` . Hamilton pranë titullit, fiton në Meksikë - TV-SHENJA

Hamilton pranë titullit, fiton në Meksikë

Lewis Hamilton e ka fituar garën për Çmimin e Madh të Meksikës me një vozitje të kontrolluar në garën me Ferrarin dhe në këtë mënyrë i është afruar shumë titullit të botës.

Britaniku do ta festojë titullin e gjashtë në garën për Çmimin e Madh të SHBA-ve të dielën e ardhshme, me kusht që të mos humbë më shumë se 22 pikë kundrejt kolegut të tij të Mercedesit, Valtteri Bottas.

Gara e kësaj jave ishte e gjitha ndërmjet katër pilotëve – dy të Mercedesit dhe dy të Ferrarit, ndërsa i pari përfundoi Hamilton.

I dyti ishte Sebastian Vettel (Ferrari), i treti Valtteri Bottas (Mercedes) dhe i katërti Charles Leclerc (Ferrari).

Në renditjen e përgjithshme për pilotë, prin Hamilton (me 338 pikë), i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës, Bottas (274 pikë), ndërsa në vend të tretë është Leclerc (me 223 pikë). /Telegrafi/