` . Harden i jep fitoren e parë Rockets, Spurs triumfojnë me vuajtje ndaj Wizards - TV-SHENJA

Harden i jep fitoren e parë Rockets, Spurs triumfojnë me vuajtje ndaj Wizards

Pas humbjes në startin e kampionatit ndaj Milwakee Bucks, Houston Rockets është rikthyer të fitojë në ndeshjen e dytë radhazi në “Toyota Center”, teksa mposhti jo pa vështirësi New Orleans Pelicans, me rezultatin 126-123.

Vendasit u shfaqën mjaft mirë në fraksionin e parë të ndeshjes, duke vënë një distancë prej 5 pikësh, por reagimi i Pelicans ishte mjaft i mirë në dy pjesët e radhës, duke përmbysur rezultatin. Megjithatë Harden me shokë u zgjuan në fraksionin e fundit, të cilin e fituan 29-23 dhe morën triumfin e parë sezonal.

Brandon Ingram i New Orleans Pelicans ishte lojtari i ndeshjes me 35 pikë, 15 rikuperime dhe 5 asiste, ndërsa te vendasit spikatën Harden dhe Westbrook me 57 pikë, 14 rikuperime dhe 18 asiste të dy së bashku.

Kampionët në fuqi të Toronto Raptors morën fitoren e dytë në ndeshjen e tretë të këtij sezoni, teksa fituan bindshëm 84-108 në transfertën ndaj Chicago Bulls në “United Center” të Michiganit.

Kanadezët dominuan të gjithë ndeshjen, por ishin veçanërisht superiorë në fraksionin e tretë, të cilin e fituan me 14 pikë diferencë, ndërsa më i miri i ndeshjes ishte kamerunasi Pascal Siakam me 19 pikë, 6 rikuperime dhe 4 asiste.

Ka marrë fitoren e parë sezonale edhe Cleveland Cavaliers që mposhti në shtëpi Indiana Pacers me rezultatin 110-99, në një sfidë fati i të cilës u vendos në fraksionin e dytë, ku vendasit ishin fantastikë dhe fituan me shifrat 39-20.

Në “Rocket Mortgage FieldHouse” të Clevelandit, ishte Tristan Thompson ai që u shpall më i miri i ndeshjes me 25 pikë dhe 13 rikuperime, por një lojë mjaft të mirë bënë edhe Kevin Love e Collin Sexton për Cavs, ndërsa Indiana Pacers do të duhet të presë ende për fitoren e parë sezonale.

San Antonio Spurs vuajti jo pak në përballjen me Washington Wizards në “AT&T Center”, por shfrytëzoi maksimalisht faktorin fushë dhe fitoi me rezultatin e ngushtë 124-122, për të regjistruar suksesin e dytë në po kaq ndeshje të sezonit, të dyja të luajtura në shtëpi.

Pas gjysmës së parë të lojës, gjithçka ishte e barabartë, ndërsa diferenca u bë në fraksionin e tretë me Spurs që fituan 32-30 dhe u mbrojtën në pjesën e fundit që përfundoi në barazim 2-2 dhe bëri që vendasit të marrin fitoren e dytë radhazi.

LaMarcus Aldridge ishte më i miri i ndeshjes për San Antonio Spurs, me 37 pikë, 9 rikuperime dhe 3 asiste, ndërsa nuk mbeti pas as DeMar DeRozan me 36 pikë, 4 rikuperime dhe 3 asiste.

Në sfidat e tjera, Atlanta Hawks fitoi me rezultatin e ngushtë 103-99 ndaj Orlando Magic, Philadelphia 76ers triumfoi 111-117 në transfertën ndaj Detroit Pistons dhe Boston Celtics mposhti bindshëm New York Knicks me rezultatin 95-118.