` . Huawei fiton rol të kufizuar në rrjetin 5G në Britani - TV-SHENJA

Huawei fiton rol të kufizuar në rrjetin 5G në Britani

Qeveria britanike ka njoftuar se kompanisë kineze të telekomunikacionit Huawei do t’i mundësohet një “rol i kufizuar” në rrjetin e telekomunikacionit të gjeneratës 5G të Mbretërisë së Bashkuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratë thuhet se kompania do të “përjashtohet nga të gjitha rrjetet që ndërlidhen me sigurinë dhe rrjetet kritike”, si dhe “vendet e ndjeshme gjeografike siç janë lokacionit bërthamore dhe bazat ushtarake”.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se Huawei do të ketë një mbulim prej 35 për qind në periferi të rrjetit 5G në pjesët jo të ndjeshme.

“Ministrat vendosën sot që operatorët në Mbretërinë e Bashkuar duhet të vendosin masa mbrojtëse shtesë dhe të përjashtojnë partnerët me rrezik të lartë nga pjesë të rrjetit të telekomunikacionit që janë thelbësorë për sigurinë”, thuhet në deklaratë.

Qeveria miratoi këtë vendim në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të kryesuar nga kryeministri Boris Johnson, përkundër paralajmërimeve nga SHBA-të që përfshirja e kompanisë kineze do të krijonte një rrezik sigurie, disa ditë para se vendi të largohej nga BE, pas çka Johnson pritet t’i drejtohet Washingtonit zyrtar për një marrëveshje të shpejtë tregtare.

Johnson të enjten në Londër do të takohet me sekretarin amerikan të shtetit Mike Pompeo dhe pritet që të kritikohet për këtë vendim.

Nënkryetari i kompanisë Huawei, Victor Zhang, tha se kompania e tij “u sigurua nga konfirmimi i qeverisë britanike” se mund të vazhdojë të punojë me klientët për të “mbajtur rrjetin 5G në rrugën e duhur”.

“Ky vendim i bazuar në prova do të rezultojë në një infrastrukturë të telekomit më të avancuar, më të sigurt dhe me kosto efektive që është e përshtatshme për të ardhmen. Ai i jep Mbretërisë së Bashkuar qasje në teknologjinë udhëheqëse botërore dhe siguron një treg konkurrues”, tha Zhang.