` . Identiteti shqiptar është ndërtuar para të majtës dhe të djathtës – TV-SHENJA

Identiteti shqiptar është ndërtuar para të majtës dhe të djathtës

Intervistoi: Latif Mustafa

Hysamedin Feraj është me prejardhje nga Gjakova, por që një kohë të gjatë jeton në Tiranë. Për arsye se ka qenë aktiv në lëvizjet e vitit 1981 dhe është ndjekur nga shteti jugosllav, ai ka kaluar në Shqipëri. Ka specializuar për shkenca politike dhe filozofi politike në Universitetin e Bernit dhe të Zyrihut. Në vitin 1997 ka doktoruar me temën “Mendimi politik shqiptar nga viti 1995-1990”.

Ai ka shkruar disa libra si: “Hyrje në shkencat politike”, “Kriza e përkryer në Shqipëri”, “Pamundësia e kozmopolitizmit shqiptar”, kurse në opinionin e gjerë dhe atë akademik më së shumti njihet me librin e tij “Skicë e mendimit politik shqiptar” të botuar edhe nga Shtëpia Botuese “Logos-A” nga Shkupi. Krejt së fundi, ai ka botuar librin e tij “E pafilozofuara”, në të cilën ka shprehur, në një përmbledhje, eksperiencën e tij vëzhgimore dhe konceptuale për një mundësi sendërtimi teorik të qenies shqiptare. Ka punuar një kohë të gjatë si ligjërues në Universitetin e Tiranës dhe momentalisht është ligjërues në Universitetin Europian të Tiranës.

Gjatë viteve 1991-1993 ka qenë nënkryetar i Shoqatës Atdhetare Patriotike “Kosova” në Tiranë, ka punuar si kryeredaktor në revistën “Kosova” dhe aktivist politik për rrëzimin e sistemit politik enverist dhe në përpjekje për të ndërtuar një shoqëri dhe shtet më demokratik të Shqipërisë. Po ashtu ka qenë aktiv edhe në përpjekjet për pavarësimin e Kosovës dhe çlirimin e saj. Në vitet 1996-2008 ka qenë në partinë Rimëkëmbja Kombëtare Shqiptare dhe nga viti 2008 është mbështetës aktiv i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

SHENJA: Profesor, a është shkak dominimi pesëdhjetëvjeçar i enverizmit dhe titizmit tek shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, arsye e mungesës së ideologjisë politike?

  1. FERAJ: Më shumë them se mungesa e ideologjisë politike është rrjedhojë e përpirjes së saj, në ecurinë e modernes, nga ekonomikja. Po të lëmë anash format e ndryshme të konservatorizmit kulturor, ideologjitë kryesore të modernes kanë qenë liberalizmi dhe socializmi. Fillimisht, në sajë teorive prej të cilave vijnë, të dyja në qendër e vënë njeriun si qenie e supozuar e lirë dhe kërkojnë mënyrat e organizimit të marrëdhënieve personale e shoqërore sipas lirisë. Megjithatë ngadalë, por vendosmërisht, në qendër u vendos ekonomia dhe ideologjitë u identifikuan sipas qëndrimit ndaj pronës dhe tregut: si do të organizohej prona dhe ekonomia që njeriu të realizonte lirinë? Ngadalë, por vendosmërisht, bashkë me këtë, vendin e njeriut të lirë e zuri njeriu i supozuar egoist dhe tregtar, domethënë njeriu ekonomik. Që këtej figura sociale e secilës, përkatësisht kapitalisti dhe proletari, u përshkruan si tregtar dhe konflikti ndërmjet tyre si konflikt mes tregtarësh, të njëjtës: proletari përpiqet ta shesë më shtrenjtë mallin që e ka, fuqinë e vet punuese; kapitalisti përpiqet t’ia blej më lirë proletarit mallin që ky e shet.

