` . Greqi, shtetasi rus i kërkuar nga SHBA do të ekstradohet në Rusi – TV-SHENJA

Greqi, shtetasi rus i kërkuar nga SHBA do të ekstradohet në Rusi

Një gjykatë në Greqi ka pranuar kërkesën e Rusisë për ekstradimin e shtetasit rus Aleksandr Vinnik, i cili kërkohet me akuzën për mashtrim, për të cilën më herët gjykata kishte vendosur të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), raporton Anadolu Agency (AA).

Gjykata në Selanik ka miratuar kërkesën e Moskës për të dyshuarin Vinnik, pasi një javë më parë miratoi ekstradimin e tij për në SHBA.

Vinnik kishte ankimuar në Gjykatën Supreme të Greqisë vendimin për ta pranuar kërkesën e SHBA-ve për ekstradim, ndërsa është shprehur se nuk do të marrë hap të ngjashëm lidhur me ekstradimin në Rusi.

Sipas ligjeve të Greqisë, vendimi përfundimtar për kërkesat për ekstradim nga dy shtete të ndryshme për një individ të caktuar merret nga ministri i Drejtësisë.

Moska zyrtare e kishte cilësuar si të padrejtë dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare vendimin për ekstradimin e shtetasit rus në SHBA.

Vinnik kërkohej nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për posedim të një prej faqeve më të mëdha të internetit e lidhur me krime kibernetike dhe për larje të afër katër miliardë dollarëve përmes kriptovalutës “Bitcoin” që nga viti 2011.

Vinnik ishte kapur në një hotel në afërsi të Selanikut, ndërsa ekstradimin e tij nga Greqia e kishte kërkuar edhe Rusia nën akuza të ndryshme mashtrimi.