` . Guta Lindore, nga mijëra të sëmurë evakuohen vetëm 25 – TV-SHENJA

Guta Lindore, nga mijëra të sëmurë evakuohen vetëm 25

Njëzet e pesë të sëmurë janë evakuuar nga Guta Lindore, rajon në afërsi të Damaskut i cili mbahet i rrethuar nga regjimi i Bashar Asadit dhe mbështetësve të tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftojnë gazetarët e AA-së në rajon, 25 të sëmurë kronikë në Gutën Lindore janë evakuuar nga ana Gjysmëhënës së Kuqe të Sirisë.

Evakuimi i grupit në mesin e të cilit kishte edhe fëmijë dhe gra është realizuar në kuadër të marrëveshjes së arritur mes Rusisë dhe Xhejshul Islam nën garantimin e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Rijad Abdulaziz, kryetari i kuvendit lokal të Gutës Lindore, për AA tha se deri më tani janë nxjerrë 25 persona dhe se kjo shifër më së shumti do të rritet deri në 35-40.

“Kjo gjë nuk duhet të kuptohet sikur ‘civilët po evakuohen'”, potencoi Abdulaziz.

Grupi më i madh opozitar në rajon Xhejshul Islam përmes një deklarate me shkrim kishte njoftuar se kanë arritur marrëveshje për evakuim me Rusinë nën monitorimin e OKB-së.

Rreth 400 mijë civilë të Gutës Lindore, të rrethuar prej pesë vitesh nga regjimi i Asadit, luftojnë për mbijetesë

Rajoni ishte shpallur zonë e deeskalimit në marrëveshjen në Astana, por edhe përkundër kësaj, pjesëtarët e regjimit të Asadit, vend garantues i të cilit është Rusia, nga muaji prill i vitit të kaluar ka intensifikuar rrethimin, ndërsa muajt e fundit edhe sulmet.

Kriza humanitare në Gutën Lindore përkeqësohet me kalimin e ditëve, ndërsa mijëra civilë kanë nevojë të evakuohen në mënyrë urgjente, shumica prej të cilëve janë fëmijë dhe persona të sëmurë nga kanceri.

Krahas kësaj, shumë fëmijë në Gutën Lindore kanë vdekur si pasojë e urisë dhe pamundësisë për qasje në barna.

Ditë më parë, Komisioni i Pavarur Hetimor Ndërkombëtar për Sirinë i OKB-së njoftoi se regjimi ka kryer një sërë krimesh lufte siç janë përdorimi i armëve kimike ndaj civilëve në Gutën Lindore, lënia e popullatës në uri dhe pengimi i evakuimeve për nevoja mjekësore.