` . Hapat për zyrtarizimin e Maqedonisë së Veriut (Video) - TV-SHENJA

Hapat për zyrtarizimin e Maqedonisë së Veriut (Video)

Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në parlamentin grek do të informohet sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, si dhe për datën kur ajo ka hyrë në fuqi, me qëllim të zbatimit të saj në Kombet e Bashkuara. Marrëveshje është përfundimtare dhe me hyrjen e saj në fuqi shfuqizohet Marrëveshja e përkohshme mes palëve, e nënshkruar në Nju Jork, më 13 shtator 1995.  Me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, emri kushtetues i Republikës së Maqedonisë do të jetë “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Kodi i vendit në targat e regjistrimit të automjeteve do të jetë NM ose NMK. Për të gjitha qëllimet tjera, kodi i vendit mbetet MK dhe MKD, siç është e përcaktuar zyrtarisht nga Organizata Ndërkombëtare e Standardizimit (ISO).

Mbiemri lidhur me shtetin, organet e tij zyrtare dhe institucionet tjera publike do të jetë “Republika e Maqedonisë së Veriut”.   Maqedonia menjëherë dhe në pajtim me praktikat e shëndosha administrative do t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme me qëllim që organet kompetente të vendit që tani e tutje në mënyrë të brendshme ta përdorin emrin Maqedonia e Veriut në të gjitha dokumentet e reja zyrtare, në korrespodencë dhe në materiale relevante. Në lidhje me rëndësinë e dokumenteve dhe materialeve tashmë ekzistuese të lëshuara nga autoritetet e Maqedonisë do të ketë dy periudha kalimtare, një “teknike” dhe një “politike”. Periudha kalimtare “teknike” do t’u referohet të gjitha dokumenteve dhe materialeve zyrtare të administratës publike për përdorimin ndërkombëtar dhe dokumenteve për përdorimin e brendshëm, por të cilat mund të përdoren edhe jashtë shtetit.

Këto dokumente dhe materiale do të përtëriten në pajtim me emrin e ri, më së voni në afat prej pesë vitesh pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje. Ndërkaq Periudha kalimtare “politike” do t’u referohet të gjitha dokumenteve dhe materialeve, të cilat janë veçanërisht për përdorim të brendshëm.  Kjo marrëveshje do të regjistrohet në Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara në pajtim me nenin 102 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, nga momenti i hyrjes në fuqi. Ajnur Bafqari /SHENJA/