` . Habit këshilltari i Red Bull, u propozon pilotëve të infektohen me Covid-19 - TV-SHENJA

Habit këshilltari i Red Bull, u propozon pilotëve të infektohen me Covid-19

Këshilltari i ekipit të Formulës 1 Red Bull Racing Helmut Marko i propozoi pilotëve të skuadrës austriake për t’u infektuar me koronavirus, me qëllim përshtatjen dhe përgatitjen në mënyrën më të mirë të mundshme për sezonin e ri të këtij sporti. Në një kohë kur të gjithë po bëjnë çmos për të respektuar masat shtrënguese, për t’iu shmangur sa më shumë që të jetë e mundur virusit COVID-19 ka befasuar jo pak kërkesa e njërit prej drejtuesve më të lartë të ekipit Aston Martin Red Bull Racing, veteranit austriak Helmut Marko, ish-pilot i garave automobilistike, që prej kohësh mbulon rolin e këshilltarit kryesor të numrit 1 të skuadrës Christian Horner.

77-vjecari nga Graci që drejton programin e zhvillimit të pilotëve, duke filluar që nga moshat e reja, mësohet se i propozoi ekipit që të marrë parasysh infektimin në mënyrë të vullnetshme të të gjithë pilotëve të skuadrës. Ashtu si edhe shumë sporte të tjerë edhe Formula 1 është prekur në mënyrë të pashmangshme nga zhvillimet globale, e për rrjedhojë 8 gara nga edicioni i 71 i këtij aktiviteti janë anuluar ose shtyrë për një tjetër datë në vazhdim.

Kështu gara më e afërt që është lënë në kalendar është ajo e Çmimit të Madh të Kanadasë, në mesin e muajit qershor dhe Helmut Marko është i bindur se një zgjidhje e tillë do t’i ndihmonte vërtet shumë pilotët e skuadrës në aspektin psikologjik për të përballuar siç duhet me sezonin e ri. Veterani austriak hodhi idenë për t’i grumbulluar të gjithë pilotët e ekipit, si dhe për t’i mbledhur bashkë me pilotët më të rinj në një kamp të veçantë, për të përballuar në këtë mënyrë në izolim këtë periudhë tepër të vështirë, gjithsesi sipas tij kjo do të ishte zgjidhja më e mirë dhe periudha më e përshtatshme për të gjithë pilotët për t’u përballur me infektimin me virusin COVID-19.

Marko propozoi një ide të tillë, duke u bazuar te forca fizike dhe gjendja e shkëlqyer shëndetësore e pilotëve të skuadrës dhe sipas 77-vjeçarit çdonjëri prej tyre do të ishte në gjendje për t’u përballur me këtë lloj situate, gjë që natyrisht do t’i përgatiste më së miri pilotët e skuadrës për sezonin, në çfarëdo lloj date që të vendoset për të startuar me garat. Ideja e propozuar nga këshilltari Helmut Marko sidoqoftë u hodh poshtë njëzëri nga gjithë bordi drejtues i skuadrës, që ishte në mënyrë kategorike kundër një vendimi të tillë.

Helmut Marko e bëri të ditur idenë e tij fillimisht në një intervistë në televizionin shtetëror austriak ORF, ku deklaroi se pilotët kryesorë të ekipit bashkë me grupin tjetër me 8 apo 10 pilotë të rinj mund të grumbulloheshin pikërisht në një kamp të tillë, për t’u përgatitur jo vetëm në aspektin psikologjik por gjithashtu edhe në atë fizik. Drejtuesit e Formulës 1 kanë deklaruar se në dyshim për sezonin e ri mbeten gjithashtu edhe garat e Kanadasë, Francës, Austrisë dhe Britanisë së Madhe, që janë programuar për t’u zhvilluar në periudhën qershor – korrik.

Helmut Marko e justifikoi idenë e tij duke deklaruar se sezoni i ri mund të shtrihet në një distancë prej 15 ose 18 gara, nga 22 që ishin fillimisht gjithsej në kalendar, megjithatë veterani austriak beson se në aspektin fizik kjo lloj zgjidhje do t’i kaliste më së miri pilotët e skuadrës, pasi garat e këtij sezoni mund të zgjasin praktikisht deri në janarin e vitit të ardhshëm dhe në mënyrë të kuptueshme do të ketë një ngjeshje të pashmangshme të kalendarit.

77-vjecari shpjegoi se edhe për garën e shtëpisë, që është programuar për t’u mbajtur më datë 5 korrik në Spielberg, në Red Bull Ring, është e pamundur për t’u thënë me saktësi nëse do të zhvillohet rregullisht sipas programit dhe për drejtuesit do të ketë fare pak rëndësi nëse gara do të ndiqet nga 50.000 apo 100.000 spektatorë, sepse natyrshëm gjithcka lidhet me hapjen e kufijve dhe përmasat që do të marrë virusi COVID-19, por mbi të gjitha edhe me shtrirjen në kohë dhe efektet që do të krijojë në vende të veçanta.

Veterani austriak dyshon se e ka kaluar koronavirusin që në mesin e muajit shkurt, pasi ka patur simptoma të ngjashme, por gjithsesi Helmut Marko pranoi se nuk i është nënshtruar asnjë testi të vecantë. Me krenari ai rrëfeu se ekipi i tij që e ka bazën në Mbretërinë e Bashkuar, në Milton Keynes, në Buckingamshire po ndihmon duke dhënë një kontribut të veçantë në prodhimin e ventilatorëve, për të rritur kapacitetet e spitaleve në ishull.

Marko shpjegoi se pavarësisht zhvillimeve globale të këtyre muajve ekipi nuk ka patur humbje, madje duke mos garuar skuadra ka reduktuar shpenzimet, sidoqoftë më herët drejtuesit më të lartë të Grupit Liberty që kontrollon Formulën 1 kanë thënë se impakti i koronavirusit pritet të shkaktojë humbje të mëdha financiare që shkojnë deri në 200 apo 300 milionë dollarë.