` . Hamilton fiton në Amerikë, por Vettel i shtyn festën - TV-SHENJA

Hamilton fiton në Amerikë, por Vettel i shtyn festën

Lewis Hamilton është gjithnjë e më pranë fitimit të titullit të tij të 3-t kampion me Mercedesin dhe të 4-tit në karrierë në Formula 1. I nisur nga pole-position piloti anglez triumfoi në Cmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke regjistruar suksesin e 5-t në 6 garat e fundit dhe të 9-tin sezonal. Në Texas në pistën e Austin, Hamilton la pas rivalin e tij të madh në garën për titull gjermanin Sebastian Vettel i cili i hapi vetëm disa probleme të vogëla në startin e garës pilotit anglez.

Me këtë sukses Hamilton u ngjit në kuotën e 331 pikëve dhe tashmë tre gara përpara fundit ka nevojë për vetëm 9 pikë nga 75 në dispozicion për t’u shpallur zyrtarisht kampioni i ri i Botës në Formula 1. Pas Vettel u rendit talenti holandez Max Verstappen i cili surprizoi finlandezin e Ferrarit Raikonnen me një parakalim spektakolar në kthesën e fundit. Por buzëqeshja për një podium të merituar iu ngri në fytyrë pilotit të Red Bull i cili u dënua nga komisarët e garës me 5 sekonda penalitet dhe në këtë mënyrë i dorozoi vendin e tretë Raikkonen. Pas Verstappen u rendit një tjetër finlandez Valteri Bottas që e mbylli garën i 5-ti i ndjekur nga Ocon dhe Sainz. /SS/

Postime të Ngjajshme