` . Gratë shqiptare me syrin e Dora d’Istrias - TV-SHENJA

Gratë shqiptare me syrin e Dora d’Istrias

Elena Gjika, më shumë e njohur me pseudonimin Dora d’Istria, të cilën studiuesit sot e quajnë “feministja ballkanike”, në librin e saj “Les femmes en Orient” (Gratë në Orient), të publikuar plot 160 vjet më parë, flet për katër krahinat, që secila përbënë një “Shqipëri” në vete, për vuajtjet dhe për karakteristikat socio-antropologjike, psikologjike dhe anatomike të gruas shqiptare, duke i vënë në spikamë gratë gege me kobure në brez, bukurinë e rrallë të gruas toske, si dhe çamet zeshkane dhe labet e përvuajtura

Shkruan: Elsa POLLOZHANI, Strugë

Kalendari historik është i mbushur përplot me data, që lidhen me ngjarje dhe personalitete të rëndësishme të popullit shqiptar. Por, ka prej atyre personaliteteve që i kalojnë suazat kombëtare dhe marrin përmasa ndërkombëtare. Një ndër ato është Elena Gjika, më shumë e njohur në historiografinë botërore me pseudonimin Dora d’Istria, e cila me veprimtarinë e saj është bërë sinonim i pozitës së femrës. Meqenëse shkurti është muaji kur është lindur Dora d’Istria (1828-1888), ndërkaq marsi muaji i festës së gruas, atëherë është e kuptueshme që edhe artikulli kushtuar veprimtarisë së kësaj intelektuale me përmasa ndërkombëtare të lidhet me këto data. Kudo që ka qenë, ajo me krenari e ka theksuar prejardhjen e saj shqiptare.

Dora d’Istria, meqenëse ka jetuar përgjatë shekullit XIX, bashkëjetoi dhe u frymëzua nga proceset e fuqishme të krijimit të kombeve, si dhe të modernizimit shoqëror të vendeve të ndryshme evropiane. Kjo grua ka qenë një enciklopedi e vërtetë. Përveç shqipes e rumanishtes, ka njohur edhe pesë gjuhë tjera evropiane. Ka poseduar një vullnet të madh për hulumtime shkencore, si dhe një dëshirë të madhe për të vizituar vendet e ndryshme. Prandaj ka mbajtur edhe një korrespondencë e lidhje të drejtpërdrejtë me dijetarë dhe personalitete të shquara të kohës. Dhe, me të drejtë ajo njihet si “princesha e kulturës evropiane”.

Libri – traktat feminist ballkanik

Studiues të ndryshëm, pikëpamjet dhe përpjekjet feministe të Dora d’Istria i kanë identifikuar te dy librat e saj të titulluar: “Les femmes en Orient” (Gratë në Orient” – Zürich 1859, 2 vëllime) dhe “Des femmes, par une femme” (“Për gratë, nga një grua” – Bot. II, Bruxelles 1869, 2 vëllime). Në librin e parë shkruan për emancipimin e grave në Levant (i njohur si Mesdheu Lindor), kurse në librin e dytë ajo e krahason gjendjen e grave në Evropën latine me atë të Gjermanisë. Ajo, shumë fuqishëm, ka kërkuar barazinë e plotë të grave. Dhe, jorastësisht, Dora d’Istria llogaritet si njëra ndër katër gratë më të shquara në Evropë, të cilat përmes fjalës së shkruar promovonin feminizmin dhe të drejtat e grave. Prirjet e saj feministe më së miri i kanë përkufizuar studiueset kroate: Marina Mateshiq dhe Svetlana Slapshek në librin e tyre të titulluar “Gjinia dhe Ballkani”, të botuar në vitin 2017, ku ndër tjera shprehen: “Dora d’Istria feministja ballkanase”. Sipas këtyre autoreve, Dora d’Istria gjithashtu zë vend të spikatur në grupin e grave të para udhëpërshkruese të shekullit XVIII dhe XIX në Evropë, ku bëjnë pjesë: Marija Karlova, Pauline Irby, Mari Montagu, Georgin Mekenzi dhe Jelena Dimitreviç. Këto janë, pra, femrat e para udhëpërshkruese, që vihen përballë dominimit shekullor të meshkujve të njohur si udhëpërshkrues, të cilët asokohe i binin kryq e tërthor botës orientale lindore.

