` . Idlibi në qendër të luftës civile siriane - TV-SHENJA

Idlibi në qendër të luftës civile siriane

Përskaj faktit që regjimi kërcënon pikat monitoruese të ushtrisë turke, me qëllim që t’i largojë nga pozicionet në të cilat ushtria e Turqisë është pozicionuar – shqetësimi real i Turqisë qëndron edhe në rast se regjimi dhe Rusia i izolojnë grupet opozitare dhe kësisoj të pamundësohet furnizimi dhe komunikimi i tyre!

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Qyteti Idlibit është fortesa e fundit e opozitarëve
kundër regjimit sirian. Intensifikimi i sulmeve të regjimit, forcave ajrore
ruse dhe milicive të ndryshme, ka prodhuar një situatë të re në veriperëndim të
Sirisë – një vale të re refugjatësh në drejtim të Turqisë. Kjo valë e re e
refugjatëve konsiderohet si shpërngulja më e madhe siriane që nga fillimi i
luftës nëntë vite më parë! (The New York Times).

Ndëkraq sipas “The Washington Post”, kjo lëvizje e
tanishme e njerëzve konsiderohet eksodi më i madh njerëzor nga viti 2017, kur ushtria
e Mjanmarit i detyroi qindra e mijëra myslimanë rohinga të kërkojnë strehim në
Bangladesh.

Në anën tjetër protagonisti kryesor i luftës civile siriane,
presidenti Asad, me këtë rast konstatoi se: “Ne e kemi të qartë se ky
çlirim nuk nënkupton fundin e luftës, shkatërrimin e të gjitha komploteve,
fundin e terrorit, ose dorëzimin e armikut. Ky është një prelud për humbjen
përfundimtare të rebelëve herët a vonë.” (Reuters).

Zëvendëssekretari gjeneral për çështje humanitare në OKB,
Mark Lowcock, krizën humanitare në Idlib e quajti “tmerrin më të madh humanitar
të shek XXI, në rast se nuk shmanget nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit”.

Rrjedhimisht, ky realitet nxiti Ankaranë zyrtare për të
ndërmarrë veprime e përforcime ushtarake drejt kufirit me shtetin sirian.
Kohëve të fundit ushtria turke në këtë zonë rriti dislokimin e trupave të saj
nga 1200 në rreth dhjetëmijë sosh.

Përskaj faktit që regjimi kërcënon pikat monitoruese të
ushtrisë turke, me qëllim që t’i largojë nga pozicionet në të cilat ushtria e
Turqisë është pozicionuar – shqetësimi real i Turqisë qëndron edhe në rast se
regjimi dhe Rusia i izolojnë grupet opozitare dhe kësisoj të pamundësohet
furnizimi dhe komunikimi i tyre!

Edhe në shtator të vitit 2018 Idlibi ishte në qendrën mediatike
e diplomatike të zhvillimeve në terrenin sirian, ndonëse në atë vit Turqia dhe
Rusia arritën marrëveshje (në Soçi) për të krijuar një zonë të demilitarizuar.
Atëbotë, Turqia duhej t’i bindë për çarmatosje Hay’etTahrir al-Sham (HTC),
formacion ky i cili më parë ishte i lidhur me Al-Kaedën – dhe t’i largojë nga
zona e demilitarizuar! Në të vërtetë, marrëveshja nuk u zbatua në tërësi,
ndërsa Turqia nuk mund ta detyronte HTC-në për zbatimin e marrëveshjes, kurse
në anën tjetër Rusia nuk i ndaloi forcat e regjimit sirian nga sulmet drejt
zonave të sigurta dhe me ketë synoi që regjimi përfundimisht t’i shtrijë nën
kontroll të gjitha territoret, përfshirë edhe Idlibin. (Aljazeera).

Pashmangshmërisht, këto rrethana faktike të krijuara në
terren përshkallëzuan situatën, ndërsa kalimi eventual i Idlibit në duart e
regjimit nënkupton humbje për opozitën siriane, por edhe për Turqinë, shkaku se
tanimë Turqia do të pamundësohej që ta imponojë ndikimin e saj në tryezën e
bisedimeve për Sirinë.

Prandaj, përpjekjet e regjimit për ta kontrolluar
tërësisht rajonin e Idlibit dhe shkeljen e vazhdueshme të marrëveshjes së Soçit,
Turqia i sheh si kërcënim për sigurinë e saj nacionale dhe që këtu buron
dërgesa e përforcimeve ushtarake në zonë. Ndonëse viteve të fundit Turqia e
Rusia kanë përafrime në fushën ekonomike, tregtare e energjike, duket se
përballja e Turqisë me forcat e regjimit sirian ka nxitur tensione të
konsiderueshme ndërmjet Ankarasë dhe Moskës.

Përmes zhvillimeve të fundit jepet të kuptohet që Rusia
ka për qëllim që, nëpërmjet regjimit, të përcaktojë kufij të rij, duke e transferuar
Turqinë në pikat e monitorimit, mirëpo jashtë zonave të kontrolluara nga
regjimi, ndërsa Ankaraja synon që regjimi të kthehet në po ato pika, të cilët
palët janë akorduar në Soçi në vitin 2018 dhe, kësisoj, ta heqë rrethimin e regjimit!

Turqia i ka tre qëllime në rast të një operacioni të
supozuar ose në rast të uljes në negociata dhe atë: 1) sigurimin e pikave të
monitorimit, pra pikërisht në pikat që u vendosën vite më parë; 2) vendosjen e
një rripi kufitar ose zone të sigurt; dhe 3) shmangien e një vale të re
refugjatësh drejt Turqisë.

Pavarësisht skenarit se si do të vijonte situata në Idlib,
nuk do të kishte ndonjë mundësi të madhe për një konfrontim të drejtë ndërmjet
Turqisë e Rusisë, kjo, ngase, të dyja palët shfaqen të kujdesshme për t’u
shtyrë drejt përplasjes! Ndonëse Idlibi ose çështja siriane është një pikë ku
të dyja palët shprehin antagonizmat, megjithatë nuk do të ishte e logjikshme që
marrëdhëniet e tyre të preken shkaku i Idlibit e, kësisoj, të lihen anash
interesat madhore bilaterale ruso-turke!