Pronësia truall e çdo prone tjetër u supozua pronësia e individit mbi trupin e vet; prandaj mbi çdo lëndë të parë a produkt natyror mbi të cilën është ushtruar ndonjë veprim i njeriut, me këtë veprim (punë) i është kaluar diçka nga trupi i personit veprues. Prej këtej punën e mëtutjeshme e bën lehtësisht ideja e vjetër se krijuesi është pronar me të drejtë mbi krijesën e tij: Zoti mbi gjithë krijesat e tij, prindërit mbi fëmijët, zanatçinjtë mbi produktin. Njeriu i lirë është reduktuar në trupin e determinuar: në nevojat dhe në aftësitë e tij për punë fizike-prodhuese (krah) dhe për punë krijuese-shpikëse (tru). Mbi këto pajtime si truall është ngritur mospajtimi ndërmjet ideologjive: sipas (neo)liberalëve, në formën e rishpërndarjes punëtori e shfrytëzon aftësinë krijuese të kapitalistit; sipas socialistëve, në formën e mbivlerës, kapitalisti e shfrytëzon punën e krahut të punëtorit. Historia e konflikteve, shpesh të përgjakshme ndërmjet këtyre ideologjive, historia e argumenteve dhe kundër argumenteve të tyre është e njohur për të gjithë; ndërsa historia e pajtimit është më pak e njohur, por është më e rëndësishme për njeriun dhe botën që kemi si rrjedhojë.

Veç njeriut, dy ideologjitë kryesore e kanë reduktuar në ekonomi shtetin. Liberalët mëtojnë se kanë një teori të ekonomikes, atë të tregut të lirë të Adam Smith-it. Mirëpo, nga njëra anë, ndërmjet liberalizmit politik dhe liberalizmit ekonomik (të tregut) nuk ka asnjë lidhje logjike të domosdoshme; nga ana tjetër, liberalizmi politik, i teorizuar për ta mbrojtur njeriun e lirë nga tregu (plus nga individët e tjerë dhe nga populli), ka përfunduar në nënshtrimin ndaj ekonomisë dhe tregut. Socialistët nuk kanë teori ekonomike, por, nga njëra anë, mëtojnë se atë e zëvendëson forca fizike dhe planifikuese e shtetit; nga ana tjetër, duke e shtetëzuar ekonominë përfunduan në ekonomizimin e shtetit, për çka me dështimin e “ekonomisë socialiste” përfunduan në dështimin e shtetit dhe të gjithë projektit të tyre shoqëror.

Ngjashëm, të dy ideologjitë kryesore e kanë reduktuar në njeri ekonomik qytetarin politik. Ndër të tjera ky reduktim e tregon veten si zhvendosje në fjalë, siç konstaton shpesh Elvis Hoxha, në zhvendosjen nga “jeta e mirë”, për të cilën flasin filozofët antik në “mirëqenie” dhe rritjen e mirëqenies së masave, për të cilën flasin liberalët dhe socialistët modernë. Për Aristotelin, qëllimi i politikës dhe shtetit është jeta e mirë; për ideologjitë moderne është mirëqenia. Zhvendosja duket e vogël, por ka domethënie të madhe zbuluese për gjendjen e sotme.

Ecuri të tilla të mendimit janë shkak i mungesës së ideologjive politike sot, jo vetëm ndër shqiptarët, por në shkallë botërore. Kjo gjendje e botës sigurisht nuk na legjitimon neve si shqiptarë, ashtu si nuk e legjitimon as vetë botën. Në situatë të tillë nuk ka qenë i vështirë zëvendësimi i gjuhës së socializmit me gjuhën e liberalizmit, të ekonomisë dhe të tregut, ndërkohë që psikologjia dhe praktikat e zbatimit të këtyre mbeten masivisht ato të mësuara nga praktikat titiste, enveriste dhe tradicionale shqiptare.

SHENJA: Në ligjëratat tuaja, e sidomos në librin tuaj të fundit, ju mbroni qëndrimin se shqiptarët janë një popull ateorik. Si reflekton ateoriciteti në ndërtimin e filozofisë politike?

  1. FERAJ: Shpërfillja për teoritë nuk lejon ndërtimin e teorive filozofike ose, thënë ndryshe, e varfëron njeriun dhe njerëzimin, sepse një nga pajisjet dhe pasuritë natyrore të njeriut e të njerëzores është aftësia e mendimit teorik, ndër të cilët e abstraktes, e reflektimit dhe e spekulimit filozofik. Nga pasuria shpirtërore e mendore e njeriut, ateorizmi ka hequr diçka: ka hequr këtë element dhe kjo heqje shënon pakësim, varfërim të asaj çka është karakteristike për njerëzoren dhe që i mundëson realizime të rëndësishme praktike.

