` . India miraton projektligjin që përjashton myslimanët nga marrja e shtetësisë - TV-SHENJA

India miraton projektligjin që përjashton myslimanët nga marrja e shtetësisë

Qeveria nacionaliste hindu e Indisë të mërkurën miratoi një ligj kontrovers për shtetësinë i cili, siç thonë kritikët, cenon kushtetutën sekulare të vendit duke përjashtuar myslimanët.

Në pjesën verilindore etnikisht të përzier u përhap dhuna derisa parlamenti po debatonte mbi projektligjin, pasi që protestuesit që kundërshtojnë legjislacionin u përleshën me policinë, raporton Reuters.

Ushtarët u vendosën në shtetin Tripura ndërsa përforcime u dërguan edhe në shtetin fqinj Assam, që të dy të kufizuar me Bangladeshin, ku njerëzit i frikësohen fluksit.

“Projektligji do të na i merr të drejtat, gjuhën dhe kulturën pasi me miliona bangladeshas do të marrin shtetësinë”, tha Gitimoni Dutta, nxënës kolegji, derisa po protestonte në qytetin kryesor të Assamit, Guwahati, transmeton Koha.net.

Amandamenti i Projektligjit për Shtetësi kërkon të mbrojë pakicat rrethuese në shtetet fqinje duke u dhënë shtetësi të Indisë ndaj budistëve, të krishterëve, hindusve, jainsve, parsisve dhe sikve që kanë ikur në Afganistan, Bangladesh dhe Pakistan para vitit 2015.

Projektligji u miratua në dhomën e lartë të parlamentit me 125 vota pro dhe 105 kundër.

Ky veprim i qeverisë Modi u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare, nga grupet e pakicave dhe nga organizatat studentore.

Disa politikanë myslimanë opozitarë kanë thënë se ky projektligj ka për cak pikërisht komunitetin e tyre, që numëron mbi 170 milionë njerëz dhe është dukshëm grupi më i madh minoritar në Indi.

Qeveria ka thënë se ligji i ri do të pasohet nga një regjistër shtetësie që nënkupton se myslimanët duhet të dëshmojnë se kanë qenë banorë origjinalë të Indisë e jo refugjatë nga këto tri vende, duke i lënë kështu, potencialisht, disa prej tyre pa shtetësi.

Pjesëtarë nga besime tjera të listuara në ligjin e ri, nga ana tjetër, kanë rrugë të qartë për shtetësi.

Ndërkaq, Komisioni Amerikan mbi Lirinë Fetare Ndërkombëtare tha të hënën se Uashingtoni do të mendojë sanksione kundër Shahut, bashkëpunëtor i afërt i Modit, nëse India miraton legjislacionin në fjalë.

Duke e mbrojtur projektligjin në parlament, Shahu tha se ligji i ri ka për qëllim vetëm t’u ndihmojë pakicave të persekutuara në vendet me shumicë myslimane të kufizuara me Indinë.

“Askush s’po ua merr shtetësinë myslimanëve të Indisë. Ky projektligj është për t’ua dhënë shtetësinë, jo për t’ua marrë shtetësinë”, tha ai.