` . Hipokrizia diabolike – TV-SHENJA

Hipokrizia diabolike

Kur analizojmë qasjen selektive së pari ndaj vendeve që i kemi në rajon, e pastaj edhe më gjerë, mund të vijmë në përfundim se qasja e tillë është formë e urrejtjes anti-islame. Heshtet për Orbanin e Gjukanoviqin, madje edhe për Vuçiqin, duke mos i kualifikuar si oligarkë dhe autokratë, por problemi i vetëm dhe kryesor është Turqia me personazhin e saj. Kjo urrejtje e portretizuar në figurën e caktuar është tendencë që, në emër të demokracisë, të deduktohet qëllimi.

Shkruan: Armend SHKOZA, Mitrovicë

Ditët e fundit të muajit mars ishin tejet të ngarkuara me ngjarje të cilat u bën temë kryesore e diskutimit shoqëror. Jo se ishte nevoja si prioritet për nga përmbajtja, por në Kosovë çështjet ngrihen në qendër të vëmendjes, jo se kjo vëmendje është e përqendruar në cakun e duhur. Caku shpeshherë është i kurdisur. Ajo javë e fundit e marsit filloi me arrestimin e Marko Gjuriqit, shefit të të ashtuquajturës Zyre e Qeverisë së Serbisë për Kosovë dhe Metohi. Arrestimi i Gjuriqit mori një bujë të madhe. Të gjithë u ekzaltuan me arrestimin spektakular të tij, duke marrë parasysh se një arrestim i tillë ishte shumë i vonuar. Nuk ka se si mos të ndikojë në entuziazmin shoqëror arrestimi i një personi i cili karakterizohet me fjalorin e tij politik shoven dhe drejtuar drejtpërdrejt kundër shtetit të Kosovës, si për nga funksioni. ashtu dhe nga vokabulari i tij politik.

Mirëpo, kjo ngjarje e 26 marsit mbeti nën hije kur në mëngjesin e ditës së enjte të 29 marsit, nga mediet u njoftuam se ishin arrestuar gjashtë shtetas turq dhe të njëjtit ishin deportuar nga vendi. Atë ditë, si zakonisht kur ndërlidhen disa interesa të grupeve të ndryshme të interesit që i diktojnë prioretizimet mediale, thjesht u bombarduam nga artikuj me tituj nga më të ndryshëm. “U rrëmbyen 6 shtetas turq”, “U kidnapuan dhe iu dorëzuan xhelatit”, “I premë në besë!”… ishin vetëm disa nga titujt që vazhdimisht i lexonim gjatë tërë ditës. Madje, për çudi, ndonëse titullimet e artikujve ishin bombastikë, përmbajtja nuk ishte e qartë. As vetë mediumet nuk kishin informata të sakta, mirëpo ishin të vendosura në paragjykim dhe vlerësim përtej reales. Thjesht, mund të them se gjysma e javës ishte kolapsuar nga tema e vetme – deportimi i gjashtë shtetasve të Turqisë, që nga Ankaraja zyrtare cilësohen si pjesëtarë të organizatës për të cilën vihet barra për organizimin e puçit të 15 korrikut 2016.

