` . Imagjinata e mbrapshtë dhe dhuna e mediumeve - TV-SHENJA

Imagjinata e mbrapshtë dhe dhuna e mediumeve

Dhuna, në fakt imazhi i dhunës që e ofrojnë mediat, pikërisht për shkak se paraqitet në publik, merr kuptime dhe funksione të ndryshme, të cilat varen nga kontekstet, përmes të cilave përshkruhet. Nga paraqitjet e ndryshme të dhunës (shumë prej të cilave janë arritje të rëndësishme artistike) shpeshherë mund të shihet se si në ekran ajo paraqitet në funksion të lavdërimit të fitores ose glorifikimit të sakrificës së ndonjë heroi

Shkruan: Metin IZETI, Tetovë

Dhuna është një realitet shumë kompleks, që nuk mund të përkufizohet në mënyrë të qartë dhe “një herë e përgjithmonë”, por duhet të konkludohet duke i marrë parasysh faktet e ndryshme. Ky lloj i luhatjes ose “fleksibilitetit” të dhunës dhe vështirësisë së përcaktimit të saj është veçanërisht i dukshëm kur bëhet fjalë për paraqitjen e dhunës në burimet moderne audiovizuale, si dhe në format e tjera të shprehjes artistike: letërsi, pikturë, skulpturë, teatër… Si pasojë e kësaj dhune, shoqëria bashkëkohore përballet me një imagjinatë të mbrapshtë, e cila ndikon në masë të madhe edhe në destabilizimin e baraspeshës shpirtërore të njerëzve, veçanërisht të fëmijëve.

Një nga problemet me të cilat përballemi sot është prania e madhe e dhunës, e cila paraqitet përmes mediumeve. Për këtë arsye, është edhe e vështirë të krahasohen hulumtimet e ndryshme në këtë fushë, pasi autorët në mënyra të ndryshme e kuptojnë ose e vlerësojnë dhunën. Disa autorë, që kanë shkruar për dhunën në media, përpiqen t’i paraqesin dikotomitë e ndryshme dhe të bëjnë dallim ndërmjet dhunës direkte (personale) dhe indirekte (strukturore), duke vënë në dukje se me dhunë personale nënkuptohet dhuna që ka pasoja fizike ose psikologjike, me të cilat përballet dhe vuan prej tyre një person, ndërsa me dhunë strukturore nënkuptohet konteksti integral i dhunës, ku protagonisti aktiv i dhunës nuk është i dukshëm. Hulumtuesi i njohur i kësaj fushe, Mikos, sugjeron një ndarje paksa më të ndryshme dhe i vendos kontekstet në të cilat ndodh dhuna dhe i referohet dhunës natyrore (reale) dhe artificiale (të krijuar). Faktet e tilla janë të ndryshme në dhunën mediale që vihet në skenë (një kontekst që është i përshtatur, rregulluar për audiencën) dhe dhunën mediale që është shfaqur në kuadrin e programit dhe që synon që botës t’ia paraqesë një realitet të caktuar (p.sh. përmbajtjet informative, raportimet e kështu me radhë). Përveç kësaj ndarjeje, ai i përmend edhe disa mënyra të tjera të domethënies së dhunës: të ligjshme dhe të paligjshme, fizike dhe verbale, me qëllim dhe pa qëllim, individuale dhe kolektive, dhuna e dukshme dhe latente etj.. Ekziston edhe një dallim i madh, por edhe lidhje e pashmangshme, midis dhunës që ka ndodhur në të vërtetë (në mënyrë të veçantë, realisht) dhe dhunës që po shfaqet në mediume.

Dhuna, në fakt imazhi i dhunës që e ofrojnë mediat, pikërisht për shkak se paraqitet në publik, merr kuptime dhe funksione të ndryshme, të cilat varen nga kontekstet, përmes të cilave përshkruhet. Nga paraqitjet e ndryshme të dhunës (shumë prej të cilave janë arritje të rëndësishme artistike) shpeshherë mund të shihet se si në ekran ajo paraqitet në funksion të lavdërimit të fitores ose glorifikimit të sakrificës së ndonjë heroi. Në raste të tjera, këto mund të jenë skena që synojnë t’i vënë në dukje efektet e dëmshme të terrorit ose për t’i vënë në dukje pasojat e veprimeve të dhunshme dhe nganjëherë ato thjesht dëshirojnë të provokojnë një reagim të fortë emocional ose të lënë një përshtypje të fortë.

