` . Hunting Flies - në mes fiksionit dhe realitetit - TV-SHENJA

Hunting Flies – në mes fiksionit dhe realitetit

Shkruan: Latif Mustafa

Artistët janë përkujtuesit më të mirë të subjektit dhe individualitetit njerëzorë, me ç’rast individët nga margjinat i tërheqin zvarrë në qendër dhe gjatë kësaj zvarritje skenike dhembjen s’ka si mos ta ndjej edhe publiku, përpos që është emocional shpesh është edhe pasiv.

Këtë gjë, ditke ta bëjë edhe miku im, kolegu im Burhan Hamiti. Pas një ftese që më bëri për hapjen e festivalit të filmit ndërkombëtar “tifo ODA”, pata nderin që të marr pjesë dhe të shoh filmin, “Hunting Flies” film ky i realizuar nën udhëheqjen e Izer Aliu, në të cilin protagonist ishte kolegu Burhan.

Nuk jam i zoti të bëj kritikë filmi e aq më tepër të përshkruaj ndjenjat, emocionet por edhe komentin me syrin e një shikuesi pasiv, por megjithatë do i shkruaj ca rreshta. Filmi the “Hunting Flies” është ndër të pakët ata filma, që pa e tepruar, i përngjasin filmave të Abbas Kiarostamit, regjisorit të famshëm Iranian.

Para së gjithash, fotografia e filmit ishte shumë e gjallë dhe përmes idilikes së fshatit ngjallte ndjenjën e thellë të subjektivitetit njerëzor për prejardhjen e qenies njerëzore nga fshati. Njeriu prejardhjen e ka nga fshati.

Ngjarja zhvillohet në një fshat të Maqedonisë në shkollën e së cilës bëhen ndryshimet kadrovike me rastin e ndërrimit të partisë shqiptare në pushtet. Mësues Ganiu, është mësuesi më i kualifikuar profesionalisht, por i njëjti pëson fatin e ndërrimit të pushtetit dhe në vend të tij do të vjen i pakualifikuar.

Përtej gjitha përpjekjeve, drejtori i ri kishte vendosur ta përjashtoj Ganiun dhe shumë mësues të tjerë me përvojë. Ngjarja e dytë zhvillohet me botën fëmijërore, por jo edhe aq të virgjër, ngaqë pastërtinë fëmijore, e kishte baltosur politika dhe fëmijët ishin po ata fëmijë të lagjes ku ndër ta nuk është përbashkues loja por është ndarës dhe përçarës muhabeti politik i prindërve që e bënë në shtëpi.

Në pamje edhe pse ngjasin në fëmijë, në mimikë dhe grimasa fëmijët duket ata të vjetrit e fshatit që kush e di për të satën herë janë të dëshmitarë të kësaj historie të ricikluar. Duke e parë filmin, sado që e ndjen veten jashtë tij, por pa e përjetuar fare momentin, të rrëmben dhe të bënë pjesë të realitetit fiktiv dhe zhytesh në thellësi deri në një moment kur më nuk mund ta dallosh, fiksionin prej realitetit.

Fiksioni i filmit të bëhet aq shumë realitet sa edhe vetë realiteti që bëhet i depërtueshëm përmes fiksionit të tij. Një film që të përmallon dhe të mallëngjen për faktin se realiteti në këto troje është i përjetueshëm dhe i natyrshëm veç përmes shëmtisë së tij dhe pesimizmit për pamundësinë e ndonjë shpagimi estetik ndaj kësaj shëmtie që ka kapluar shoqërinë.

Këto fjalë, nuk mund të shpjegojnë as çerekun e ndjesisë që të dhuron filmi, por një falënderim më mirë se kaq, ndaj Burhanit dhe bashkëpunëtorëve. Një mur të vjetër të pazarit të vjetër të qytetit në vendlindjen time, i ndërtuar me tjegulla të kuqe e të regjura, nuk e kisha vërejtur kurrë më parë deri ditën kur e pashë të pikturuar.

Pasi e vështrova bukur gjatë pikturën, vajta dhe e vizitova murin e pazarit. Ai vërtetë ishte aty, ishte i mahnitshëm dhe më i bukur se kurrë. Besoj fort se edhe ky film do të duhej ta bënte të njëjtën gjë. Të kthehemi dhe ta vështrojmë realiteti e gjallë, kur çdo ditë na venitet mu para majës së hundës.

Ky është edhe roli i artistit, të na këndell të na ofroj pamjet që tashmë i kemi parë por pa detajet e zmadhuara dhe goditëse.

Burhan Amitit dhe Izer Aliu dhe tërë atyre që kanë punuar në këtë projekt, u dëshiroj punë të mbarë dhe suksese të bollshme në jetë! Me respekt, Latifi.

Postime të Ngjajshme