Por, të kthehemi pak tek rasti i Marko Gjuriqit. Pas arrestimit të tij, ajo çka doli në pah dhe që e vuri publikun në dyshim ishte ri-aktualizimi i çështjes së “Zajednicës” ose, siç quhet ndryshe, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe. Ndonëse reagimi i Serbisë ishte paksa i çuditshëm, e po ashtu edhe i forcës kryesore politike të serbëve të Kosovës, Lista Srpska, e cila kryekëput kontrollohet nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ajo çka nuk ishte e qartë ka të bëjë me mënyrën e sjelljes së tij nga Mitrovica e në Prishtinë. Filluan të ngrihen dilemat se cila ishte arsyeja që Gjuriqi nuk u dërgua para Prokurorit të Shtetit dhe të iniciohej procedura penale për veprën penale të kalimit të kundërligjshëm të kufirit. Ndërkaq ende pa kaluar as orë të plota, ai u dërgua në drejtim të kalimit kufitar me Serbinë dhe u lëshua i lirë. Sjellja e tij spektakulare në qendër të Prishtinës, duke e tërhequr zvarrë, filloi të duket si çmim që e pranoi vetë Gjuriqi ta paguante për ndezjen e temës, e cila konsiderohej si e mbyllur – themelimi i “Zajednicës”. Serbët në veri paralajmëruan themelimin unilateral të “Zajednicës”, ndërkaq Vuçiqi – pas takimit me Listën Srpska – ua fali atyre diskrecionin që ata të vendosin se a do të mbesin në Qeverinë e Kosovës apo jo. Ata nuk u larguan nga koalicioni qeveritar. I ndërruan ulëset në Kuvendin e Kosovës, por nuk i ndërruan funksionet qeveritare. Më pas doli se qenkan krijuar grupet punuese për përpilimin e Statutit të “Zajednicës”. Krejt kjo na dërgoi te përfundimi se “Zajednicës” pas debaklit që pësoi nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila gjeti se kjo marrëveshje ishte në kundërshtim me dhjetëra nene kushtetuese, arrestimi u paraqit si Casus belli për ta rinisur themelimin e saj.

Por, do të shtrohej pyetja racionale, çfarë lidhje ka deportimi i gjashtë pjesëtarëve të rrjetit gylenist me arrestimin e Gjuriqit!? Ajo çka ka lënë shije të keqe me rastin e arrestimit të gylenistëve ishte agresivitetit sistematik medial lidhur me çështjen e deportimit të gylenistëve. Në medie dhe rrjete sociale filluan diskutimet nga çështjet juridike, për të dalë në gjeopolitikë e strategji shtetërore. Ajo çka më la përshtypje ishte vrulli i disa deputetëve, të cilët në orët e para filluan kualifikimet të cilat as nuk iu takojnë, e po qe se edhe do t’iu takonin, do të duhej që së pari ta kenë pasqyrën e qartë mbi ndodhinë, njohjen e fakteve dhe konstatimin mbi dijen e kualifikuar. Fillojë permutimi i termave nga “ekstradim” e deri në “kidnapim”. Temë u bë se kush ka qenë i informuar me operacionin. Ajo çka ishte më interesante ishte kualifikimi i shtetit të Turqisë, apostrofoj, “vend i cili paraqet rrezik për ekspozim ndaj torturës dhe trajtimit çnjerëzor”. Këtu mendoj se duhet pak të ndalemi. Është më se e rëndësishme se shteti i cili bën kualifikimin e shtetit tjetër se “shtetasit e tyre i ekspozohen rrezikut të së drejtës në jetë, keqtrajtimit dhe torturës”, besoj se duhet të kenë të paktën një standard të kredibilitetit të sistemit të drejtësisë. Pra, ne si shtetas do të duhej të ishim të ndërgjegjshëm dhe vetëdijshëm politikisht mbi gjendjen e institucioneve tona. Gjendja e mjerueshme në sistemin e drejtësisë, siguria në sistemin penitensiar, shkelja e të drejtave themelore, janë vetëm disa nga problemet e theksuara të cilat vërtetohen edhe nga raportet e ndryshme ndërkombëtare. Republika e Kosovës është shtet që ka aspirata për anëtarësim në Këshillin e Evropës, organizatë kjo në të cilën Republika e Turqisë është e anëtarësuar që nga 13 prilli 1950. Me koincidencë, e anëtarësuar në muajin prill, në ditën e 13-të, si anëtare e 13-të.

Nëse Republika e Turqisë meriton të kualifikohet si vend i cili i dhunon drejtat elementare të njeriut, cili është kuptimi i Këshillit të Evropës? Cili është kuptimi i anëtarësisë së kësaj organizate, që ka si kusht themelor ratifikimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut? Pse këtë po e toleron Këshilli i Evropës, e ne si “partizanë të të drejtave të njeriut e promotorë të demokracisë”, e paskemi kredon që ta kualifikojmë Turqinë si vend i rrezikshëm, vend në të cilin qenia njerëzore nuk ka kuptim?

