` . Haxhiu: Si ka mundësi të dihet aktgjykimi i Kushtetueses pa u bërë ende publik? - TV-SHENJA

Haxhiu: Si ka mundësi të dihet aktgjykimi i Kushtetueses pa u bërë ende publik?

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shprehur revoltë ndaj publikimit të skenarit të mundshëm se si do të vendosë Gjykata Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi që mandatoi Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër.

Ajo pyet se si ka mundësi që të dihet aktgjykimi dhe mënyra e votimit pa dalë ende vendimi përfundimtar, njofton Klan Kosova.

“Nëse është kështu, atëherë kjo nuk është pavarësi e Gjykatës. Vendimi i tillë është arnim i aktgjykimit për interesa të Thaçit dhe atyre që kanë humbur zgjedhjet dhe janë braktisur nga populli”.

Për skenarin që u publikua se Gjykata do të vendosë një afat për mandatarin, Haxhiu thotë se në Kushtetutën e Kosovës nuk ka një rregull të tillë.

Prandaj, nëse do të ndodhte kjo për ministren e Drejtësisë do ta shkatërronte rendin kushtetues dhe demokracinë.

Reagimi i plotë:

Qytetarët kanë plotësisht të drejtë që të zemërohen. Në njërën anë thuhet “mos ndërhyni në pavarësinë e Gjykatës”, e në anën tjetër orientimet e para të tyre qarkullojnë tek disa, përfshirë edhe në medie!

Si ka mundësi të dihet aktgjykimi e mënyra e votimit, pa u bërë publik ende nga Gjykata?!

Nëse është kështu, atëherë kjo nuk është pavarësi e Gjykatës. Vendimi i tillë është arnim i aktgjykimit për interesa të Thaçit dhe atyre që kanë humbur zgjedhjet dhe janë braktisur nga populli.

Gjykata në mandat të saj, ka vetëm interpretimin e Kushtetutës dhe jo amendamentimin e saj. Amendamente kushtetuese mund të propozojnë vetëm

Qeveria, Presidenti dhe 1/4 e deputetëve por pastaj ato duhet të votohen nga Kuvendi.

Sipas Kushtetutës, nuk ka afat për mandatarin. Gjykata nuk mund të caktojë afat. Kjo do ta shkatërronte rendin kushtetues dhe demokracinë.

Kjo do ta përmbysë vullnetin e popullit!