Funksionet e ndryshme, që mund të ketë dhuna e paraqitur përmes medias, edhe pse në kundërshtim me natyrën e mediumeve, mund të jenë mundësi për t’u pozicionuar para dhunës. Pra, prezantimi i dhunës ose biseda për dhunën mund ta ketë domethënien e një gjykimi moral për pranueshmërinë ose papranueshmërinë e veprimeve të dhunshme. Prezantimi i dhunës mund të përmirësojë, inkurajojë ose justifikojë aktet konkrete të dhunshme dhe mentalitetin e dhunshëm. Prandaj është e kuptueshme që dhuna ka qenë e pasqyruar shumë kohë më parë në dritën “pozitive”, shpesh në lidhje me personazhet e heronjve kombëtarë (ose aktet e tyre heroike) dhe paraqitja e temave të tilla është konsideruar një shërbim për shënjimin ose nderimin e identitetit kolektiv. Paraqitja e dhunës është përdorur si një mënyrë e përshtatshme për t’u distancuar nga vetë dhuna. Në situatat ku dhuna ka një karakter refleksiv, dhuna që shfaqet mund të bëhet gjithashtu një mjet për të mësuar, një vëzhgim moral-filozofik, një pjesëmarrje kolektive apo edhe një çështje e rëndësishme e përvojës estetike.

Veprimtaria televizive

Dhuna është një temë që është e pranishme në të gjitha mediumet dhe diskutimi mbi praninë dhe ndikimin e dhunës në to gjithmonë ka qenë aktual, sidomos me paraqitjen e mediumeve të reja, në të cilën ajo ishte, të paktën në fillim, kryesisht në një dritë negative (d.m.th. si një mjet që ka një efekt të fuqishëm për dhunën në sjellje). Për të qenë më preciz në lidhje me dhunën në mediume, është e nevojshme të analizohet dhuna në disa mediume të ndryshme, sepse duhet të respektohen specifikat e secilit prej tyre, si dhe roli i faktorit njeri, duke i kushtuar vëmendje ndërveprimit që është vendosur me një auditor të caktuar.

Kur është fjala për televizionin, duhet të nisemi nga fakti se televizioni është një medium që në jetën e individëve dhe familjeve ka një vend të veçantë. Pavarësisht nga favori në rritje, që marrin mediumet e reja, edhe sot e kësaj dite televizioni është një medium audio vizual, që “flet” me imazhe dhe imazhi ngjall reagime emocionale, të cilat janë më të menjëhershme dhe më të forta sesa mënyrat e tjera të komunikimit. Fotografia e televizionit është mbresëlënëse dhe shumë sugjestive. Programet e ndryshme televizive mund të lënë një përshtypje të thellë te shikuesit, shumë më të fortë se tekstet shkollore dhe diktimet tekstuale. Përveç kësaj, duhet të kemi parasysh edhe atë se auditori i zakonshëm më tepër beson në imazhe sesa në tekst, duke besuar se imazhi “nuk mund të gënjejë”.

