` . Huawei: Vendimi amerikan shkon në dëm të konsumatorëve të tyre - TV-SHENJA

Huawei: Vendimi amerikan shkon në dëm të konsumatorëve të tyre

Gjiganti kinez i teknologjisë, Huawei, thotë se ndalesa për të ushtruar biznesin në SHBA, do të dëmtojë vetëm interesat amerikane, transmeton AA.

Duke cituar një kumtesë të Huawei-t, e përditshmja kineze në anglisht, “China Daily”, shkruan se administrata e Trumpit me një vendim të tillë, vetëm se do të detyrojë konsumatorët amerikanë të blejnë pajisje telefonike më inferiore dhe shumë më të shtrenjta.

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, të mërkurën nënshkroi një urdhër ekzekutiv me të cilin shpalli një emergjencë kombëtare mbi “kërcënimet ndaj teknologjisë dhe shërbimeve të informacionit dhe komunikimit në SHBA”.

Pak kohë më pas, Departamenti i Tregtisë shtoi në listën e saj të subjekteve kompaninë duke e kufizuar nga blerja e pjesëve dhe përbërësve nga kompanitë amerikane pa miratimin e Washingtonit.

Duke thënë se ndalesa shkel të drejtat e saj, në kumtesë thuhet se vendimi i tillë do të lë SHBA-të shumë prapa në zhvillimin e teknologjisë 5G.

“Bllokimi i (Huawei-t) nga të bërit biznes në SHBA, nuk do ta bëjë vendin (SHBA-të) më të sigurtë ose më të fortë. Në vend të kësaj, do të dëmtojë interesat e kompanive amerikane dhe të konsumatorëve”, thuhet në deklaratë.

Janarin e kaluar, Departamenti amerikan i Drejtësisë ngriti dy padi për pretendimin e paligjshmërisë nga Huawei, përfshirë vjedhjen e supozuar të sekreteve tregtare.