` . Imeri, shqiptari që do ta drejtojë kombëtaren gjermane – TV-SHENJA

Imeri, shqiptari që do ta drejtojë kombëtaren gjermane

Shkruan: Faton ZYLBEHARI

Rrugëtimi jetësor është shumë interesant. Në një mënyrë çdo jetë përmban një histori në vete. Kemi parë e dëgjuar nga më të ndryshmet, por kur bëhet fjalë për kombin shqiptar, e ke të garantuar një storie interesante me plot sfida admiruese, e në shumë raste – për fat të mirë – paraqet rrugë njëkatëshe, që personazhin kryesor e ngre nga humnera në hero. Shembull i këtillë do të jetë personazhi i këtij profili – Enis Imeri me origjinë nga Mitrovica e Kosovës, që tani më shumë vite është i stacionuar në Gjermani, ku e ka ndërtuar jetën e tij të ndjekur me plotë suksese. Si edhe shumë të tjerë, edhe ai – i detyruar ta braktisë Kosovën në gjendje lufte – krejt rastësisht në moshë shumë të re depërton në sportin e karatesë, fillimisht duke e imituar aktorin legjendar Bruce Lee, por që me shkathtësitë e tij natyrore për këtë sport arriti t’i prekë majat për të cilat realisht në këto anë është dëgjuar shumë pak. Revista “Shenja”, përmes këtij portreti, e prezanton Enis Imerin, shqiptarin që tashmë 2 dekada e ka shkruar historinë në sportin e karatesë. Imeri e nisi rrugën e sukseseve ngadalë, por sigurt. Ai tash e ka fituar mbi 10-të herë titullin kampion i Gjermanisë, 7-të herë ka fituar vendin e parë në Kampionatin Internacional, në vitin 2006 triumfoi në kampionatin europian, ndërsa karrierën e shkëlqyeshme e rrumbullakoi në vitin 2009 kur në Huelva të Spanjës u shpall kampion i botës. Një vit më vonë, më 2010, arrin ta mbrojë titullin e kampionit të botës në Edinburg të Skocisë.

“Së pari ju falënderoj për këtë ftesë dhe jam krenar si shqiptar që të tregojmë edhe në diasporë atë që e kemi arritur. Sukseset e mia më të mëdha janë në 2009-tën, kur u bëra kampion botëror, dhe në 2010-të kur e kam mbrojtur titullin në Skoci. Mbi 10-të herë kam fituar dhe jam shpallur kampion i Gjermanisë, 7 herë kampion internacional dhe në vitin 2006-të kampion evropian”, deklaron Enis Imeri.

Një sportist të suksesshëm janë arritjet ato që e mbajnë në nivel të lartë, mirëpo nëse kthehesh prapë secili ka një histori të veten për fillimet e karrierës ose për hapat e parë në një lëmi të caktuar. Dhe, mënyra se si Enisi ka filluar të merret me karate është interesante e krejtësisht e rastësishme. Ndoshta, pak a shumë, duke kthyer përshtypjen nga historia e përvuajtur e kombit tonë, ku thuajse çdo shqiptar bart në vete dozë të caktuar të shkathtësive luftarake. Ndonëse është dashur ta ndërrojë Kosovën me Gjermaninë, Enis Imeri flet me shumë krenari për kombin dhe shqiponjën dykrerëshe, që nuk e ka hequr asnjëherë nga vetja. Që e kaluara mos të mbetet vetëm histori, Imeri ka vazhduar të punojë edhe pas mbylljes së karrierës. Megjithatë, një kampion si Enisi shkathtësitë e tij nuk i do vetëm për vete, por dëshiron t’ua përcjellë edhe brezave të rinj. Shpërblimi për punën e mirë, që bën me shkollat e tij të karatesë, pritet të shpërblehet së shpejti, kur Imeri pritet edhe të marrë edhe zyrtarisht certifikatën për seleksionues i përfaqësueses së Gjermanisë në karate.