Një rrugë e ateorizimit të një popullsie ose të një epoke është ideologjia. Përgjithësisht ideologjitë janë degradim i teorive, ndër të tjera, ngase ideologjitë përpiqen ta thjeshtojnë teorinë në rregulla të thjeshta, “të kuptueshme për masat ose votuesit”. Gjatë këtij procesi të thjeshtimit e humbin pikënisjen e tyre teorike dhe duket si fatalitet i tyre me qenë, po të përdor karakterizimin e Marksit, “paraqitje e përmbysur e realitetit”. Disa nga këto janë përmbysja e filozofisë së njeriut si qenie e lirë në njeriun si qenie e determinuar egoiste, e jetës së mirë në mirëqenie, e qytetarit në tregtar etj. Në trajtën radikale këtë përmbysje e shohim në shprehjen e Enver Hoxhës se “bar do të hamë, por parimet ideologjike, parimet e marksizëm-leninizmit nuk do t’i shkelim”. Këtu manifestohet një nga përmbysjet më radikale, por edhe më paradoksale dhe karakteristikë për ideologjitë, jo vetëm të kësaj ideologjie: në vend se ideologjitë të jenë në shërbim të njeriut e të njerëzores, njeriu dhe njerëzorja vihen në shërbim të ideologjive. Kjo na zbulon po ashtu se për t’u kthyer në qenie barngrënëse, qenia njerëzore e ka të nevojshëm ndërmjetësimin e ideologjisë.

SHENJA: Meqë edhe ideologjia ndërtohet mbi një teori të caktuar, si mund të konceptohet një “subjekt teorik i paideologjizuar”?

  1. FERAJ: Subjekti teorik, për sa është teorik, është vetiu i paideologjizuar. Përtej kësaj, çdo teoricien mundet të jetë i ideologjizuar, sepse përtej specialitetit të vet teorik është i përfshirë në shumë fusha të tjera që shpesh i njeh dhe pranon të ndërmjetësuara ideologjikisht. Ashtu siç i karakterizova ideologjitë, si thjeshtim i teorive, nuk janë pa asnjë rol të dobishëm kah teoritë dhe për teoritë. Edhe teoritë më neutrale ideologjikisht, për shembull teoritë matematike, astronomike, fizike etj., thjeshtohen për t’u kuptuar nga “masat”, “votuesit”, nxënësit, etj. Thënë ndryshe, një degradim, një ulje për qëllime heuristike e nivelin të ndërlikimit të teorive, mundet me qenë i nevojshëm për shkak të mënyrës si përparon truri dhe mendja njerëzore. Prandaj, brenda kufijsh të caktuar nuk ka ndonjë të keqe të pashmangshme në faktin se fëmijëve ose foshnjave nuk u mësohet që në fillim matematika e lart teorike, teoria e relativitetit në gjithë kompleksin e saj, në aksiomat matematike që supozon, në ekuacionet e ndërlikuara, nëpërmjet të cilëve është arritur etj. Mirëpo, nuk është njerëzore nëse njohja nuk shtrihet asnjëherë përtej këtij niveli, nëse kufiri i njohjes ngulitet në nivelin foshnjor dhe njeriu mbahet me këmbëngulje (ideologjike) në këtë nivel. Problemi i madh lind kur, po të përdor një shprehje të Lyotard-it, ideologjia bëhet “imperialiste”, kur ideologjia mëton se është vetë teoria (prej të cilës vjen), kur e zëvendëson teorinë, kur nuk reflekton për filozofinë e vet, sepse mëton të jetë vetë filozofia.