Ajo çka duhet theksuar është hipokrizia me rastin e kritikës ndaj rastit në fjalë. Ndër të tjera duhet pasur parasysh vënia në pah e kritikës mbi mënyrën e deportimit. Kjo procedurë është përcaktuar me Ligjin për të Huajt, i cili ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në shtator të vitit 2013. Ky ligj, në dispozitat e tij, parasheh të ashtuquajturin largimin me dhunë, i cili bazohet në rrezikun abstrakt, të cilin e konstaton Agjencia Kosovare e Intelegjencës (AKI). Pra, AKI-ja, në bazë të këtij ligji, në momentin që mbledhë informata se personi ose personat në fjalë paraqesin rrezik për rendin publik të Republikës së Kosovës, informatën e tillë pa specifikacione ia procedon organit, respektivisht departamentit gjegjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme për ta ekzekutuar largimin me dhunë. Po, kjo është paraparë me ligjin i cili është në fuqi. Gjithashtu është paraparë e drejta e ankesës së personit të dëbuar, ankesë kjo e cila nuk ka efekt suspenziv, e që nënkupton se me parashtrimin e saj largimi nuk ndalohet së ekzekutuari derisa të vendoset për çështjen. E se cili është mendimi kritik ndaj rregullimit të tillë, ajo është çështje tjetër. Mirëpo, ajo që duhet trajtuar është hipokrizia e shfaqur publikisht. Në grupin e fytyrave publike që ishin më të zëshëm në kritikën vajtuese për këtë ngjarje, në mandatin në të cilin ishte miratuar ky ligj, kanë qenë deputetë dhe, çuditërisht, nuk e kishin votuar kundër ligjin në fjalë. Madje, ky ligj kishte kaluar fare pa ndonjë diskutim të veçantë.

Në fakt, ky ligj është konstruktuar nga miqtë tanë ndërkombëtar. Ishte ky ligj si pako e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar. Në mandatin e njëjtë ishte proceduar, por nuk kishte mbërritur që të miratohet, edhe Ligji kundër pjesëmarrjes në luftërat e huaja. Ky ligj tërhoqi vëmendje më të madhe, sepse kishte bërthamë të natyrës penale dhe e penalizonte çdo pjesëmarrje në cilëndo luftë, gjë që implikonte interesat e karakterit kombëtar. Ky ligj, ndonëse në kuptimin e kritikës së përgjithshme, me të drejtë mund të quhet kontradiktor, për faktin se në një mënyrë Kosova heqë dorë nga ndjekja penale ndaj personave që mund ta destabilizojnë rendin publik dhe kushtetues të vendit. Por, kjo duhet kuptuar në frymën e ndryshimit të qasjes së përgjithshme ndërkombëtare në fushën penale, që paraqitet si trend post festum i 11 shtatorit 2001.

Apolegjetët e drejtësisë nuk kishin reagime të njëjta edhe për rastet e ngjashme. Kishim raste kur shtetas shqiptarë u dëbuan dhe, çuditërisht, asnjëri nga apolegjetët nuk e  hapi gojën. Asnjë fjalë të vetme. Kuptohet, nuk ishte në agjendë interesi i caktuar, andaj dhe nuk ishte interesi i problematizimit të rasteve të tilla. Sprova e tillë u shfaq jo më larg se para dy viteve. Siç thonë tek ne, çele guri gojën!

