` . Idlib, pavarësisht armëpushimit vriten 50 civilë, migrojnë mbi 31 mijë persona - TV-SHENJA

Idlib, pavarësisht armëpushimit vriten 50 civilë, migrojnë mbi 31 mijë persona

Pavarësisht armëpushimit të shpallur në Idlib të Sirisë, regjimi i Assadit, grupet terroriste të mbështetura nga Irani dhe Rusia vazhdojnë sulmet.

Që nga 12 janari, kur u shpall armëpushimi, në sulme janë vrarë 50 civilë ndërsa 31.500 të tjerë janë zhvendosur nga vendet e tyre.

Sipas të dhënave që Grupi i Koordinimit dhe Reagimit në Siri ka shpërndarë me Anadolu Agency (AA), që nga 12 janari kur është shpallur armëpushimi në zonën e de-eskalimit të Idlibit, Rusia ka kryer 232 sulme ajrore ndërsa regjimi i Assadit 89.

Në sulme janë shënjestruar 2 shkolla, 2 qendra të Mbrojtjes Civile dhe një qendër strehimi.

Si pasojë e sulmeve të regjimit të Assadit, grupeve terroriste të mbështetura nga Irani dhe Rusia, kanë humbur jetën gjithsej 50 civilë nga të cilët 13 fëmijë, 3 gra dhe një punonjës i Mbrojtjes Civile.

Ndërkohë numri i personave që kanë migruar në kampet në afërsi të kufirit me Turqinë si dhe zonat e çliruara nga operacionet “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit”, ka arritur në 31.500.

Rusia ka njoftuar zbatimin e armëpushimit nga pasdita e 9 janarit, por sulmet tokësore të regjimit dhe grupeve terroriste të mbështetura nga Irani kishin vazhduar.

Më pas, Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe ai rus Vladimir Putin gjatë takimit në Stamboll më 8 janar kanë rënë dakord që armëpushimi të fillojë nga mesnata e 12 janarit, por regjimi sërish ndërmori sulme ajrore ndaj vendbanimeve civile.

Gjatë takimit të Turqisë, Rusisë dhe Iranit në maj të vitit 2017 në Astana të Kazakistanit, Idlibi u shpall zonë e deeskalimit, ku aktet e agresionit do të ndaloheshin.

Turqia dhe Rusia arritën një marrëveshje shtesë në shtator të vitit 2018 në Soçi si pasojë e shkeljes së armëpushimit nga ana e regjimit sirian.

Megjithatë, forcat e regjimit me ndihmën e mbështetësve i kanë vazhduar sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes. Që nga ajo datë, mbi 1.600 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve.

Rusia, regjimi dhe terroristët e mbështetur nga Irani, vetëm nga fillimi i vitit 2019 kanë shkaktuar migrimin e rreth 1.3 milionë civilëve në afërsi të kufirit me Turqinë.