Këtu ndeshim në problemet strukturorë: ndërmjetësimi ideologjik i teorive i vendos ideologjitë dhe ideologët më afër sasive njerëzore, rrjedhimisht sasitë njerëzore ndjehen më të afërta me ideologët dhe ideologjitë, me thjeshtimin dhe degradimin teorik. Kësaj i shtohet puna e ideologëve: duke u vendosur ndërmjet teorikëve dhe sasive njerëzore, ideologët përpiqen ta shkëpusin plotësisht lidhjen ndërmjet tyre, krijimin, mundësisht, të një popullate tërësisht ateorike. Rrjedhoja është thjeshtimi dhe degradimi i vetë popullatës ateorike. Një rrugëdalje e njohur është modeli i arsimimit: sado që nis me thjeshtime, secilën herë e më shumë ngrihet kah teoritë, edhe më të ndërlikuarat, më abstraktet, më spekulativet. Nga ana tjetër, secili person njerëzor, për të qenë më i plotë, duhet të përpiqet të ngrihet përtej ideologjive, të shkojë kah trualli i vetë këtyre, kah teoria. Në fund, secili duhet të përpiqet të dëgjojë më shumë teoricienët sesa ideologët.

SHENJA: Cilat mund të jenë karakteristikat konceptuale që mund ta përcaktojnë një lëvizje politike shqiptare si të majtë dhe një tjetër si të djathtë?

  1. FERAJ: Mbas gjithë çka thashë nuk është e vështirë të parashikohet se përcaktimet e tilla nuk kanë ndonjë rëndësi për mua dhe prandaj as nuk e shoh të rëndësishme dhe as nuk di t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Di se një propozim politik nuk duhet mbështetur vetëm pse është i djathtë ose vetëm pse është i majtë. Së paku nga unë nuk pritet asnjë besnikëri ndaj ideologjive. Një propozim politik e mbështes ose e kundërshtoj në varësi nëse është njerëzore ose e dobëson njerëzoren, qoftë te një person, grup, kolektivitet ose universalisht. Sigurisht në traditën e deritashme dhe në situatën e sotme të punëve njerëzore e majta ka meritën e ruajtjes së ndjeshmërisë ndaj fatkeqëve, të paprivilegjuarëve, të varfërve etj., dhe i bashkohem kësaj ndjenje. Nga ana tjetër, e djathta ka meritën e intelektit dhe racionalitetit për zhvillime që i rrisin mundësitë për pakësimin e fatkeqësive, të varfërisë, etj., ndonëse jo të hendekut ndërmjet të privilegjuarve dhe të paprivilegjuarve në terma relativë dhe përpiqem t’i bashkohem këtij racionaliteti.

SHENJA: Me gjithë pretendimet për profilizime në të djathtë, të qendrës dhe të djathtë, të partive politike shqiptare në hapësirat shqiptare, a mendoni se partitë politike shqiptare, në përgjithësi, u qëndrojnë besnike profilizimeve të tyre?

  1. FERAJ: Me aq sa i njoh shqiptarët dhe, rrjedhimisht, partitë politike shqiptare nuk karakterizohemi as nga besnikëria ndaj ideologjive. Pabesia shqiptare ndaj ideologjive vjen nga një degradim i mëtejshëm i vetë ideologjive në instrumente pushteti ekonomik. Them ekonomik, sepse edhe pushteti politik shihet në varësi dhe instrument i rritjes së pasurisë në terma ekonomik. Në masën më të madhe shqiptarët janë njeriu ekonomik, homo economicus par axcellane. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse nuk kemi pasur asnjë teori ekonomike dhe asnjëherë ekonomi të zhvilluar. Me fjalë të tjera, pabesia shqiptare ndaj ideologjive nuk është teorike dhe kah teoria, por nëse vetë ideologjitë janë degradim i teorive, pabesia shqiptare ndaj ideologjive është degradim i mëtejshëm i vetë ideologjive në praktika të pandjeshme dhe irracionale të mbijetesës shtazore-biologjike.

SHENJA: Meqë keni analizuar dhe keni shkruar për filozofinë politike të rilindësve kombëtarë, edhe pse kanë vepruar në rrethana të tjera historike, pa përjashtuar vlugun ideologjik që ato ndodheshin dhe përkatësitë fetare të tyre, përshkruar me konceptet e sotshme të së majtës dhe të djathtës, në cilin kamp do t’i radhisnit ato?

