` . Ideologjia e terrorit - TV-SHENJA

Ideologjia e terrorit

Shkruan: Latif Mustafa

Ideologjia, në përgjithësi, ka të bëjë me format e ndryshme të vetëdijes shoqërore, e cila është formësuar nga tradita, kujtesa kolektive politike, kulturore dhe fetare. Ideologjia është shtrembërim i kalkuluar, që e instrumentalizon një klasë të caktuar të shoqërisë nga një kastë tjetër shoqërore, e cila e prodhon vetë ideologjinë, përfshirë këtu edhe pushtetin. Përcaktimi i një ligjërimi ose diskursi shndërrohet në ideologjik kur një shtresë partikulare e shoqërisë i interpreton interesat e veta si interesa të përgjithshme dhe universale dhe shpesh këta ideologë ose prodhues të ideologjisë lëvizjet shoqërore përgjatë historisë i paraqesin të kolektivizuara nga ideologjia si shtytëse dhe forcë lëvizëse e historisë, në vend të frymës dhe vullnetit të individëve në vete.

Në këtë kontekst, ideologjia e fesë nënkupton instrumentalizimin e fesë, shtrembërimin dhe interpretimin partikular për interesa të ngushta grupore, politike dhe ekonomike. Ideologjia e terrorit është forma e zhvillimit të një diskursi publik, për të formësuar vetëdijen shoqërore mbi idenë e dëmtimit dhe zhdukjes fizike të individëve si formë legjitime dhe normale për qëllime politike dhe ekonomike. Por, manifestimet e formave të kësaj “vetëdijeje terrori” paraqiten në tri forma kryesore: në formën e ushtrimit psikologjik imponues nga ideologë të caktuar; në formën a akceptimit aktiv apo vepruesit dhe formës pasive të akceptuarit ose pësuesit, në këtë rast pësuesit të terrorit.

Një ndër format e kultivimit të terrorit si ideologji është vetë historia. Studiuesit tregojnë se terrori për herë të parë u bë politikë shtetërore gjatë periudhës së Revolucionit Francez, kryesisht gjatë vitit 1793, kur Maximilien Robespierre, një ndër personat më të fuqishëm jakobin, shpalli terrorin si mekanizëm zyrtar për themelimin e Republikës dhe luftimin e armiqve të revolucionit, me ç’rast në nivel të Francës, përfshirë edhe Parisin, dënohen me vdekje mbi 16 mijë veta. Roberspierre shprehet se baza e qeverisë popullore në paqe është virtyti, kurse gjatë Revolucionit baza e saj është virtyti dhe terrori. Virtyti pa terror është i pafuqishëm, kurse terrori i vetëm, pa virtyt, është vrasës. Terrori është më tepër se një drejtësi infleksibile. Pra, terrori lind së bashku me shtetin komb. Sidoqoftë, koncepti, por edhe vetë ushtrimi i terrorit, edhe pse ndryshon në formë dhe masivitet, esenca e tij mbetet e njëjtë – vrasja e njerëzimit.

Dekadën e fundit kemi të bëjmë me një ideologjizim të dyfishtë të terrorit ose kemi të bëjmë me “Islamizimin e terrorit”. Islamizimi i terrorit nënkupton formën e instrumentalizuar të një vetëdijeje të shtrembëruar mbi Islamin, e cila instrumentalizohet përmes legjitimimit të shfarosjes fizike njerëzore. Për më tepër, ky koncept nënkupton ndërlidhjen e paradigmës së Islamit politik me fundamentalizmin, këtë me radikalizmin e dhunshëm e këtë me terrorizmin. Sado që të duken terme sinonime, ato dallojnë prej njëra-tjetrës, si në shtrirjen ontologjike, por edhe fenomenologjike.

Kjo gjendje i ka krijuar dy lloje apologjish: apologjinë politike të laicitetit republikan, shprehur në termet e Taylor dhe Maclure, i cili në emër të emancipimit ngushton edhe e margjinalizon lirinë e ndërgjegjes fetare në sferën private të individit, ndërsa apologjia tjetër është apologjia teologjike kundrejt terrorizmit, e cila konsiston në kërkesën e shtrirjes, zhvillimit dhe publikëzimit të religjionit. Në trojet shqiptare, meqë hoxhallarët kanë qenë nën presionin e margjinalizimit republikan laik, si pjesë e fushatës kundër terrorit, ata e kanë politizuar diskursin teologjik, me qëllim të shprehjes së indinjatës së tyre për Islamin si fe të “publikes” dhe jo privates njerëzore. Sado që ky diskurs “teologjik i politizuar” është interpretuar nga disa medie si diskurs i “islamizuar politikisht” dhe është tentuar të lidhet me terrorizmin dhe ideologjinë e terrorit, duhet dalluar mirë diskurset teologjike me nuanca politike/publike dhe diskurset islamiste.

Kontributi i ligjëruesve fetarë për të dekonstruktuar “ideologjinë e terrorit” do të ishte në interpretimin e fesë si çështje private, kurse morali të interpretohet si çështje publike. Përjetimi fetar është subjektiv, kurse veprimi etik është inter-subjektiv, pra në raport me tjetrin. Shqiptarët duhet të orientohen në vetëdijen për moralin dhe manifestimin etik në publik sesa manifestimin religjioz në hapësirën publike. Deideologjizimi ose dekonstruksioni i ideologjisë së radikalizmit të dhunshëm, ideologjisë së terrorit, vjen si rezultat i mishërimit të etikës si çështje publike, si baza dhe esenca e veprimit politik dhe respektimi i lirisë së ndërgjegjeve të komuniteteve si interes i përgjithshëm shoqëror e jo partikular ose i një shtrese të caktuar shoqërore. Zhvillimi i një diskursi fetar më përbrendësues do t’i kontribuonte zhvillimit dhe zgjerimit të debatit mbi përgjegjësitë shoqërore të individit dhe, mbi të gjitha, një regjim më pluralist-liberal, duke e pranuar principin e domosdoshmërisë së akomodimit të ushtrimit të së drejtës fetare për aq sa principi i respektit të barabartë nuk do të komprometohet, do të ndikonte në ruajtjen e jetës njerëzore dhe çmimin e saj.

(Editoriali i Revistës SHENJA)

Postime të Ngjajshme