` . (VIDEO) Gruevski dënohet, avokati paralajmëron ankesë, simpatizantët revoltohen – TV-SHENJA

(VIDEO) Gruevski dënohet, avokati paralajmëron ankesë, simpatizantët revoltohen

Ish-kryeministri i Maqedonisë dhe ish-lideri i VMRO –DPMNE-së Nikolla Gruevski u dënua me 2 vjet burg në rastin “Tanku”. Gruevski nuk ishte në sallë kur iu shqiptua ky dënim, e drejtë që i takon me ligj. Gjithashtu u dënua edhe Gjoko Popovski, ish ndihmësministër i Brendshëm. Gjykatësja Dobrilla Kacarska atij i shqiptoi dënimin 6 vjet e gjashtë muaj,  për keqpërdorim të pozitës zyrtare.  Ky është dënimi i dytë për Popovskin, pas atij  që mori para pak ditësh prej 9 vjetësh burg. Ata u obliguan t’i paguajnë edhe harxhimet e gjykimit.

DOBRILLA KACARSKA, GJYKATËSE

“Është nder të jesh kryeministër. Ai duhet të kujdeset për interesat e qytetarëve. Por, edhe çdo funksionar duhet ta dijë se e ka për obligim transparencën ndaj qytetarëve që janë taksapaguesit dhe mbushësit e buxhetit. Kryeministri nuk guxon që t’i nënçmojë kështu qytetarët siç ka bërë Gruevski. Ai duhet t’ua ruajë interesin”.

Gjykatësja Kacarska kujtoi edhe deklaratat e dëshmitarëve të mbrojtjes që të gjithë flisnin për makinën e vjetër që ju ka mbetur në rrugë vazhdimisht, por ajo tha se ky tender i paligjshëm është pjesë e akuzës e jo makina e vjetër. Kacarska kujtoi se ndaj Gruevskit janë ngritur pesë akuza të ndryshme me dënime të mundshme të larta, për bashkim kriminal, financim të paligjshëm zgjedhor dhe cënim të së drejtës së votës.

Mbrojtja u shpreh tejmase e pakënaqur ndaj këtij vendimi dhe siç njoftoi avokati Dimitar Dangov, ata do të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit.

DIMITAR DANGOV, AVOKAT

“Si mbrojtje në këtë lëndë, ndjejmë shumë keqardhje që Gjykata Themelore  Shkupi 1, nuk i pranoi argumentet e tona të fuqishme, të cilat lehtësisht do të bënin që kjo gjykatë të tërhiqte këtë vendim dhe do të sillte vendim për lirim, nga fakti se nuk egzistojnë kushte për vepër të përndjekur penale të asnjërit për të akuzuarit. Sigurisht që jemi të pakënaqur dhe do të paraqesim ankesë serioze kundër këtij vendimi të gjykatës”.

Përderisa Gruevskit po i shqiptohej dënimi, dhjetëra proestues e simpatizantë të tij ishin grumbulluar para gjykatësdhe në momentin  që e dëgjuan dënim për burgosjen e Gruevskit, shpërthyen në lot, brohorima, fjalë fyese e kercënuese si ndaj shtetit ashtu edhe ndaj shqiptarëve. Në shenjë revolte, protestuesit synonin që t’i hiqnin barrikadat të cilat policia i kishte vendosur në mënyrë që ata të mos mund të afrohen tek hyrja e gjykatës. Nga keqardhja për këtë vendim, njëri nga simpatizantët u alivanos dhe më pas ai u mor nga ndihma e shpejtë. Emine Ismaili /SHENJA/