  1. FERAJ: Më duket se do të ishte njëfarë dhunimi i rilindësve të tkurren aq sa të futen në ndonjërin prej këtyre sirtarëve të ndërtuar më parë dhe arbitrarisht për ta. Mendimi i rilindësve është më i pasur sesa e lejon teknika e shtratit të Prokustit ideologjik në konceptet e sotëm të së djathtës dhe të majtës.

SHENJA: Cila nga ideologjitë politike e ka ndërtuar dhe formësuar identitetin shqiptar më shumë deri në ditët e sotme, e majta apo e djathta?

  1. FERAJ: Identiteti shqiptar është ndërtuar dhe formësuar para të majtës dhe të djathtës, qoftë shqiptare ose botërore. Por, sjelljet me këtë identitet i ka ndikuar më shumë ideologjia e majtë, për shkak të zotërimit për një kohë më të gjatë dhe më intensive të sistemit të socializimit jashtë familjes.

SHENJA: Nëse pesëdhjetë vitet e fundit shqiptarët e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës kanë jetuar dhe vepruar politikisht në kontekste të ndryshme, a mendoni se secili shtet po krijon një identitet të veçantë shqiptarie?

  1. FERAJ: Lidhur me këtë pyetje vazhdoj të mbetem në përgjigjen që iu kam dhënë të huajve shumë vite më parë, kur interesoheshin nëse, për arsyet që përmendni, mund të jenë krijuar largësi të rëndësishme mes pjesëve të kombit: “Eh, sikur të ishte kështu! Sikur ndonjë prej pjesëve të ishte më mirë së tjetra, sepse kështu mund të tërhiqte drejt të mirës pjesët e mbetura pas”. Për më tepër, pjesët që përmendni nuk kanë jetuar në sisteme dhe nën ideologji që ishin shumë të largëta, por nën sisteme dhe ideologji që ishin nuanca të së njëjtës: në socializëm. Po ashtu, sado që dukeshin të mbyllur, kufijtë e ideve brendashqiptare ka qenë shumë porozë dhe kanë depërtuar gjerësisht te pjesët e kombit shqiptar në shtete të ndryshëm. Hobsbaum-i argumenton se kombet mund të ndryshojnë vrullshëm identitet. Mirëpo, përfundimi që ai do të nxjerrë së këtejmi për brishtësinë e kombit nuk qëndron, sepse kur ky ndryshim ndodh njëkahshëm dhe gati njëkohshëm, përjetohet si një tjetër përvojë e përbashkët dhe, rrjedhimisht, i forcon lidhjet kombëtare. Për shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi etj., ndryshimi i synuar nga qeveritë ka qenë themelisht në të njëjtën kahje dhe përgjatë së njëjtës kohë: vlerat e luftës nacionalçlirimtare, vëllazëria ndërmjet kombeve, internacionalizmi proletar, ndërtimi i shoqërisë socialiste dhe, në fund, të asaj komuniste, përkrahja e lëvizjeve revolucionare nëpër botë, laicizimi i shoqërisë dhe epërsia e shkencës ndaj fesë, etj., etj. me fjalë të tjera, uniteti ideologjik ka qenë shumë më i gjerë dhe më i fortë sesa hapat konkrete e ditore për realizimin e tyre. Çështja e largimit kombëtar do të ishte më me interes të njihet për shqiptarët që kanë mbetur në Greqi, në sistemin kapitalist, nën diktaturën e kolonelëve, në bllokun perëndimor, etj., por për këtë nuk mundem të them ndonjë gjë të sigurt. Fakt është se empirikisht nuk konstatoj ndonjë dallim të madh në aspekt kombëtar ndërmjet shqiptarëve që kanë jetuar tash gjysmë shekulli në perëndim dhe, prandaj, aq më pak pritet të ketë dallime ndërmjet shqiptarëve që kanë jetuar këtu.

Unë vetë e dëshiroj shumë një ndryshim të shqiptarëve, një çlirim nga të qenët të determinuar prej instinktit të mbijetesës që është shtysë primare e botës së gjallë për të ecur drejt shqiptarit politik dhe etik. Një ndryshim i tillë, i bërë kolektivisht, si përvojë e përjetuar bashkërisht, nuk e zhbën por e forcon identitetin shqiptar, sepse është vendimi dhe veprimi ynë, edhe sikur të mos mbetet ndonjë gjë e madhe nga ai tradicional.