”Rastësisht nga një nxënës i imi në shkollë, në kohën kur kishim pauzë, edhe ai fillonte me stile, ndërsa unë i thosha ‘rri se unë jam shqiptar, të rrehi’, ndërsa ai tha se ‘ne duhet të rrihemi me rregulla’ dhe kështu më ftoi në trening. Dhe, unë shkova njëherë në të 95-tën, e mora kontaktin dhe i thashë babait tim se dua të bëj karate dhe dua të bëhem si Brus Li… stilin gjithmonë e pata pasur si Brus Lia dhe prej atëherë jam marrë me karate. Unë dy herë kam garuar për Gjermaninë, mirëpo në zemër, shihet edhe në televizion dhe në internet ku mundem të vërehem, gjithmonë në gjoks e kam shenjën e shqiponjës. Jam krenar, i mbroj të gjithë shqiptarët që janë në Evropë, në botë, ndërsa për momentin e kam një ftesë më të madhen të karrierës sime – më 24 shtator do të emërohem seleskionues i Gjermanisë”, zbulon lajmin mitrovicasi Imeri.

Ndonëse rrugëtimi i tij drejt suksesit nuk ishte i lehtë, pasi në njërën anë ishte lufta në Kosovë dhe në anën tjetër problemet me të cilat përballej si refugjat, por këto pengesa nuk e ndaluan rrugëtimin profesional të Imerit, që në moshë mjaft të re, si 17-të vjeçar, të shpallet kampion i Gjermanisë.

”Më 17 vjet në kohë të luftës në të ‘99-tën jam shpallur kampion në Gjermani për herë të parë. Kemi pasur shumë probleme që të qëndrojmë në kohë të luftës si refugjatë në Gjermani… 7 muaj jam kthyer në Kosovë, por seleksionuesi i përfaqësueses së Gjermanisë më dërgoi ftesë për t’u kthyer prapë si trajner profesional”, thotë Enis Imeri.

I mishëruar thellë me sportin e karatesë, Imeri u gjet në një situatë të pazakontë në vitin 2012-të kur vendosi ta mbyllë karrierën aktive. Mirëpo, ai në asnjë moment nuk u largua nga karateja, pasi menjëherë vazhdoi në një tjetër pozicion te ky sport – atë të trajnerit të karatesë. Mitrovicasi tanimë i ka hapur 3 shkolla të karatesë, ku stërvit mbi 600 nxënës, duke vazhduar kultivimin e karatesë në nivele profesionale në Gjermani.

“Dikush ushtron me vullnet, dikush ushtron me zemër. Unë kam ushtruar me dyja, edhe me vullnet edhe me zemër. Karatenë mund ta lë vetëm atëherë kur të më lë shpirti. Ne kemi afër 600 nxënës në 3 klube, ndërsa në shtator do ta hapë edhe shkollën e katërt… edhe financa kemi siguruar për 20-të vite të tjera. Unë kam një nxënës, Dani Blatman – 23-vjeçar, me të cilin para 2 viteve ishim në Spanjë, aty ku unë e kam fituar vendin e parë. Edhe ai aty e fitoi vendin e parë na kampionat botëror, tash në krah të trajnerit. Unë jam krenar, pasi kam arritur për vete, ndërsa kur luftëtari është i mirë, edhe trajneri është i mire”, vazhdon tregimin kosovari.

Imeri është i vetëdijshëm se përfaqësimi i denjë dhe sukseset që po arrijnë, qoftë një sport individual si karateja, i bëjnë reklamë pozitive edhe kombit shqiptar në suaza ndërkombëtare. Dhe, ai është krenar që ka mundur ta ndjekë rrugën e shumë sportistëve të suksesshëm shqiptar në Europë. Por, kur flasim për karate, atij në moment të parë në mendje i vjen një emër.

”Enver Idrizin e kam jaran, e kam mik të ngushtë. Ai ka filluar t’i bëjë shqiptarët të njohur. Tash unë kam hyrë në shkallë të tij dhe jam i hapur për të gjithë Evropën… për të treguar se jemi shqiptar dhe se mund të arrijmë edhe më shumë”, thotë me shumë bindje ky njeri me shpirt luftarak, që nuk njeh kurrë dorëzimin.

Dhe, duket se Imeri nuk ka ndërmend të ndalet me kaq, pasi një punëtor i lindur është i determinuar ta vazhdojë rrugën e sukseseve. Në vitin 2013-të klubi i tij ”Karate Shule Imeri” mori mirënjohje si klubi më i suksesshëm në Gjermani, që i dha një motiv shtesë Imerit për ta vazhduar të punojë në heshtje dhe për të prekur kështu suksese të tjera, si dhe njëkohësisht duke u treguar një model i vërtetë i përfaqësimit dinjitoz të kombit shqiptar në zemër të Europës.