` . Haxhinjtë bëjnë tavafin lamtumirës - TV-SHENJA

Haxhinjtë bëjnë tavafin lamtumirës

Pas kryerjes së haxhit, shtyllës së pestë islame, haxhinjtë kanë filluar të bëjnë tavafin lamtumirës, para se të braktisin qytetin e shenjtë të Mekës.

Me gurëzimin simbolik të shtyllave në Mina, që sipas besimit islam paraqet gurëzimin e djallit, haxhinjtë kanë përfunduar të gjitha ritualet e haxhit, me çka dhe kanë marrë titullin e haxhiut.

Tavafi lamtumirës, është njëri nga ritualet më emocionuese, meqë haxhinjtë i thonë lamtumirë Qabes, me shpresë të një takimi të sërishëm kur do të mund përsëri të vijnë dhe të falin namazin në Harem Sherif, ku dhe ndodhet Qabeja.

Tavafi lamtumirës nënkupton rrotullim rreth Qabes dhe jo rrallëherë haxhinjtë me lot në sy bëjnë lutje duke e falënderuar Allahun për kryerjen e detyrës së pestë islame.

Ndërsa disa nga haxhinjtë bëjnë gati valixhet për kthim në shtëpi, disa të tjerë bëhen gati për një udhëtim në Medinë, ku do të vizitojnë vendet e shenjta në këtë qytet.

Kurban Bajrami ose Bajrami i Haxhit, karakterizohet me therje të kurbanit dhe shpërndarje të mishit për nevojtarët, miqtë, fqinjët dhe zgjatë katër ditë, ndërsa këtë vit filloi më 21 gusht. /AA/