SHENJA: Kohëve të fundit religjioni është kthyer prapë në skenën botërore, njashtu edhe te shqiptarët. Sado që i zbehtë mund të jetë dhe në mungesë të hulumtimeve sociologjike mbi religjiozitetin te shqiptarët, si mund të krijohet një filozofi politike shqiptare duke e lënë religjiozitetin e shqiptarëve në plan të dytë dhe në të njëjtën kohë të harmonizuar me vetë shqiptarizmin!?

  1. FERAJ: Në kushtet e njohurive të mia të sotme për shqiptarët them se të dyja, religjioziteti dhe politikja, tradicionalisht mes shqiptarëve kanë qenë në plan të dytë përballë instinktit të mbijetesës pa ndonjë moralitet publik, politik. Për çka jam angazhuar është lirimi i shqiptarëve nga determinimi prej instinktit dhe vetëvendosja në botën e njeriut si qenie e lirë. Ndërtimi, së këndejmi, i një filozofie e bën këtë njëkohësisht filozofi politike, shqiptare dhe tejshqiptare. Sa i përket religjiozitetit, esencialisht e shoh si që nuk i përket publikes dhe politike. Publikja dhe politikja kanë në qendër njeriun dhe marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Marrëdhëniet fetare i shoh si marrëdhënie ndërmjet njeriut dhe Zotit, rrjedhimisht si marrëdhënie që nuk u përkasin njerëzve njëri me tjetrin dhe prandaj as publikes dhe politikes të kësaj bote, ndonëse në këtë botë si udhëtim drejt tjetrës.

Sajë këtij udhëtimi në këtë botë drejt tjetrës, ashtu si ideologjitë në raport me teoritë, fetë përmbajnë mundësinë dhe realitetin e degradimit në ideologji; si ideologji të përfundojnë në përmbysjen e truallit të tyre nëpërmjet thjeshtimeve që ta bëjnë fenë “të kuptueshme për masat e besimtarëve”, etj. Një manifestim i kësaj përmbysjeje është prodhimi i njeriut egoist që legjitimon çdo veprim në këtë botë me qëllimin e vetëm egos-it t’i siguroj vetes parajsën; një tjetër është përmbysja, siç e konstatonte herët bashkëbiseduesi im i këndshëm teologjik, z. Sulejman Çerekezi, i raportit të njeriut me Zotin në të gjitha përpjekjet që njeriu t’i shërbejë mbrojtjes së Zotit. Pikënisja e feve kryesore është se Zoti e ndihmon njeriun dhe i shërben nëpërmjet udhëzimeve (në librat e shenjtë) se si të jetojë më i lumtur edhe në këtë botë, ndërsa ideologjia fetare e përmbysë këtë sikur Zoti ka nevojë ta mbrojmë në këtë botë nga mosbesimtarët ose besimtarët e gabuar. Sigurisht një Zot kaq i brishtë nuk do të ishte fare Zot. Por, dihet se ky është vetëm legjitimimi i rremë, që ideologu fetar iz ofron egoizmit të tij për të shkuar në parajsë etj.

Ashtu si në ideologjitë e tjera një rrugëdalje prej këtij degradimi ideologjik mbetet ruajtja e lidhjeve me teorinë, në këtë rast me teorinë fetare, nga përmbysjet dhe keqpërdorimet ideologjike të fesë dhe të vetë Zotit. Së këtejmi një filozofi politike nuk e ka të nevojshme të vë në plan të dytë as të parë besimin fetar, sepse feja dhe politika iu përkasin raporteve të ndryshme të njeriut në botë. Një filozofi politike shqiptare do të ishte një filozofi që i sjellë shqiptarët pranë universalit dhe universalin e konkretizon te shqiptarët, një filozofi e plotë, në kuptimin se nuk mbetet në abstraksione universale që nuk konkretizohet në asnjë grup a person njerëzor dhe as e mbyllur në egon individuale të boshatisur nga çdo universal.