` . Indiferentë ndaj indiferencës - TV-SHENJA

Indiferentë ndaj indiferencës

EDITORIAL

Shkruan: Latif Mustafa 

Në dekadën e fundit na ndodh shpesh të dëgjojmë klithjen plotë vrer: “Këtu nuk ka jetë, duhet ikur”. Kjo shfryrje është refreni i të rinjve të qytetit, që tashmë kanë krijuar një imagjinatë për një botë më të mirë, një botë të përtejshme, një utopi. Sado që të shfaqim indiferencën tonë ndaj këtyre pohimeve të shprehura në formë të shfryrjes ose klithjes ekzistenciale, ajo që të bën përshtypje është ideja e tyre për jetën. Po të nxisje një muhabet rasti me këta të rinj dhe t’i pyesësh se çfarë na qenka jeta sipas tyre dhe se çfarë pritjesh kishin ata nga jeta, që kjo e fundit nuk ua realizoi, fund e krye të atij muhabeti në thelbin e problemit do ta dominojë politika dhe nepotizmi.

Nepotizmi nuk është vetëm fenomeni i punësimit të familjarëve, siç na është e njohur, por nepotizmi është sinjali i një shoqërie që e ka humbur besimin te kolektivi, populli dhe shoqëria dhe këtë “besim” dëshiron ta bartë në kuluaret fisnore dhe familjare. Pra, këta të rinj, që e kritikojnë nepotizmin, për më tepër që kritika e tyre është një britmë e shurdhër ndaj audiencës, për të na tërhequr edhe një herë vëmendjen se ikja e tyre, përpos që ka të bëjë me një konceptim biologjik të qenies njerëzore, ajo është edhe një protestë ndaj sistemit politik, i cili përmes nepotizmit po e shkatërron kolektivin njëkohësisht dhe po e rrezikon familjen si bërthamën e shoqërisë, duke e shndërruar atë në vatër të instrumentalizimit për pushtet. Ndërkaq sa i përket politikës, pjesës së muhabetit ku dominon politika, për të rinjtë politika është një betejë e humbur, sepse pushteti i korruptuar është i aftë që ta riprodhojë vetveten dhe të krijojë mure ndarëse dhe klasat në shoqëri.

Shpopullimi si fenomen është shumë aktual në ditët e sotme. Realisht, të qenit në trend të këtij fenomeni akoma është pjesë e një inxhinieringu social të ndërtimit dhe ndryshimit sistematik, demografik dhe strukturor të shoqërisë shqiptare. Në memorien kolektive shqiptare, gjenealogjia faktike e këtij fenomeni buron pas Lidhjes së Prizrenit, gjegjësisht pas shpalljes së pavarësisë së Serbisë nga Perandoria Osmane më 1876 dhe, aq më tepër, pas pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe shpalljes së Republikës së Turqisë ose pjesës së mbetur të Perandorisë Osmane. Epoka e modernitetit dhe shtetit komb te shqiptarët vjen dhunshëm përmes tri proceseve: kolonizimit, reformës agrare dhe shpopullimit, forma të aplikuara të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Pas formimit të Jugosllavisë, forma e shpopullimit dhe eksodit vazhdoi, sidomos me dëbimin e shqiptarëve për në Turqi në formën e presionit ekonomik, ku shqiptarët e Jugosllavisë në fillim të viteve e ’70-ta fillojnë drejt perëndimit dhe te shqiptarët kurbeti të bëhet pjesë e pandashme e ontologjikes shqiptare. Eksodi dhe shpopullimi më famëkeq ndodh pas viteve të ’90-ta në Shqipëri e Jugosllavi.

Format e sotme të shpopullimit janë shumë më të buta në aplikim, por shumë më efikase në veprim sesa në të kaluarën. Forma kryesore e këtij shpopullimi është kolonizimi i ardhmërisë së të rinjve, ide kjo që shpërndahet në formë të një manipulimi psikologjik dhe që ka të bëjë me shkërmoqjen e çfarëdo potenciali për ta projektuar e prodhuar ardhmërinë. Formë  tjetër kolonizimi është imponimi dhe manipulimi ideor për “gjithëfuqishmërinë” e oligarkëve të krimit politik dhe ekonomik, si dhe aftësinë e tyre për t’u ricikluar pafundësisht. Në anën tjetër kërkesat e këtyre të rinjve në esencë janë të thjeshta: siguria fizike, liria e shprehjes, edukimi publik falas, sistemi shëndetësor efikas, qyteti si një lagje e bukur kulturore dhe një pagë për shpenzimet modeste të një familjeje.

Mirëpo, edhe pse migrimi sot është një fenomen global dhe na ambalazhohet përkryeshëm përmes idesë së qytetarit kozmopolit të cilin, gjoja, këta të ri që ka vendosur të ik atje larg në Perëndim, e presin maskeballot dhe teatrot e shtrenjta mbretërore. Por, shqiptarët duhet ta kenë të qartë se kozmopolitizmi është ideologji e popujve sovranë dhe jo e popujve të shtypur, që kërcënohen me shfarosje dhe e gjitha çfarë duhet të bëjnë është të mos jenë indiferentë ose të jenë indiferentë ndaj indiferencës. Indiferenca e sotme është çmimi i lartë i këtij populli, që ai ka për ta paguar nesër.

 

Postime të Ngjajshme