` . Harden mrekullon ndaj Warriors, “bisha” Antetokounmpo “fshin” Celtics - TV-SHENJA

Harden mrekullon ndaj Warriors, “bisha” Antetokounmpo “fshin” Celtics

Çfarë rivaliteti mes Golden State Warriors dhe Houston Rockets në gjysmëfinale të Konferencën së Perëndimit në NBA! Do të luhen të paktën 6 përballje mes tyre për të mësuar skuadrën që do të kualifikohet e do të përplaset me fituesit e çiftit Blazers-Nugget.

Pasi humbën të dy takimet e para në “Oracle Arena”, Rockets, të udhëhequr nga James Harden, barazuan serinë në 2-2, duke triumfuar 112-108 edhe në sfidën e katërt të zhvilluar në “Toyota Center”, ku “Mjekroshi” më i famshëm i NBA-së u shfaq në versionin e tij më të mirë, duke shënuar plot 38 pikë, të cilave u shtohen edhe 4 asiste e 10 “rebound”.

Kampionët në fuqi të NBA, zhvilluan një periodë të parë të mirë, të cilën e mbyllën në epërsi, 25-28, por në minutat në vazhdim vendasit rritën ritmin, duke shkuar madje deri +17 pikë në fillim të periodës së tretë (77-60), një diferencë e mjaftueshme për të marrë një fitore shumë të rëndësishme, edhe pse në minutat e fundit Warriors tentuan, po pa sukses, të përmbysnin shifrat.

Shumë pranë kualifikimit në finalen e Lindjes Milwaukee Bucks, që triumfuan 101-113 në “TD Garden” ndaj Boston Celtics e tashmë kanë edhe avantazhin e fushës për t’i mbyllur llogaritë në sfidën e pestë, çka do t’i kualifikonte për herë të parë pas 18 vitesh në finale të konferencës.

Të gjithë basketbollistët e formacionit bazë të Celtics arritën numër dyshifror pikësh, të udhëhequr nga Kyrie Irving me 23 pikë, por kundër Bucks, e veçanërisht kundër Giannis Antetokounmpo, që e mbylli takimin me shifra të frikshme, me 39 pikë e 16 “rebound”, fitorja u kthye në “mission impossible”. Bostonit i nevojitet tashmë një mrekulli në “Fiserv Forum” të Milwaukee-t për të shpresuar kualifikimin. /SS/