Elementi tjetër hipokrit i defiluar me stigmën publike ndaj një shteti mik, siç është Turqia, është heshtja ndaj fenomeneve në shtetet të tjera, ku bota ndahet në lindje e perëndim, e po ashtu edhe heshtja ndaj fakteve. Pa e përmend literalisht dhe për të lënë hapësirë për lexuesin që të mendojë për këtë, asnjëri nga protagonistët të kritikës ndaj largimit të gjashtë gylenistëve nuk e përmendi ekzistimin e një shteti të fuqishëm, i cili hiç më pak se tani e 17 vjet mban të burgosur njerëz të cilët asnjëherë nuk kanë dalë para një prokurori apo gjykatësi, nuk u është kumtuar se për cilin veprim rëndon dyshimi, i cili paraqitet si arsye e mbajtjes së tyre, asnjëherë për 17 vite nuk u është nxjerrë një vendim për ta caktuar një paraburgim të tillë, e lëre më të gjykohen për veprat për të cilat dyshohen. Këtë shtet as në ëndërr nuk guxojnë ta shohin ose ta cilësojnë si vend i cili i cenon të drejtat elementare, duke trajtuar të burgosurit në mënyrë çnjerëzore dhe duke iu mohuar të drejtën në një gjykim të drejtë. Pra, kur jemi tek rastet e caktuara, macja ua ka ngrënë gjuhën këtyre apolegjetëve të drejtësisë dhe lirive themelore të njeriut. Çudi, apo jo?!

Në fakt, nuk është e huaj kjo qasje, e cila për nga forma është irrituese. Qasja e tillë e ka një prapavijë jo fort të kamufluar mirë për mos ta detektuar. Kur e analizojmë qasjen selektive, së pari ndaj vendeve që i kemi në rajon, e pastaj edhe më gjerë, mund të vijmë në përfundim se qasja e tillë është formë e urrejtjes anti-islame. Heshtet për Orbanin e Gjukanoviqin, madje edhe për Vuçiqin, duke mos i kualifikuar si oligarkë dhe autokratë, por problemi i vetëm dhe kryesor është Turqia me personazhin e saj. Kjo urrejtje e portretizuar në figurën e caktuar është tendencë që, në emër të demokracisë, të deduktohet qëllimi. Nëse e zbërthejmë qasjen e tillë, në fakt ky është induksioni politik. Pra duke e goditur personazhin e caktuar politik, nuk është qëllim në vetvete kritika ndaj tij. Por, është koncepti që përbrendësohet brenda një figure. Pra, “diktatori” është pikënisja, ndërkaq përkatësia fetare ose, thënë doktrina fetare, është qëllimi.

Duke e respektuar parimin universal të prezumimit të pafajësisë së personave që janë larguar nga Kosova si të dyshuar që përbënin rrezik për rendin publik, ne po ashtu duhet ta respektojmë prezumimin nga e drejta ndërkombëtare publike dhe, përgjithësisht, nga parimet e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo ka të bëjë me njohjen e autoritetit legjitim të shtetit me të cilin Kosova ka marrëdhënie bilaterale. Madje, përtej marrëdhënieve bilaterale, Republika e Kosovës e ka partner strategjik Republikën e Turqisë. Duke marrë për bazë kontekstin aktual politik në rajon, Kosova nuk e ka luksin që ta tjetërsojë marrëdhënien miqësore me një vend siç është Turqia. Këtë duhet marrë në konsideratë edhe në aspiratat kombëtare për integrime euro-atlantike. Derisa Jens Stoltenberg para ca ditësh deklaroi se Turqia po i mbron kufijtë e Aleancës Veri-Atlantike (NATO), mendoni se neve, një vendi i cili territorin e vet nuk mund ta kontrollojë, na ka mbetur kritika kryesore t’ia bëjmë Turqisë?! Këtu është zaten problemi. Duke i hiperbolizuar temat e tilla, janë duke u lënë anash çështjet jetike. Spektaklët e tilla po i lënë në heshtje çështjet siç janë “Zajednica” dhe tendencat e Serbisë për ndarje. Kontratat për ndërtimin e termocentraleve, në të cilat fshihen interesat e mëdha të forcave korporative, nuk janë në agjendë propaganduese. Siç shihet, jemi në një gjendje e cila banalisht do të mund të përkthehej: “Si t’i rregulloj punët e tjerëve, se për punët e mia nuk merrem dot!”.