shohim se edhe njerëzit e petkut fetar ose dijetarët e fesë herë-herë manipulojnë me ndjenjat religjioze të popullatës, duke e bërë atë të ecë në vija të ndryshme të besimit dhe të praktikës fetare. Protestat rrugore të pranverës së 2017-tës në Shkup i bekoi dhe në një mënyrë i nxiti një klerik ortodoks përmes një lutjeje dhe himni fetar të politizuar. Një pjesë e hoxhallarëve vazhdojnë të shfrytëzojnë ca mendje të papjekura rinore, duke i ideologjizuar dhe duke i bërë “militantë” të ideologjive të caktuara, që më pas vetë të tërhiqen, ndërsa ndjekësit të mbeten në rërën e gjallë. Ndërkohë shuma e teologëve aq shumë është e frikësuar deri në palcë, saqë vëren që edhe një persona non grata për xhematin, i (vetë) promovuar via facebook për myfti të Shkupit urohet dhe bëhet like edhe nga njerëz që s’do kishim besuar se pranojnë një udhëheqës të tillë “shpirtëror” për një “Meke të Ballkanit”, siç quhet ndryshe kryeqyteti buzë Vardarit. S’ka bereqet në një shoqëri ku për avitje e benefite sipërfaqësore duartrokiten dhe shpërndahen (me share) edhe veprimet më ordinere të “prijësit shpirtëror”.

Sot manipulon dhe manipulohet edhe inteligjencia, shndërrohet në turmë shkencore që pranon “të vërtetat” pa investiguar, pa bërë analiza vetjake, që manipulohet nga e thëna dhe e shkruara sikur të ishte një dogmë. Ta marrim shembull rastin e prapambetjes së popullit shqiptar. Historianët tanë për çdo pyetje e kanë përgjigjen e gatshme – historinë shqiptare e interpretojnë me disa propozicione a paragjykime, si: na ka lënë prapa Perandoria Osmane dhe fajin e ka pushtimi i gjatë osman. Ata prodhojnë një doksë popullore të tipit: jemi popull i vogël, gjithnjë kemi qëndruar përballë pushtuesish të fuqishëm, s’kemi pasur asnjëherë aleat ndonjë fuqi të madhe, kemi arritur ta ruajmë ekzistencën pa bërë luftëra pushtuese, gjithnjë të pushtuar nga të tjerët. Me këtë lloj të interpretimit, shqiptari nga një subjekt shndërrohet në një objekt të historisë, në produkt pasiv të saj, në një refugjat të kacavarur në anijen e historisë, populli shqiptar përshkruhet si në një popull johistorik, që vetëm di të përshtatet, ndaj vlerave europiane, kërkesave të ndërkombëtarëve, pa kursin e vet specifik, pa krijuar territore të reja të shkencës, filozofisë, artit, teknologjisë, etj. (Feraj, 10-14, 45)

Nëpër universitetet tona ka pak ose aspak disidentë, ka shumë akademikë që veprojnë sipas kursit të shefit (herë edhe të politikës) nga distanca, aparatçikë që me deklarata bombastike “mbrojnë kauzën” e kombtarizmës (të aksh partisë politike), ndërsa zhvlerësojnë shkollarinë e mirëfilltë. Edhe në kohën kur cenohej integriteti akademik (propozimet për ndryshim të Ligjit për arsimin e lartë), edhe kur iu sulmohej Alma Mater-i, kur u bë atentat ndaj një brendi akademik (UEJL), vetëm një numër ekstraminor reagoi hapur dhe publikisht. Të gjithë vepronin sipas asaj “pse unë të bëhem i pari?”, “të shohim se ç’bëhet!” ose “kjo është punë e kryer!”. Ndërkaq, në të vërtetë tentohej që një “shkollë e akademizmit shqiptar” të shkrihej në një projekt “eksperiment universitar”. Ngjashëm si të synohet bashkimi i një dyqani rrobaqepësie të çarshisë me një fabrikë tekstili me nam ose i një mini-gjelltoreje të hapur rishtas me një brend gastronomik, që ka krijuar kulturë gastronomike të fuqishme me zinxhir të vetin gjithandej.

Sot përballemi me poltronizmin si kulturë masive intelektuale, me masovizimin e arsimit, me mbizotërimin e grigjës shkollare. Është e vërtetë se shoqëria duhet të udhëhiqet nga një pakicë intelektuale, sepse e kundërta është kaosi (y Gasset), por ama kur vëren koalicionin e (gjysmë)intelektualit e analistit me xhahilin, me vagabondin, leshkon, palaçon, snobin, me “politikanin e padiplomuar”, konstaton gjendjen reale dhe në mënyrë të kristaltë sheh shkaqet e saj. Kur ke “ikona” që s’bëjnë dallim ndërmjet konfeksionit (tekstil) dhe konfesionit (besim), kur ke institucione të arsimit të lartë që shpallin listën e provimeve në studime “deridiplomatike”, konstaton se s’kemi elitë të mirëfilltë, por se kemi veëm improvizim gjithandej. Sot vegëlzimi është kryefjala që e përshkruan gjendjen tonë: instrumentalizimi i njerëzve nga turma deri te “të ndriturit”. Aparatçikët nuk kanë vdekur, ata i gjejmë në të katër anët.

Postime të Ngjajshme