` . Imam Vehbi Ismaili: Model për njerëzimin – TV-SHENJA

Imam Vehbi Ismaili: Model për njerëzimin

Nji sakrificë tjetër që përmend Fatimja asht refuzimi i Imam Ismailit që ta pranonte detyrën si drejtor i xhamisë së madhe në Washington DC. Ai e pa si detyrim të vazhdonte shërbimin në komunitetin shqiptar. Në të njejtën kohë, “Ai ishte shumë krenar që qëndroi me presidentin Eisenhower në ditën kur u inagurue hapja e xhamisë në Washington DC.,” thotë Fatimja.

Shkruan: Mithat GASHI, SHBA

Komuniteti shqiptar në SHBA, ndonëse i vogël në numër në krahasim me kombësitë e tjera, ka nxjerrë aktivistë, studiues, dhe dijetarë me përmasa ndërkombëtare. Nji ndër këta asht Imam Vehbi Ismaili. Ky shkrim ka për qëllim me shpalue disa veti të Imam Vehbi Ismailit përtej angazhimit te tij ndaj fesë. Shkrimi bazohet kryesisht në kujtimet e vajzës së tij, Fatimes, dhe të nji miku të tij, Dr. David Avdul, të cilët janë intervistue me 25 dhe 26 mars 2018 nga autori i këtij artikulli. Shkrimi asht nda në shtatë kategori, të nxjerruna nga kjo intervistë ku paraqiten disa nga vetitë dhe qëndrimet e njeriut model, jo veç për shqiptarët, por për gjithë njerëzimin.

Arsimi dhe dija: Babai ulej në dysheme dhe na lexonte libra

Vajza e tij, Fatimja, kujton që baba i saj ishte shum i interesuem që fëmijët e tij të arsimohen dhe të ndjekin dijen. Imam Vehbiu i këshillonte fëmijët e vet që dikush mund t’ua marrë tokën, pasuninë dhe paratë, por e vetmja gjatë cilën nuk mund t’ua marrë asht ajo që keni në kokën tuej: edukimin dhe dituninë. Fatimja tregon: “Javën që kisha lindun unë, baba e kishte ble koleksionin “Encyclopedia Britannica” për fëmijët e tij. Në atë kohë ishte shpenzim i madh për dike që fitonte pak. Me këtë veprim, ai investonte në edukimin tonë të ardhshëm, për të cilin ai mendonte se ishte gjaja ma e randësishme që mund të na jepte.” Gjatë pushimeve verore, simbas shum studimeve, fëmijët regresojnë nga ana arsimore. Imam Vehbiu i angazhonte fëmijët e tij në aktivitete arsimore edhe gjatë verës. Fatimes i kujtohet që babai i saj, gjatë pushimeve verore u mësonte fjalë të reja, sepse ai fjalët i quante pasuni dhe fuqi. Fatimja tregon se Imam Vehbiu dinte frengjisht, arabisht, anglisht dhe kishte njohuni të mira të turkishtes, persishtes, dhe gjermanishtes. Imam Vehbiu u blinte libra fëmijëve dhe ua vinte mbi jastëk. Fatimes i kujtohet: “Baba ulej ne dysheme dhe më ndihmonte për të pre letrat që ngjyrosja, pasi isha shum e vogël për të përdorë gërshanët kur unë lueja me kukulla. Dhe, më kujtohet kur baba na lexonte libra, kur ishte në shtëpi dhe, të tre, ne femijët e tij, grumbulloheshim rreth tij dhe luftonim cilin libër ta lexojë ma parë.”

Interesimi për anëtarët e komunitetit: vizita të vazhdueshme familjeve shqiptare

Dr. David Avdul, i lindun në vitin 1941 ne Ohio ka shum kujtime me Imam Vehbiun. Avdul tregon se: Imam Ismaili ishte në takim të shpeshtë me familjet shqiptare. I vizitonte në shtëpijat e tyne. Me anë të kësaj mënyre, ai njihej me gjendjen e komunitetit, me problemet e jetës, me gëzimet dhe me idhnimet e secilit. Kur vinte në Ohio, ishte e pazakontë që të mos i bante vizitë babait tim, Dalip Avdulit. Shqiptarët në Ohio përqendroheshin në Canton, Massillon dhe Louisville. Avduli tregon që kur vinte Imam Ismaili, rrinte dy netë, dhe nganjiherë tri netë. Bante biseda të përgjithshme. Bisedat e tij nuk silleshin vetëm për çashtje fetare. Kur bante vizita të tilla, ai nuk vinte vetëm si imam, vinte si mik; ishte njeri i thjeshtë. Avduli kujton nji rast kur Imam Ismaili ishte si mik i familjes Avdul për dy netë. “Kishte ardhë së bashku me gruen e tij dhe me tre fëmijët. Ne, fëmijët, luenim me njani-tjetrin, dhe vëllai im ma i vogël kaloi kohën ma të madhe me dy djemtë e tij. Gjatë kohës që ne loznim, Imami dhe grueja e tij bisedonin me nanën dhe babën tim.