Pavarësisht nga fakti se mediumet janë “natyralizuar” nën çatinë e familjes, megjithatë, veçanërisht televizioni – që është veçori e tij dalluese – është i pranuar botërisht si medium “shtëpiak”, sepse është i pranishëm gati 24 orë në ditë. Televizioni jo që është i pranishëm vazhdimisht dhe hyn në ritmin e jetës familjare, por shpesh e përcakton dhe “organizon” jetën brenda mureve të familjes. Është shumë e vështirë të gjesh dallimin midis botës “televizive” dhe jetës së përditshme, reale, pasi këto dy botë janë vazhdimisht të ndërthurura dhe të përziera. E gjithë kjo është e nevojshme të kihet parasysh kur flasim për televizionin dhe dhunën, e cila prej përmbajtjes në shfaqje televizive shihet në mënyrë të veçantë, e cila e përshkon jetën e përditshme, duke krijuar kështu shumë supozime për procesin e identifikimit. Një nga avantazhet e televizionit është edhe fakti se përdorimi i tij nuk kërkon ndonjë kualifikim të posaçëm, por mjafton aftësia për të dalluar programet televizive dhe formatet e dekodifikimit në rrugë të drejtë ose të kuptimit të tyre brenda një kornize interpretuese. Këto janë aftësi të fituara gjatë përdorimit të mediumeve dhe bazë e përvojës jetësore, që ndihmon për kuptimin relativ të përmbajtjes. Kuptimi i përmbajtjeve, sot, është kompleks, kjo për shkak të vështirësive që burojnë nga natyra e programeve televizive. Më parë mediumet ishin të përqendruara në një audiencë të veçantë, që ishte e interesuar për përmbajtjen specifike (dikush zgjidhte një libër me pritje pak a shumë të qarta ose shkonte në kinema për të parë një film, për të cilin ishte i interesuar), ndërsa televizioni imponohet dhe ka një audiencë të përzier. Kështu konceptet televizive, që më parë ishin të përcaktuara qartë, në televizionin e sotëm janë të përziera. Prandaj edhe është shumë i rëndësishëm diskutimi rreth rrjedhshmërisë së programeve televizive. Në kuadër të programit televiziv sot është e vështirë të dallohen emisionet që ishin më parë të qarta dhe me funksione: informative, edukative ose argëtuese. Televizioni i ka të ndërthurura vazhdimisht jo vetëm programet, por çdo gjë që ndodh në kontekst të realitetit dhe imagjinatës ose edhe projektit virtual. Kjo është arsyeja pse në programet argëtuese do të gjeni shumë elemente të programeve informative, ndërsa informatat shpesh do të shfaqen në mënyrë spektakolare. Kjo është e rëndësishme të theksohet, sepse dhuna televizive nuk shihet më vetëm në kontekstin e disa shfaqjeve, por brenda aktivitetit të përgjithshëm televiziv. Funksionimi i sistemit të sotëm mediatik (kryesisht mediat komerciale, por edhe publike) nuk mund të imagjinohen pa sponsorizim, sepse – kur është fjala për televizionin – ai varet nga reklamat me tendenca të projektuara. Një funksion i tillë promocional i televizionit nuk kufizohet vetëm në programet reklamuese, por vetë reklamimi bëhet një element organizativ gjithnjë e më i fuqishëm i gjithë programit.

Disa hulumtues, madje, flasin për rolin e ri të televizionit, që ka nevojë për të “mbledhur dhe shitur shikuesit tek sponsorët e tyre”. Në këtë drejtim, rregulli më i rëndësishëm, qëllimi dhe kriteri i veprimit të tij është vizualiteti joshës. Nëse subjekti i dhunës ose, më saktë, i dhunës në televizion, kontribuon në shfaqjen joshëse më të madhe të saj, atëherë televizioni përqendrohet në programe të tilla. Kjo është arsyeja pse nuk mund ketë një kriter themelor të transmetimit ose të përmbajtjes, d.m.th. formatimit të lajmeve, vlerësimit etik ose moral të përmbajtjes ose efekteve të mediumit, por ai tashmë është në shërbim të efikasitetit dhe shitjes. Si pasojë, edhe dhuna në televizion nuk përjashtohet nga ky kriter.

Dhuna në programet televizive

 Si rrjedhojë e tendencës aktuale të televizionit të sotëm në përzierjen e programeve të ndryshme, dhunën dhe anomalitë psikofizike, që lindin me prezantimin e dhunës, mund t’i gjejmë në programet informative, zbavitëse dhe propaganduese.

Në programet e informacionit një hapësirë e madhe u jepet lajmeve “të mrekullueshme”, që janë shënuar me dhunë në mënyra të ndryshme. Për tema të tilla, si dhe për mënyrën e prezantimit, kjo nuk është veti vetëm e televizioneve komerciale, por edhe e atyre publike. Mund të thuhet se dhuna është një kriter pothuajse i privilegjuar për zgjedhjen dhe paraqitjen e lajmeve. Përpjekja për të analizuar lajme të tilla në shumicën e rasteve na i shfaq elementet e mëposhtme:

  • Negativiteti – një rregull i padefinuar i gazetarit është bërë i favorshëm në programet televizive se “lajmi i keq është lajm i mirë”. Sipas këtij kriteri, lajmi duhet të përmbajë diçka që “është e rrëshqitur” përtej rrjedhës normale të veprimit, jashtë normave të rregullta, diçka që paraqet shkeljen e normave etike ose mosrespektimin e tyre.
  • Dramatizimin – me këtë tërhiqet audienca dhe, si e tillë, ofron elemente për identifikim më të lehtë, sepse zbulohen elementet e intimitetit njerëzor, varësisë, brishtësisë, dobësisë. Konflikti, i shoqëruar shpesh me dramatizimin, lë rregullisht një pyetje të hapur për rrjedhën e mëtejme të ngjarjes. Një “pasaktësi” e tillë korrespondon me natyrën e informacionit brenda sistemit, ku informacioni është bërë mall, i cili si gjithçka tjetër “shitet” dhe vlerësohet në bazë të shitjes.

Televizioni e paraqet dhunën, por edhe siguron një kornizë, në një mënyrë, për ta kontekstualizuar atë që e paraqet tekstin, duke e përcaktuar problemin dhe duke u fokusuar në atë drejtim që ju duhet ta analizoni për një përgjigje individuale. Ky përkufizim i veçantë ndonjëherë do të jetë i dallueshëm dhe ndonjëherë do t’ju duhet ta kuptoni kontekstin më të gjerë të përmbajtjes së emisionit. Në të vërtetë, televizioni transmeton dhunë kundër strukturës reale njerëzore. Incidentet dhe veçantitë mbështeten si rregulla, pra gjërat që janë përjashtime parashtrohen si mundësi të veprimit të përgjithshëm. Mediumet, tashmë jo vetëm televizioni, por edhe interneti, nuk mund të themi se janë neutrale. Kjo d.m.th. se nuk e paraqesin realitetin në një mënyrë plotësisht objektive, sepse çdo prezantim domosdoshmërisht nënkupton përzgjedhjen dhe interpretimin. Kjo bën të mundur që të mbindërtohet ose nëntheksohet ajo që thuhet. Zgjedhja është bërë në bazë të konteksteve të caktuara: është vendosur për të paraqitur ose folur për diçka që në realitet nuk e ka kontekstin real, edhe pse ngjarja mund të jetë reale dhe kështu lajmi mund të marrë kuptime të ndryshme.

Secila përzgjedhje televizive do të thotë që diçka do të shfaqet, por në të njëjtën kohë diçka tjetër nuk do të flitet (ose jo në mënyrë adekuate) do të paraqitet si e parëndësishme ose më pak e rëndësishme. Televizioni mund të orientohet edhe për ta heshtur dhunën dhe thjesht për ta injoruar një realitet, gjë që, gjithashtu, mund të jetë një formë e dhunës. Një fshehje e tillë është veçanërisht e njohur në sistemet totalitare, por nuk është e panjohur edhe për “shoqëritë demokratike”. Nëse dhuna televizive meriton vëmendjen dhe nuk i kushton hapësirë ​​adekuate, atëherë fakti mbetet i parëndësishëm, ose joreal.

Natyra dhe modalitetetet e mediumeve nuk e favorizojnë qasjen analitike dhe kritike (që është karakteristikë e komunikimit letrar), sepse televizioni e vendos theksin më të madh në përshtypjen. Ajo shpesh sjell vetëm fragmente të realitetit, sepse tregon diçka të nxjerrë nga një kontekst dhe e fut në një kontekst tjetër. Prandaj, shpesh është e vështirë të dallohen shkaqet dhe pasojat e ngjarjeve të tilla, si dhe kuptimi i tyre. Kjo ndodh edhe kur bëhet fjalë për shfaqjen e dhunës ose për imponimin e saj. Dhe, kur është fjala për dhunën, kjo mund të ndodhë lehtë, për shkak se nuk i kushton vëmendje të mjaftueshme shpjegimit (ose kontekstualizimit të plotë) dhe ajo mund të mbetet e paqartë dhe mos të jetë i lehtë zbulimi i shkaqeve ose kuptimi i pasojave të dhunës.

