` . Hipokrizia - TV-SHENJA

Hipokrizia

Shkruan: Latif Mustafa

Hipokrizia është njëri ndër nocionet më repulsive të të shprehurit të mllefit shqiptar. Posaçërisht, derivati atributiv hipokrit është përshkrimi i shumë fenomeneve të klasës politike shoqërore, klasës intelektuale dhe, më e rënda, kur hiperbolizohen pritjet nga një kolektiv, si populli dhe zhgënjimi pasues, që manifestohet me mllefin se “populli është hipokrit”. Me gjithë tendencën e “hipokritizimit” të një koncepti abstrakt, si puna e “popullit”, ngaqë mashtruesi në historinë e mashtrimit shqiptar është populli, përkundër lavdeve që i thuren, hipokrizia mbetet fenomeni më i shëmtuar, përcaktuesi i identitetit shoqëror dhe politik të shoqërive të brishta, siç jemi edhe ne, pra shoqëria jonë.

Hipokrizia, bazuar në shpjegimin etimologjik, është lojë në teatër. Të luash rolin si tjetër. Një person a një identitet tjetër nga ai që je. Por, ama duke marrë parasysh kompleksitetin e perceptimit të gjendshmërisë dhe hapësirës, ngatërrimi i jetës reale me teatrin si virtual, hipokrizia shumëfishohet, duke mbartur mbi vete gjithë zahmetin e dyshimit e të qenit ose mos të qenit në teatër, me ç’rast edhe hipokrizia do ta merrte kuptimin e plotë. Shmangja nga frika e fatalitetit dhe shkarja që të shpie në çarje dhe dysi, janë dy proceset binare, që e përcjellin narrativin e hipokrizisë si shirit historik në zhvillimin e historisë individuale.

Zgjedhjet lokale në Maqedoni i shpërfaqën disa mësime historike në raport me hipokrizinë. Insistimi i bashkësisë ndërkombëtare për ruajtjen e status quo-s apo stabilitetit të brishtë qoftë edhe në llogari shkeljes së përfaqësimit politik bazuar në kriteret dhe vlerat e demokracisë përfaqësuese, venitë ambiciet dhe rrëmon të gjitha përpjekjet e shqiptarëve ndaj vlerave universale të lirisë dhe demokracisë.  Raporti i lirisë dhe demokracisë qëndron një raport të zhdrejtë me stabilitetin. Mësimi i dytë është “heshtja” e shumë intelektualëve karshi përdorimit të pushtetit për asimetrinë e shtetit në shtrirjen e drejtësisë. Mësimi i tretë është durimi i shterur.Ai është armiku i “ndryshimeve të mëdha”, procese që janë të dhembshme dhe të përshkallëzuara. Mësimi më i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve është shpalosja e simbiozës së hipokrizisë dhe pushtetit korruptiv të riprodhuar e që mund të shprehet në një fjalë: për ta mbajtur gjallë koniunkturën është e lejuar gjithçka.

Termi popull, edhe pse do të duhej të ishte një koncept mobilizues dhe koheziv i demokracisë, në realitetin tonë portretizohet si ekuivalent i hipokrizisë, ngaqë populli mashtron më së mirë. Nuk është as logjike t’i atribuosh një koncepti abstrakt karakteristika të destruktivitetit individual njerëzor, por ama këto zgjedhje – si asnjëherë më parë – nxorën në pah diçka shumë të rëndësishme – se hipokrizia politike është prodhim i sistemit politik shtetëror, që mobilizohet kundër çdo vullneti që i bënë shqiptarët subjekt të këtij nënqielli. Hipokrizia e tillë sistemore shpërfaqet si tradhti e idealit të trumbetuar për një shoqëri ideale qytetare me të drejta dhe liri të barabarta njerëzore dhe në çdo “protestë” për sinqeritet dhe shprehje të vullnetit të lirë njerëzor për t’u bërë subjekt politik, ndërhyjnë nomenklatura e hipokrizisë përmes mbrojtjes dhe amnistisë së politikanëve hipokritë dhe korruptimit shpirtërorë të të gjithë atyre që e mbrojnë këtë hipokrizi. Është sistemi ai që e zhvendos imazhin e hipokrizisë nga politikanët te populli. Populli i shkretë nuk është hipokrit, por është sistemi.

Në Maqedoni ka një këndellje politike të subjektit shqiptar ndaj denoncimit të hipokrizisë ose lojës së teatrit për një shoqëri ideale. Kjo u pa qartë se si u votua një subjekt politik opozitar, në nivel lokal e qendror, duke i premtuar votuesit të tij vetëm një gjë – pozitën! Pa dyshim që fundi i çdo rezistence të sinqertë është triumfi.

Postime të Ngjajshme