` . Hfz. Benjamin: Kurban Bajrami, rast të jemi të bashkuar dhe në solidaritet - TV SHENJA

Hfz. Benjamin: Kurban Bajrami, rast të jemi të bashkuar dhe në solidaritet

“Kurban Bajrami për ne është një thirrje për të menduar për thelbin e kësaj feste. Thënë ndryshe, Kurban Bajrami nuk është vetëm therja e një kafshe, por ka një dimension më të madh se kaq”, shprehet në një intervistë për Anadolu Agency (AA) imami dhe hafizi Benjamin Idriz, i cili është me origjinë nga Shkupi dhe jeton në Gjermani në qytetin Pencburg në afërsi të Mynihut.

Po ashtu, ai është edhe kryetar i Forumit Islamik në Mynih. Imami në fjalë në opinionin atje është i njohur me aktivizimin e tij shoqëror dhe paraqitjen në mediume.

Duke folur për rëndësinë dhe vlerën e festës muslimane të Kurban Bajramit, imami Idriz tha se kjo festë ka shumë dobi dhe duhet të vlerësohet nga disa aspekte.

“Kurban Bajrami ka shumë dobi dhe duhet vlerësuar nga aspekte të ndryshme. Në lidhje me këtë, Zoti na ka porositur se te ai nuk do të arrijë gjaku apo mishi, por vetëdija dhe karakteri ynë, kjo është ajo që do të arrijë te Zoti. Prandaj, ajo që kemi nevojë ta kuptojmë sot është se, ashtu si haxhinjtë sillen rreth Qabesë në këto ditë, rreth një shtëpie, një ideje, edhe ne kemi nevojë të ‘sillemi’ rreth një ideje. Le të jemi tolerantë dhe ta pranojmë pluralizmin në Islam, se njerëzit janë të ndryshëm në Islam, të kemi një dozë respekti për diversitet. Dhe ai që mendon ndryshe nga unë është mik i imi. Kjo është porosia e Haxhit dhe ne duhet të pranojmë”, thotë Idriz, duke shpjeguar rëndësinë e Kurban Bajramit dhe dobitë e tij.

Natyrisht, shton ai, solidariteti është një tipar me të cilën karakterizohet kjo festë, për ç’arsye ai dërgon edhe një porosi solidariteti, duke thënë se Kurbani literalisht do të thotë afrim i të largëtit.

“Unë dua që këto ditë të bukura, ashtu sikundërse do ta ndajmë mishin me të tjerët dhe do të tregojnë solidaritet, ajo ndjenjë të na ndjekë gjithmonë. Të jemi në solidaritet me fqinjët dhe me të shtypurit në shoqëri. Mesazhi i Islamit është se nuk guxoni të fleni të qetë në qoftë se e dini se fqinji juaj është i uritur”, thotë Idriz.

Duke folur nga aspekti i botës sot, ai thotë se nëse shoqëria dëshiron të arrijë progres, është e nevojshme të kapërcehen mosmarrëveshjet dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin.

“Në botën globale tani ne të gjithë jemi fqinjë. Pra, ne kemi nevojë të kujdesemi për të gjithë njerëzit, të përpiqemi t’i tejkalojmë mosmarrëveshjet, të bashkohemi rreth një ideje të vetme. Ne mbartim një përgjegjësi të madhe si muslimanë që jetojmë në një kohë të këtillë, konkretisht ta ruajmë unitetin dhe të kujdesemi të mos ketë grindje dhe urrejtje, por të jemi faktor i unitetit, paqes në botë, dashurisë dhe tolerancës,” theksoi imami Idriz.

– Lulja si një dhuratë Bajramit

Bajrami te ne është ngjarje shoqërore dhe fetare në të cilin vijnë të gjithë anëtarët e familjes, tha imami Idriz, duke folur në lidhje me mënyrat e festimit të Bajramit në mjedisin ku ai jeton dhe vepron. Ndër tjerash, ai flet edhe për lulen si dhuratë e Bajramit.

“Te ne, në namazin e Bajramit vijnë edhe fëmijët dhe gratë. Ne e interpretojmë këtë si ngjarje fetare shoqërore që përfshin të gjithë anëtarët e familjes. Pas lutjes, burrat blejnë lule për nënat dhe gratë e tyre para xhamisë. Gjithashtu, ndahen bakllava dhe pica për të gjithë njerëzit para xhamisë dhe kështu Bajrami merr një dimension harmonik dhe festiv”, thotë imami Idriz.