Në nji rast tjetër, Avduli tregon, Imami dhe familja e tij udhëtonin për në Philadelphia për të pa familjen e grues së tij. Gjatë rrugës, diku në Ohio, i ishte prishë makina. Imami nuk e voziste makinën. Grueja e tij, Betty, e ngiste makinën. I ban telefon babait tim dhe i tregon se ç’kishte ndodhun. Baba i im gjeti nji mekanik dhe, me nji kamion, e morën makinën e Imamit dhe e dërguen në nji stacion shërbimi për ta rregullue. Atë natë Imami me familje fjeti tek shtëpia jonë. Në kujtimet e Avdulit, Imam Ismaili ishte klerik i moderuem. Ai kur u bante vizitë miqve të vet nëpër komunitete të ndryshme, interesohej edhe për gjendjen e femnave. Bisedonte vetë me gratë. Ulej edhe në kuzhinë, simbas nevojës dhe kushteve. Ai e vlerësonte dhe respektonte rolin e femnës.

Aktiviteti i tij për të mirën e komunitetit vinte me sakrifica. “Shumica e njerëzve nuk kanë asnji ide për sakrificat që prindët e mi kanë ba për shqiptarët këtu në Amerikë. Sakrificat e tyne janë krejtësisht e panjohuna. Por prindët e mij kurrë nuk u mburrën dhe kurrë nuk u brengosën,” thotë vajza Fatimja. Mbi të tjera, Fatimja tregon: “Para se Imam Ismaili të vinte në Shtetet e Bashkueme, ai kishte një jetë shum të rehatshme në Egjipt. Pas përfundimit të arsimit të tij në Universitetin “Al-Azhar”, ai punoi si gazetar i gazetës “Al-Ahram”. Përveç kësaj, ai mblodhi mite/folklor nga Shqipnia, Turqia dhe Persia dhe i përktheu në arabisht për botim nën emin Vehbi Hoxha. Ai u vendos në shtresat më të nalta të shoqnisë së Egjiptit: midis diplomatëve, studiuesve, gazetarëve të tjerë dhe komunitetit të madh të intelektualëve shqiptarë në mërgim. Ai la gjithçka për të ardhë në Detroit, ku popullsia myslimane shqiptare ishin punëtorë të thjeshtë nëpër fabrika dhe restorante. Ardhja në SHBA ishte humbje për të ekonomikisht dhe intelektualisht. Megjithëse babai ishte pak nostalgjik për atë jetë, ai e ndiente për detyrë ta vazhdonte trashëgiminë e tij si klerik dhe dijetar islamik.”

Nji sakrificë tjetër që përmend Fatimja asht refuzimi i Imam Ismailit ta pranonte detyrën si drejtor i xhamisë së madhe në Washington DC. Ai e pa si detyrim ta vazhdonte shërbimin në komunitetin shqiptar. Në të njejtën kohë: “Ai ishte shumë krenar që qëndroi me presidentin Eisenhower në ditën kur u inagurue hapja e xhamisë në Washington DC.,” thotë Fatimja.

Nji histori tjetër që Fatimja e din nga nana e saj asht: “Babai udhëtonte vazhdimisht për të krye shërbime nëpër funerale në raste vdekjesh dhe nëpër dasma në raste gëzimesh. Nëse nji familje kishte nevojë, ai ishte aty. Mami i paketonte teshat në nji çantë dhe shkonte në aeroport. Merrte teshat e palame dhe i jepte atij teshat e pastra dhe baba do të merrte udhëtimin për nji qytet tjetër. Me gjithë sakrificat, “Babai do të thoshte se dita ma e mirë e jetës së tij ishte dita kur u martue me gruen e tij, Betty, të bijën e Azmisë dhe Naxhije Browsh nga Filadelfia me origjinë nga Berati. Ajo ishte absolutisht partneri i tij në jetë.”

