` . Indonezi, projekti "Ekomesxhid" tërheq vëmendje ndaj ndërgjegjësimit mjedisor - TV-SHENJA

Indonezi, projekti “Ekomesxhid” tërheq vëmendje ndaj ndërgjegjësimit mjedisor

Xhamia Az-Zikra në Indonezi e cila është përfshirë në kuadër të projektit “Ekomesxhid” (Ecomasjid), i jep ndërgjegjësimin mjedisor qytetarëve me përdorimin e burimeve natyrore dhe praktikat e riciklimit.

Në kuadër të projektit të filluar me iniciativën Këshillit të Ulemave të Indonezisë dhe me mbështetjen e shtetit, synohet përhapja e xhamive miqësore me mjedisin ku mund të zbatohen në mënyrë të qëndrueshme burimet natyrore dhe aktivitetet e ruajtjes së mjedisit.

Xhamia Az-Zikra në rajonin Sentul të qytetit Bogor, është faltorja ku gjërësisht zbatohet projekti.

Administrata e kësaj xhamie e ka parim hapësirën e gjelbër, kursimin e ujit, pastrimin sanitar dhe menaxhimin e mbeturinave, ndërsa që nga viti 2016 zhvillon aktivitete të ndryshme për përdorimin e ujit, energjisë elektrike dhe gazrave si dhe mbrojtjen e gjelbërimeve.

Në këtë xhami ujërat e përdorura për abdes pas riciklimit përdoren përsëri. Uji i shiut pasi të kalojë filtrat përdoret për gatim dhe pastrim.

Xhamia posedon gjithashtu dritare të gjera që kursejnë energji, nevoja e gazit përmbushet me teknologjinë e biogazit që prodhohet nga mbetjet organike.

Për asgjësimin e mbeturinave, në xhami përdoret furrë për djegien e tyre që është e pajisur me sistemin ujor të filtrit që parandalon tymin e dëmshëm.

Në bisedat dhe predikimet që zhvillohen në xhami, theksohet rëndësia e parandalimit të shpërdorimit si dhe mbrojtja e natyrës dhe mjedisit në drejtim të doktrinës islame.

Kryetari i Fondacionit të Xhamisë Az-Zikra, Hatip Halil, në deklaratën për Anadolu Agency (AA) tha se përpiqen që projektin ta zbatojnë në mënyrë efektive. “Kjo xhami u ndërtua si miqësore me mjedisin. Çdo herë kujdesemi me rregullat mjedisore. Brenda në xhami nuk përdorim as klima për arsye të kursimit të energjisë”, tha ai.

Ai tërhoqi vëmendjen se me teknika të thjeshta janë duke zhvilluar punime efektive në mbrojtjen e mjedisit, duke shtuar se në periudhën e reshjeve me anë të sistemit që kanë vendosur mund të akumulojnë deri në 41 mijë litra ujë.

Halil gjithashtu tregoi se kanë bërë punime për pyllëzimin dhe rregullimin e parkut të xhamisë.

Deri më tani 26 xhami janë përfshirë në kuadër të këtij projekti ndërsa në vend ndodhen 850 mijë xhami.