` . Idlibi, midis fushëbetejës dhe armëpushimit – TV-SHENJA

Idlibi, midis fushëbetejës dhe armëpushimit

Me arritjen e një gjuhe të përbashkët me SHBA-të, për patrullime të koordinuara në qytetin e Munbixhit – qytetit verior sirian – dhe tani me Rusinë për çështjen e Idlibit, s’do mend se ky është një sukses i jashtëzakonshëm i diplomacisë turke.

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Territori i fundit që kontrollohet nga grupet rebele opozitare ndaj regjimit sirian, është Idlibi, rajoni veriperëndimor i Sirisë. Idlibi, pra, konsiderohet barriera e fundit e regjimit dhe aleatëve të tij, për të arritur tek fitorja ushtarake kundër kryengritësve. Kjo provincë e cila kufizohet me Turqinë, sipas marrëveshjes së raundit të 4-t të negociatave që u zhvilluan në Astana në maj të vitit 2017 ndërmjet Rusisë, Iranit dhe Turqisë, përbënte një nga katër “zonat de-eskaluese”, zona këto në të cilën gjendeshin formacione të ndryshme ushtarake kundër regjimit, por edhe popullatë e dendur civile, andaj luftimet në to doemos duhej që të ndaleshin.

Përpos Idlibit, 3 zonat tjera (Homsi, Guta Lindore dhe Kunajtara) muajve të kaluar ranë një nga një në duart e regjimit, ashtu që mijëra civilë, por edhe kryengritës të këtyre rajoneve, u evakuuan për në Idlib. Ajo që duhet përmendur është fakti se tanimë aty gjenden mbi 3 milionë civilë (Al-Jazeera) dhe grupe të shumta ushtarake të ndara në fraksione dhe ideologji të ndryshme!

Provinca e Idlibit ka një rëndësi të jashtëzakonshme strategjike, si për regjimin, ashtu edhe për Rusinë, për shkak se ajo kufizohet me provincën bregdetare të Latakijes, pra bastionit kryesor të regjimit, respektivisht me rajonin ku ndodhet baza më e madhe ajrore ruse (Hamajmim)  në Siri!

Fraksionet e ndryshme ushtarake (të moderuara) të cilët operojnë në Idlib dhe që mbështeten nga Turqia, u bashkuan në maj të këtij viti në një koalicion dhe formuan atë që quhet “Fronti Nacional për Çlirim”. Në kuadër të këtij koalicioni nuk u përfshi “Hay’at Tahriral-Sham” një forcë tjetër ushtarake e cila dominon dhe ka nën kontroll përafërsisht 60% të territorit të provincës së Idlibit, por që llogaritet si organizatë terroriste nga SHBA-të, Rusia dhe vendet e tjera, ndërsa së fundmi – që nga muaji gusht – edhe nga Turqia. Prezenca e këtij grupi në provincën e Idlibit ishte justifikim për operacionin ushtarak të regjimit dhe aleatëve të tij.  Kjo qe një ndër arsyet se pse në samitin e Teheranit, i cili i zhvilloi punimet në muajin e kaluar ndërmjet Rusisë, Iranit dhe Turqisë, u refuzua kërkesa e kësaj të fundit për vendosjen e një armëpushimi pikërisht në Idlib!

Rënia e Idlibit në duart e regjimit të Asadit nënkupton që opozita e moderuar siriane përfundimisht të mos ketë në kontroll asnjë pjesë të rëndësishëm të territorit sirian, madje jo vetëm kaq, por një realitet i tillë dobëson, për të mos thënë i shuan, kërkesat e opozitës në bisedime për të ardhmen e Sirisë! Megjithatë marrëveshja e arritur ndërmjet Rusisë dhe Turqisë në Soçi (shtator) pa dyshim se është një mundësi për të parandaluar ofensivën ushtarake ruso-siriane kundrejt provincës së Idlibit. Në bazë të kësaj marrëveshje, policia ushtarake ruse dhe trupat turke do të patrullojnë bashkërisht si dhe do ta mbikëqyrin krijimin e një zone të demilitarizuar, pra një zone tampon prej 9 deri 15 miljesh, formimi i së cilës pritet të finalizohet më 15 tetor, kjo me qëllim që t’i mbajë të ndara linjat e kryengritësve dhe qeverisë siriane.

Marrëveshja, po ashtu, parasheh që grupet ekstreme të tërhiqen nga zona e demilitarizuar drejt veriut, ndërsa rebelët e mbështetur nga Turqia ta largojnë armatimin e rëndë nga zona. Eksperti rus për çështjet e Lindjes së Mesme, Leonid Issaev, konstaton se kjo marrëveshje është larg idealit, por është më e mira sesa të gjitha opsionet tjera. Një qëndrim identik e kishte edhe Lina Khatib nga think tank-u i njohur britanik Chatham House (The Washington Post).