I ngrohtë në biseda: mund të bisedohej për çdo gja me Imam Vehbiun

Imam Ismaili, simbas Dr. Avdulit, ishte i ngrohtë dhe i ambël në biseda. Të krijonte mundësinë që të shpreheshe lirshëm, pa ngurrue se po ban ndonji gabim. Ai ndigjonte me vëmendje dhe e pëlqente dialogun. Avduli kujton: “Ndihesha i lirë për të diskutue gjithçka dhe pikërisht për diçka që bante për fe që nuk e kuptoja. Për shembull, kur unë e pyesja se pse duhej të bazohemi tek hadithet dhe jo vetëm në Kuran, Imami e mirëpriste pyetjen time, dhe me takt më përgjigjej: ‘unë zgjedh të besoj se profeti asht i frymëzuem hyjnisht, prandaj i pranojmë hadithet’!”

Qendra Islame në Detroit: vendi ku celebrohej Dita e Flamurit dhe ku mësohej gjuha shqipe

Në nji broshurë, mbi kremtimin e 25-vjetorit të themelimit të Shoqnisë Myslimane Shqiptaro-Amerikane, theksohet që nji ndër qëllimet e arrituna ishte dhania e mësimeve në gjuhën shqipe për të gjithë shqiptarët. Avduli kujton kur ai shkonte te xhamia shqiptare në Detroit së bashku me familjen e tij për të kremtue festën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë së Shqipnisë. “Asht për t’u përmendë,” thekson Avduli, “që Imam Ismaili u dha randësi të veçantë çashtjeve sociale. Për ketë ishte rregullue salla ku komuniteti shqiptar organizonte evenimente sociale. Ata që ishin besimtarë dhe faleshin pesë herë në ditë, shkonin dhe faleshin, ndërsa të tjerët merrnin pjesë në darka ose celebrime që organizoheshin në sallën e xhamisë. Nuk ndiheshe i detyruem që të faleshe.” Pra, kjo, simbas Dr. Avdulit, ishte nji mënyrë e Imamit për t’i tërheqë anëtarët e komunitetit në xhami që të takoheshin me njeni-tjetrin. Në nji intervistë, që Imam Ismaili ia ka dhanë Hasan Hasanit për revistën “Shkëndija” (shtator 1994), ai jep nji shembull: “Para disa vjetësh gazeta Rilindja që botohet në Zvicër, shkroi për nevojat që kishin fëmijët e shkollave në Kosovë si për lapsa, fletore, tekste e të tjera dhe kërkonte ndihmën e shqiptarëve në diasporë për t’u përmbushë këto nevoja. Zonjusha Fatmire Sylejmani, vajzë me origjinë kosovare, në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, që e flet gjuhën shqipe shum mirë, sepse e ka mësue në Qendrën Islame Shqiptare, në nji natë dëfrimi, në sallën e xhamisë sonë, tuboi ma tepër se 3.000 dollarë për këtë qëllim, të cilat dhe i dërgoi.”

Aktivitete ndërfetare: bashkëpunoi me klerikë të religjioneve të ndryshme

Në kujtimin e Dr. Avdulit, Imam Ismaili nuk ishte i kufizuem vetëm në fenë e tij. Ai u angazhue në organizimin e mbledhjeve dhe takimeve ndërfetare, që kalonin përkatësinë e tij etnike. Pra, Imam Ismaili nuk do të shihej në takime vetëm me prifta katolikë ose ortodoksë shqiptarë, por edhe me klerikë të kombeve të tjera. Qysh gjatë viteve 1950-të dhe 1960-të Imam Ismaili i promovonte idetë për dialog ndërfetar, si dhe për bashkëpunim ndërfetar. Asht me randësi të përmendet që Imam Ismaili punoi ngushtë edhe me udhëheqësin shi’it Imam Jawad Chirri, themeluesin e Qendrës Islamike të Amerikës. Vajza, Fatimja, thekson: “Babai gjithnji ilustronte ngjashmënitë, jo dallimet, ndërmjet Islamit, Krishtenimit dhe Judaizmit. Ai ftohej shpesh të predikonte në Kishën Unitariane në Universitetin Shtetnor Wayne, ku gjithashtu jepte leksione për Islamin në Universitetin e Wayne-s dhe në Universitetin e Miçiganit.” Imam Vehbiu ishte anëtar i Tryezës së Rrumbullakët në Detroit të të krishtenëve dhe hebrejve dhe grupit të parë ndërfetar në Detroit. Në kujtimet e Avdulit dhe Fatimes, xhamia shqiptare ishte shtëpi e hapun për vizitorë, që donin me nxânë rreth Islamit dhe kulturës shqiptare.