Duke iu referuar situatës në Maqedoni, Idriz vuri në pah se nevojitet vullnet i të gjithë aktorëve shoqëror në ndërtimin e një shoqërie në të cilën respektohen të drejtat e njeriut, shoqëri kjo në të cilën diversiteti do të pranohet si një thesar.

“I njëjti problem është i pranishëm në shumë vende. Kur nuk jemi të gatshëm ta pranojmë tjetrën dhe të ndryshmen, ajo shoqëri nuk mund të zhvillohet. Në qoftë se duam ta arrijmë këtë standard të demokracisë, atëherë duhen respektuar të drejtat e njeriut, të gjithë të kenë të drejtë ta flasin gjuhën e tyre dhe të drejtën e përcaktimit fetar. Maqedonia si një vend i vogël mund të jetë shembull në botë për jetën multifetare dhe multinacionale edhe për njerëzit e tjerë”, vlerëson imami Idriz, duke thënë se në ndërtimin e një shoqërie më të mirë detyra dhe përgjegjësi kanë të gjithë, që nga politikanët, shkencëtarët, teologët, artistët, deri te qytetarët e zakonshëm.

“Përgjegjësia nuk është vetëm e politikanëve, por edhe e të gjithë të tjerëve, madje edhe e teologëve. Përgjegjësia e njerëzve fetarë është që të punojë për t’i nxitur këto vlera dhe për t’i zbatuar ato në jetën e tyre.” Idriz rekomandon se paqja nuk ka alternativë dhe se ia vlen të punosh për një të nesërme më të mirë në çdo aspekt.

“Jemi të lodhur nga luftërat, urrejtja. Kjo askujt nuk i sjell dobi. Prandaj, vlen të punohet për paqe, për të mirën e të gjithë njerëzve. Prej kësaj do të përfitojmë ne dhe brezat e ardhshëm. Ata duhet të dijnë si ta jetojnë jetën me dinjitet, dhe jo si të vdesin”, është porosia e Benjamin Idriz të cilën e shpalosi në bisedën për AA.

– Muslimanët në Evropë

Me valët e refugjatëve që kohët e fundit janë paraqitur në relacionin Lindje-Perëndim për shkak të luftërave të rënda shkatërruese që janë përhapur në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, erdhi deri te ndryshimi i fotografisë demografike në kontinentin e vjetër të Evropës. Imami Idriz trajton edhe çështjen e situatës së muslimanëve në Evropë, duke marrë parasysh rrethanat e lartpërmendura në të cilat po ndodhin ndryshimet demografike.

“Çështja e muslimanëve në Evropë, sidomos pas 11 shtatorit dhe pas disa sulmeve terroriste, islamofobia dhe vala e refugjatëve janë çështje që e bëjnë të vështirë gjendjen e muslimanëve nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, muslimanët gjenden në një periudhë post-integruese. Këtu jetojnë disa breza muslimanëve. Brezi i parë i muslimanëve janë ata që shkuan për punë, ndërsa fëmijët e tyre janë fëmijë që kanë lindur në Evropë, të cilët tani mësojnë dhe studiojnë në Evropë dhe të cilët kanë arritur në vende të caktuara,” tha imami Idriz, duke shtuar se nuk mund ta krahashojmë gjendjen e muslimanëve para 30-40 vjetësh.

“Tani fëmijët e tyre kanë arritur në pozitën që tani do të thosha se është për t’u lakmuar. Ata tani më nuk bëjnë vetëm punë fizike, por gjenden edhe në pozita menaxheriale, udhëheqin institucione dhe janë të përfshirë në proceset politike në disa vende. Disa nuk mund ta durojnë suksesin e disa muslimanëve, e për këtë arsye rritet islamofobia në Evropë. Gjithashtu, ardhja e refugjatëve në Evropë ka nxitur debat të madh nëse Evropa është e gatshme t’i respektojë ato vlera mbi të cilat ajo themeloi idetë e saj, parimet e barazisë, lirisë, lirinë e fesë, të mendimit, pluralizmit. Të gjitha këto vlera janë në pikëpyetje, sepse racizmi, islamofobia, urrejtja ndaj tjetrës po rriten,” tha ai, për të shtuar më tej se muslimanët kanë nevojë për Evropën dhe Evropa ka nevojë për muslimanët.

