` . Indonezi, riaktivizohet vullkani Agung – TV-SHENJA

Indonezi, riaktivizohet vullkani Agung

Vullkani Agung në Ishullin Bali të Indonezisë përsëri filloi të lëshojë hi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive (BNPB) në Indonezi njofton se vullkani Agung ka filluar të lëshojë tym dhe hi.

Kryetari i BNPB-së, Sutopo Purwo Nugroho, në një deklaratë tha se tymi ka arritur në 700 metra lartësi dhe paralajmëroi banorët e rajonit që të qëndrojnë të paktën 6 kilometra larg prej vullkanit.

BNPB po ashtu njoftoi se nuk ka ndonjë ndryshim në nivelin e alarmit për vullkanin, i cili ende është në gjendje aktive.

Në muajin shtator rreth 130 mijë persona ishin evakuuar nga vendbanimet e rajonit, pas aktivizimit të vullkanit dhe ngritjes së alarmit në nivelin më të lartë.

Vullkani Agung, i cili ndodhet në rajonin më turistik të shtetit, së fundmi ka shpërthyer në vitin 1963 ku humbën jetën mbi 1.100 persona.