` . Hamza Jashari lë Maqedoninë e Veriut për Kosovën në kërkim të lavdisë në xhudo - TV-SHENJA

Hamza Jashari lë Maqedoninë e Veriut për Kosovën në kërkim të lavdisë në xhudo

Xhudisti më perspektiv i Maqedonisë së Veriut do të garojë për Kosovën në të ardhmen. Është 17-vjeçari Hamza Jashari që xhudon prej javës tjetër do ta mësojë nga mjeshtri Driton Kuka. Ai do të vendoset në Pejë dhe do të ushtrojë së bashku me xhudistët e tjerë të klubit Ippon, shumë prej të cilëve janë reprezentues të Kosovës. Jashari, që është nga Shkupi, ka arritur suksesin më të madh të Maqedonisë së Veriut në xhudo.

Vjet fitoi medalje të bronztë në kampionatin evropian për grupmoshën e kadetëve (U-18), në kategorinë deri 66 kilogramë. Tashmë ka nisur procedura për pajisje me pasaportë të Kosovës të Jasharit dhe ai do të përfaqësojë Kosovën në gara ndërkombëtare. Kështu që medalja e fituar prej tij mund të mbetet për kohë të gjatë e vetmja e Maqedonisë së Veriut në kampionate evropiane e po ashtu në gara të mëdha të xhudos.

Hamza Jashari është shprehur shumë i lumtur që do të punojë nën urdhrat e trajnerit Driton Kuka, që ka nxjerrë kampione olimpike e botërore, si Majlinda Kelmendin e po ashtu kampionë evropianë dhe xhudistë të nivelit më të lartë botëror, si Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova, Loriana Kuka, Shpat Zeka, Laura Fazliu, Erza Muminoviq e disa të tjerë.