Menjiherë mbas 11 shtatorit 2001 shkruesi i këtij shkrimi kujton që klerikët myslimanë shqiptarë ishin të parët që dolën me nji deklaratë të fuqishme, ku dënohej dhuna dhe terrorizmi. Inisiator i kësaj deklarate ishte Imam Ismaili. Dr. Avduli, gjithashtu, tregon se Imam Ismaili i hapi dyert e xhamisë shqiptare dhe iu drejtue komunitetit të tij që të mirëprisnin njerëz të besimeve të tjera dhe u kërkoi të krishtenëve dhe hebrejve të vinin në xhami dhe të na pyesin rreth tragjedisë së 11 shtatorit për ta kuptue se si institucioni ynë fetar e interpreton këte situatë. Simbas Dr. Avdulit, në mes të krizës, Imam Ismaili solli nji ndjenjë ndërlidhjeje të komuniteteve.

Dashunues i letërsisë: përkthime të veprave shqipe në arabisht

Imam Vehbiu e donte letërsinë. Qysh në moshë të re ai ishte admirues i novelave të Ernest Koliqit. Kur ishte student ne Egjipt, në bashkëtakim me njerëz të kombësive të hueja, ai e pa që letërsia shqipe, edhe pse e re, nuk njihej nga të huejt. Iu përvesh punës dhe përktheu disa vepra të Ernest Koliqit nga shqipja në arabisht. Në intervistën që Imam Ismaili i ka dhanë Hasan Hasanit (shtator 1994), ai thekson që: “T’ue pa se në Egjipt njerëzit e letrave nuk kishin njohuni për literaturën shqipe dhe për të sigurue jetesën teme, fillova me përkthye nga gjuha shqipe novelat e Ernest Koliqit dhe të Qamil Guranjakut dhe t’i botoja në dy revistat e përjavshme letrare “El-Raisaleh” dhe “Eth-thekafe”, si dhe në të përmuejshmen“ElKitab”. Pjesa ma e madhe të novelave të Koliqit dhe disa të Guranjakut janë botue në formë libri nga shtëpia botuese “El-Bejanel-Arabi” me titullin “El-Mehdudhehebi” (Djepi i Arit), titull që asht nxjerrë nga “Tregtar Flamujsh” të Koliqit. Ma vonë, nën inisiativën e Imam Vehbiut, qendra islame ku shërbente ai, ribotoi libra të Ernest Koliqit, si “Hija e Maleve” dhe “Tregtar Flamujsh”, si dhe “Bleta Shqiptare” nga Thimi Mitko. Përveç studimeve theologjike dhe filozofike, biblioteka e Imam Vehbiut ishte shum e pasun me vepra letrare. Nga ana tjetër, Imam Vehbiu ka ba disa përkthime nga arabishtja në shqip dhe në ketë mënyrë ai i ka ba nji shërbim gjuhës shqipe.

Simbas David Avdulit, Imam Ismaili kishte dëshirë që të përqendrohej në kërkime shkencore.

Mbi komunizmin: Lutja gjatë gjith jetës se tij ishte, “Të jetë Shqipnia e lirë”

Në intervistën që i ka dhanë z. Hasan Hasani (shtator, 1994), Imam Vehbi Ismaili citohet: “Në Miçigan 43 vjet iu luta Zotit ta zhdukë komunizmin.” Vajza e tij, Fatimja, tregon: “Mbaj mend si të ishte sod natën që muri i Berlinit u shemb. Ne të gjithë e shihnim lajmin në televizion. Babait i rrodhën lotët dhe tha: ‘Lutuni Zotit që të bjerë komunizmi edhe në Shqipni sa ma shpejt’.” Fatimja tregon që babai i saj ishte nji luftëtar për lirinë e Shqipnisë nga diktatura komuniste dhe për këte mund të flasin shum të tjerë që e kanë njohun atë. Ai ishte i patrembun kur ishte çashtja për liri. Nana ime nganjiherë kishte frikë se po i ndodh diçka për qendrimet e tij të rrepta ndaj komunizmit. Simbas Fatimes, në udhëtimin e prindve të saj të parë në Shqipni në vitin 1988, qeveria komuniste donte që babai saj ta puthte vorrin e Enver Hoxhës ose të dërgonte lule tek vorri i tij, si pat ba Nanë Tereza. Imam Vehbi refuzoi. Fatima thekson: “Ai e mbajti gojën e tij të mbyllun politikisht në atë vizitë, sepse ai e kishte nanën time me vete.”