Televizioni nuk është një medium që thjesht “prezanton diçka”, por mundet, me veprimin e tij, dhe duke paraqitur dhunë ndaj dhunës, të shtojë (ose eliminojë) një dimension të rëndësishëm të negativitetit ose dramatizimit. Televizioni mund të bëhet një mjet i fuqishëm i veprimit manipulues, pasi ka potencial për t’i rritur gjërat, por gjithashtu edhe që ta nënvlerësojë kërcënimin real. Për pasojë, ai mund ta inkurajojë shfajësimin, por gjithashtu mund “të shpallë” dikë dhunues ose fajtor para gjykimit adekuat.

Format narrative të fiksionit (në realizime letrare ose të tjera) janë të pranishme në të gjitha periudhat dhe në kultura të ndryshme, andaj lirisht mund të thuhet se ka një domosdoshmëri antropologjike për forma të tilla. Prandaj, nuk është e pazakontë që edhe programet e fiksionit të gjenden në televizion. Programet e tilla janë shumë të përshtatshme për imagjinatën dhe procesin e identifikimit, argëtimit dhe relaksimit, sepse ato e ofrojnë mundësinë e kapërcimit dhe ekspozimit të përcaktimeve konkrete sociale. Ata merren me tema që flasin për jetën e përditshme dhe fokusohen në marrëdhëniet njerëzore, të mira dhe të këqija, shëndetin, lumturinë dhe fatkeqësinë, vuajtjen, sëmundjen dhe dhunën. Përmbajtja e këtyre shfaqjeve mund të jetë edhe instruktive dhe bindëse, pasi ato drejtojnë vëmendjen, dëshirat dhe vlerën e qëndrimeve tona. Programet e fiksionit në televizion hasen në filma, në seri televizive dhe në programe të animuara. Dhuna në programe të tilla televizive është shumë e pranishme dhe ne e hasim në forma të ndryshme të prezantimit të saj, gjë që ndikon në lindjen e imagjinatës së mbrapshtë, veçanërisht të fëmijëve.

Shumica e njerëzve dhunën në televizion e perceptojnë përmes dhunës së parë në filma, ndërsa fëmijët edhe në lojërat e ndryshme të animuara, por me prapavijë të dhunës. Edhe pse flasim për dhunën televizive, nuk mund të reduktohet në atë që filmi ngel vetëm virtualitet, por ai bëhet edhe pjesë e ëndrrave dhe imagjinatës së njeriut. Si ilustrim mund të përmenden filmat ku ajo është një temë e pashmangshme (filat horor, pornografia, krimi, lufta). Dhuna në film mund të paraqitet në mënyra të ndryshme, të cilat gjithsesi se do të kenë kuptime dhe pasoja të ndryshme. Dhuna në film, si dhe në përgjithësi në forma të tjera të përfaqësimit artistik, jo domosdoshmërisht kuptohet vetëm si vizion, sepse dhuna në film mund të jetë e lidhur me arritjen e një akti heroik për të arritur qëllime të caktuara.

Dhuna është shpesh tema qendrore rreth së cilës ndërtohen programe, të cilat për çdo ditë i kemi pranë duarve. Nëse rregulli i mësipërm se “Lajm i keq është lajm i mirë” aplikohet në program mediatik, atëherë kjo do të thotë se “historia e keqe”, ajo e dhunshme dhe e ngarkuar emocionalisht, mund të konsiderohet si një “histori e mirë”. Prandaj nuk është çudi që në një numër kaq të madh të serive televizive dhe lojërave animuese, me tema që lidhen me botën e krimit ose një veprim që lidhet me drogën, llogaritë e mbrapshta, njëkohësisht ato bëhen pjesë e jetës shoqërore. Por, ama, dhuna nuk është e pranishme vetëm në seritë që kanë të bëjnë me këto tema. atë ne e gjejmë edhe në emisione të tjera, madje edhe me karakter zbavitës.

Për shembull, seritë policore i kanë tri elemente tipike të joshjes së dhunës: një lloj lehtësimi në të cilin veprimi është shpesh rezultat i turbullirave dramatike dhe komike; fokusi është mbi njerëzit dhe marrëdhëniet (pavarësisht nëse janë familjare, miqësore ose fqinjësore, më së shumti janë njerëz me ndjenjë humori); dhe atmosfera është “e zakonshme”. (Vijon)