` . Haradinaj kërkon përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave - TV-SHENJA

Haradinaj kërkon përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradianj ka kërkuar që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, të jetë pjesë e agjendës së Bashkimit Evropian në një proces të përshpejtuar.

Ai i ka bërë këto komente në një takim me ambasadorët dhe diplomatët finlandezë të rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Haradinaj ka konsideruar se Finlanda, e cila më 1 korrik do të marrë kryesimin e këshillit të BE-së “do të vazhdojë të jetë zë i Kosovës në strukturat e BE-së”.

“Me qëndrimin e qartë të Gjermanisë, jemi të bindur se edhe Finlanda do të jetë në krah të vendit tonë për ta përmbyllur këtë proces në afat optimal”, ka shkruar ai.

Ndryshe, procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012, ndonëse ende nuk është finalizuar.

Çështja e liberalizmit të vizave për Kosovën tani ka mbetur te ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Kryeministri Haradinaj dhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha kanë paralajmëruar mundësinë që në BE, përkundër se do të ketë zgjedhje sivjet, të merren vendime pozitive për Kosovën më muajin qershor të këtij viti.

Për dallim nga ta, komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn pati paralajmëruar se heqja e vizave për qytetarët e Kosovës, me gjasë, mund të vjen në shprehje, diku gjatë vitit 2020.