` . Gruevski ndihet i lodhur, thotë se po ia bëjnë “Procesin e Kafkës” (Video) – TV-SHENJA

Gruevski ndihet i lodhur, thotë se po ia bëjnë “Procesin e Kafkës” (Video)

Prokuroria Speciale kërkoi paraburgim për të akuzuarin Millan Andonov në rastin e dhunës në Qendër. Gavrill Bubevski dhe Fatime Fetai kërkuan që ai të sigurohet në këtë mënyrë pasi është hera e tretë që ai mungon pa arsye të vërtetë dhe kjo sipas tyre është taktikë për të ikur nga drejtësia. Prokurori  Bubevski dyshonte edhe në vërtetësinë e raportit mjekësor.

FATIME FETAI, PROKURORE

“Prej se ka nisur gjykimi, i akuzuari mungon tashmë tre herë. Duket qartë se ai po i ik gjykimit prandaj propozoj qe ti shqiptohet masa e paraburgimit si mënyrë e vetme për ta siguruar praninë e tij”

GAVRILL BUBEVSKI, PROKUROR

“Ne këtu nuk do ta detyrojmë që të gropojë. Nuk bëjmë asnjë punë fizike. Edhe nëse dërgohet në paraburgim mund të mjekohet. Edhe atje do t’i japin këto amoksikllavët. Është dashur ta gjejnë një diagnozë më të besueshme. Të paktën të kishin shkruar se ka edhe temperaturë” , thanë prokurorët në mënyrë ironike.

Gjykatësi nuk e pranoi kërkesën për paraburgim por vetë kërkesa mjaftonte që të nxisë reagim të ashpër nga avokatët. Avokati Dimitar Dangov tha se është i tmerruar nga qasja e prokurorëve të Speciales që nuk respektojnë as të drejtën e shëndetit të qytetarëve. Për të kjo kërkesë është tentim për frikësim të të akuzuarve që të mos guxojnë të sëmuren.

As Nikolla Gruevski nuk qëndroi indiferent ndaj deklaratave të Speciales duke ironizuar edhe qasjen e gjithë gjyqësorit ndaj tij dhe të akuzuarve të tjerë nga VMRO.

NIKOLLA GRUEVSKI, I AKUZUAR

 “Çdo ditë ballafaqohemi me padrejtësi të reja dhe ndjehem sikurse në një prej veprave më madhështore kushtuar absurdit, Procesi i Kafkës. Vetë fakti se prokuroria mori guximin të kërkojë paraburgim për një person të sëmurë, është dëshmi se sa e humbur është kjo Prokur se sa ka devijuar kjo Prokurori”

Për shkak të mungesës së të akuzuarit Millan Andonov, seanca e sotme u anulua por u caktuan dy seanca gjyqësore në fillim të prillit. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/