Fakti që marrëveshja ruso-turke parandaloi ofensivën e regjimit ndaj Idlibit e me këtë edhe një krizë të re refugjatësh drejt Turqisë, por edhe vendeve të BE-së, natyrshëm që përfitues kryesor i saj është Turqia! Me arritjen e një gjuhe të përbashkët me SHBA-të, për patrullime të koordinuara në qytetin e Munbixhit – qytetit verior sirian – dhe tani me Rusinë për çështjen e Idlibit, s’do mend se ky është një sukses i jashtëzakonshëm i diplomacisë turke.

Në anën tjetër, Rusia, përmes marrëveshjes, arriti që të shmangë një konfrontim ushtarak të drejtpërdrejt me Turqinë – në pikat ku ushtria turke monitoronte armëpushimin që nga viti i kaluarnë bazë të procesit të Astanës, e me këtë edhe të prishë marrëdhëniet e saj me Ankaranë. Në këtë rast, pra, Rusia nuk e sakrifikoi partneritetin me Turqinë.

Rusia, nëpërmjet marrëveshjes, i reduktoi shanset që qeveria siriane të përdorë armë kimike kundër forcave rebele në Idlib, gjë që ndoshta do të rezultonte me sulme ushtarake të SHBA-ve –të cilët e kishin paralajmëruar regjimin në fillim të shtatorit, ashtu siç ndodhi në prill të këtij viti dhe vitit të kaluar!

Çështja e Idlibit, për Rusinë, u shndërrua në një problematikë, e cila nuk bart vetëm karakterin e çështjes së brendshme të Sirisë, porse edhe një tematikë me konsekuenca rajonale e ndërkombëtare! Ndërkaq marrëveshja ndërmjet Rusisë dhe Turqisë nxori në pah edhe një fakt tjetër, atë të neglizhimit të faktorit iranian. Duket se tani rusët, në çështjen siriane, duke mbajtur në lojë Turqinë, arrijnë që të kundërpeshojnë rolin iranian në betejën siriane! (Burhanettin Duran).

Përmes mbajtjes së Iranit nën kontroll, Rusia bën të mundur që të frenojë edhe veprimet ushtarake të Izraelit në Siri, veprime këto që kanë për qëllim caqet iranaine, por që aksidentalisht mund të vijë në një konfrontim me trupat ruse, e si rrjedhojë të lëkundë marrëdhëniet e Rusisë me Izraelin! Rrëzimi i aeroplanit rus, që solli vdekjen e 15 anëtarëve të ekuipazhit, është një dëshmi e kësaj. Por, dëmtimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve me gjasë është një akt i padëshirueshëm si për Rusinë ashtu edhe për Izraelin. Kjo mund të shihet edhe nga tonet zbutëse të palës ruse dhe asaj izraelite në ditët e para të rrëzimit të aeroplanit. Presidenti Putin, në deklaratën e tij lëshuar pas kësaj ngjarje, rastin e quajti, “…tragjik.. sepse aeroplani izraelit nuk e ka rrëzuar aeroplanin tonë”, ndërsa në anën tjetër nga zyra e kryeministrit Netanjahu deklaruan se: “Kryeministri shprehu keqardhje në emër të shtetit të Izraelit”, ndërsa “…përgjegjësia për rrëzimin e avionit u vendos në Siri”, duke aluduar në aktivitete ushtarake të Iranit dhe “…përpjekjet për t‘i transferuar Hizbullahut armë vdekjeprurëse kundër Izraelit”. Gjithashtu në deklaratën IDF-it – Forcave Mbrojtëse Izraelite thuhet se: “Izraeli mban Iranin dhe organizatën terroriste të Hezbollahut përgjegjës për këtë incident..”. Pra, edhe gjatë këtij aksidenti ndërmjet Izrealit dhe Rusisë, faji u hodh diku tjetër!

Marrëveshje e Soçit dëshmoi se në skenarin sirian për Rusinë, Turqia konsiderohet partneri më kredibil rajonal, jo vetëm për situatën aktuale, por edhe për të ardhmen siriane. Marrëveshja e arritur aktualisht ndaloi një katastrofë të vërtete humanitare, por në asnjë rast kjo nuk nënkupton që në një periudhë afatgjate mund të ofrohet garanci, nga cilado palë qoftë, që marrëveshja e tillë do të mund të zbatohet në terren, kjo për faktin e thjeshtë se është i paqartë qëndrimi i grupeve ekstreme radikale ndaj marrëveshjes dhe nëse opozita do të pajtohet që të çarmatoset. Gjithsesi, për këto do të dëshmojë koha.