“Nga ana tjetër muslimanët, them në përgjithësi, nuk e kanë pranuar ende Evropën si shtëpinë e tyre. Evropa ka nevojë për muslimanët dhe muslimanët kanë nevojë për Evropën, të zhvillohen në Evropë dhe ta pranojnë si të tyren. Ky është një proces i të dyja palëve, me çka është e nevojshme njohja. Unë shpresoj se një ditë kjo të jetë më mirë se ç’është sot.”

– Gjermania u përball me valën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore

Duke folur për gjendjen aktuale në Gjermani, me theks të veçantë në krizën e refugjatëve, imami Benjamin Idriz thotë se vala e refugjatëve nga viti i kaluar është vala më e madhe e refugjatëve që e përjetoi Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore.

“Sigurisht, kur ndodhi Lufta e Vietnamit, kur erdhën refugjatë, më pas lufta në ish-Jugosllavi, veçanërisht në Bosnjë, ndërsa vazhdon vala e tretë e madhe e refugjatëve në Gjermani. Në fillim kishte një eufori të madhe dhe me të vërtetë gjermanët, si në nivel politik, ashtu edhe në nivel të organizatave joqeveritare dhe të gjithë atyre që u morën me refugjatët, ofruan ndihmë të madhe. Gjermania ka luajtur një rol të madh në Evropë dhe në Bashkimin Evropian si vendi më human që ka treguar gatishmëri të madhe për të pranuar refugjatë nga të gjitha vendet,” vuri në pah ai.

Idriz theksoi se tani që refugjatët kanë marrë ndihma humanitare, është e nevojshme t’u ofrohet ndihmë që të integrohen në vendet në të cilat vijnë.

– Aspektet horizontale të Islamit

Duke analizuar trendet aktuale botërore, sfidat, çështjet dhe problemet me të cilat përballen njerëzit në ditët e sotme, Idriz përmes prizmit të Islamit u përpoq t’i shtjellojë këto çështje. Kjo, në fakt, siç tha ai, ka qenë motivi që për disertacionin e doktoraturës ta zgjedhë temën, “Aspektet hotizontalnite të Islamit” të cilën e mbrojti këtë javë.

“Tema është aktuale. Desha që përmes këtij disertacioni të shtjelloj disa ide për ta kuptuar Islamin në kohën e sotme. Jetojmë në kohë sfidash të mëdha, në kohën e globalizimit, ndryshimeve drastike, kohën e mbi 60 milionë refugjatëve, luftërave kudo, e sidomos në Lindjen e Mesme. Në fakt, kjo është jetë në një kohë shumë dinamike, për të cilën duhet gjetur përgjigje. A mund Islami t’i ofrojë këto përgjigje? Ideja është që Islami të kuptohet horizontalisht. Marrëdhëniet vetëm midis Zotit dhe njeriut janë vertikale. Të gjitha marrëdhëniet në Islam janë formuar horizontalisht. Me këtë dua të them se marrëdhëniet në mes njeriut dhe shpalljes, Kur’anit, janë horizontale, që do të thotë bashkëpunim, dialog, koordinim, çfarë dëshiron t’i thotë Kur’ani, i cili është zbritur në shekullin VII, njeriut të shekullit XXI, çfarë mund të mësoj unë, si ai mund të ofrojë ai zgjidhje problemet tona. Ai është libër dinamik që na ndjek në jetë. Nëse nuk mendojmë rreth asaj që duhet të aktualizohet në mesazhin e këtij libri, atëherë do të jemi të humbur. Në këtë rast, muslimanët nuk do të kenë më çfarë t’i thonë botës. Nëse Kur’anin e lexojmë duke e kuptuar, do të shohim se ai i është bashkëkohor. Zoti nuk u ndihmon atyre që nuk kuptojnë, edhe pse ata kanë zemra, siç tregon edhe ajeti: ‘Ata kanë zemrën dhe mendjen, por nuk mendojnë’”, tha Idriz, i cili shtoi se bëhet fjalë për vështrim kritik të disa gjërave të teologjisë islame.

“U përpoqa në të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me aktualitetin, që t’u jap përgjigje të reja sfidave të reja, që si të kuptohet sot në shekullin XXI dhe në vendin ku jetoj ajo që është thënë në shekullin e VII”, tha imami Benjamin Idriz në bisedën për Anadolu Agency (AA).

Postime të Ngjajshme