` . Haradinaj mbështet thirrjen e SHBA-së për njohje reciproke Kosovë-Serbi - TV-SHENJA

Haradinaj mbështet thirrjen e SHBA-së për njohje reciproke Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e mbështeti deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, e cila u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë, të arrijnë marrëveshje që do të mundësojë njohjen reciproke. Pas mbledhjes së qeverisë, Haradinaj tha se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe, nuk paraqet pengesë për vazhdimin e dialogut. Sipas tij, pengesa qëndron në mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të njohur Kosovën.

Kryeministri Haradinaj, tha se sa i përket Kosovës, Samiti i Parisit mund të mbahet, por para së gjithash, është e nevojshme të arrihet një marrëveshje kornizë.

“Edhe nëse nuk ndodh Parisi, që mund të mos ndodhë, por jo për fajin e Kosovës, edhe në vjeshtë, nëse rikthehet dialogu te Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, që do të emërohet pas Mogherinit, prap duhet një kornizë marrëveshje në mënyrë që të dihet për çka po zhvillohet dialogu. Pa këtë marrëveshje kornizë të njohjes reciproke Kosovë-Serbi, nuk ka logjikë”, ka thënë Haradinaj

Më herët, Shtëpia e Bardhë u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të lënë mënjanë retorikën ekstremiste dhe të punojnë për një marrëveshje që përqendrohet në njohjen reciproke mes tyre.

Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka thirrur një Samit me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perendimor, më 1 korrik në Paris. Nëse mbahet, ky do të jetë takimi i dytë i një formati të tillë, pas atij të mbajtur në Berlin në fund të prillit, me ftesë të kancelares, Angela Merkel.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të hënën se “është shumë e mundur të mos mbahet takimi në Paris”.

Për të vazhduar dialogun në Bruksel, Serbia ka vendosur kusht, heqjen e taksës për mallrat e saja nga ana e autoriteteve të Kosovës.