` . Grupe pune për emrin, brenda javës propozim i ri (Video) – TV-SHENJA

Grupe pune për emrin, brenda javës propozim i ri (Video)

Çështja e emrit të shtetit do të merret në duar nga grupet e punës të cilat do të udhëhiqen nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë dhe Greqisë. Këtë e bëri të ditur ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, në një deklaratë për agjencinë e lajmeve “Rojters”. Ai tha se këto grupe punuese kanë për obligim që të zhvillojnë bisedime për zgjidhjen e problemit 25-vjeçar të emrit të Maqedonisë.

Shefi i diplomacisë pret që takimi i parë i grupeve të reja të punës të mbahet në shkurt ku edhe do të diskutohet për zgjidhjet e mundshme të problemit me emrin.

Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë

“U ndamë të bindur se ka vullnet nga të dyja anët që të shkohet përpara”

Në këtë intervistë, Dimitrov ka thënë se është e qartë se identiteti është shumë i rëndësishëm për palën maqedonase dhe duhet të gjendet mënyrë që të binden grekët se ekziston ndarje e qartë e Maqedonisë nga Greqia e Veriut.

Ndërkaq zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Canakapullos, dje ka deklaruar se Qeveria greke garanton se do të ekzistojë zgjidhje vetëm nëse ekziston angazhim i qartë tek Qeveria e Maqedonisë se do të lënë pas vetes qëndrimet irredentiste dhe ultranacionaliste. Ai ka sqaruar se pozicioni I Greqisë që emri i Maqedonisë duhet të jetë i përgjithshëm, të përdoret edhe në brendësinë e shtetit, respektivisht të ekzistojë ndryshim i emrit kushtetues. Vetëm kështu, siç thotë Canakapullos, do të mund të gjindemi në fushë të zgjidhjes.

Nga ana tjetër, gazeta greke “Katimerini” thotë se këtë çështje e presin manovrime të shumta dhe se sinjalet nuk janë të mira.

Ndryshe, raundi i dytë i negociatave për zgjidhjen e kontestit të emrit, pas ripërsëritjes së tyre është caktuar për më 17 janar në Nju Jork. Ajnur Bafqari /SHENJA/