Autorët në fjalë pohojnë se Dora d’Istria “i hulumton diskurset opresive të intimitetit dhe dashurisë, çmendurisë dhe menstruimit femëror, (pa)pastërtisë, amësisë, inferioritetit fizik të femrave, por edhe çështjet lidhur me pamjen dhe bukurinë, duke nënvizuar edhe kompleksitetin e sistemit patriarkal të së kaluarës evropiane si një shembull të zhvillimit të civilizimit”. Prandaj këto dy autore librin e d’Istrias e konsiderojnë si “traktatin e parë feminist për Ballkanin” dhe rekomandojnë për ta lexuar si një kartë socio-politike të specifikave historike, kulturore dhe shoqërore të vendeve të Ballkanit, të cilin Evropa asokohe në mënyrë arbitrare e ka konsideruar gjeografikisht si Orient ose Lindje.

Katër “Shqipëritë” e d’Istrias

Vepra dyvëllimëshe: “Les femmes en Orient” e shkrimtares Dora d’Istria është një libër tejet interesant, në të cilin shprehet adhurimi dhe dashuria e saj ndaj të gjitha grave të Gadishullit Ballkanik, ku vjen në shprehje humanizmi dhe mendimi progresiv i kësaj intelektuale për emancipimin femëror. Në kuadër të vëllimit të parë të këtij libri, i shkruar me një frëngjishte arkaike të shekullit XIX, mjaft e vështirë për t’u përkthyer, hasen edhe përshkrimet e saj që i ka bërë gjatë një udhëtimi nëpër viset e ndryshme shqiptare, ku ka sjellë informacione nga e kaluara historike dhe aktualiteti i shqiptarëve të asaj kohe. Rreth 100 faqe të kapitullit IV të vëllimit të parë të librit “Gratë në Orient”, d’Istria ia ka kushtuar gruas shqiptare, duke vënë në spikamë karakteristikat socio-antropologjike, psikologjike dhe anatomike të saj.

Personalitetin e gruas shqiptare ajo e përshkruan në kontekstin gjeografik, historik dhe social të gjendjes së popullit të saj. Duke folur për popullin shqiptar, Dora d’Istra edhe njëherë e konfirmon të kaluarën e lashtë dhe autoktoninë e popullit të saj. “Shqiptarët nuk kanë dalë jashtë kornizave të vlerës së paraardhësve të tyre… Akoma konsiderohen si luftëtarët më të mirë të lindjes. Por, mospajtimet fetare i ndalojnë forcat e tyre në mënyrën më të keqe dhe e kërcënojnë këtë popull të famshëm me një shkatërrim të plotë”.

Dora d’Istria, në një mënyrë shumë të hollësishme dhe me fakte, flet për Shqipërinë, sidomos për gjendjen dhe rolin e femrës shqiptare të asaj kohe. Duke u ndaluar nëpër krahina të ndryshme, ajo e përshkruan femrën shqiptare nëpërmjet, siç i quan d’Istria, katër konfederatave: Gegërisë, Toskërisë, Labërisë dhe Çamërisë, që për d’Istrian secila përbën një “Shqipëri” në vete, ajo në hollësi e përshkruan Çamërinë shqiptare, Tivarin shqiptar dhe flet për Mirditën si “zemra e katolicizmit shqiptar”.

 Geget koburen – tosket bukurinë

Ashtu siç ndryshonin krahinat dhe zakonet për kah veçantia e tyre, ashtu ndryshonte edhe gjendja e femrës shqiptare. “Ato ndryshonin ashtu si edhe vetë kostumet e tyre në pjesë të ndryshme të Shqipërisë”, ka nënvizuar d’Istria. Me sa duket, d’Istria krahinën e Mirditës e identifikon me Gegërinë, të cilën e quan edhe “teatri i luftërave të përgjakshme”. Mirdita, pohon shkrimtarja, e përfshin veriun e provincës pas Shkodrës deri në Prizren, si dhe nga Elbasani deri te burimet e lumit Buna. Në këtë pjesë të bregdetit të Adriatikut shtrihen: Budva, Tivari, Ulqini dhe Durrësi. Shqiptarët e Tivarit dhe Ulqinit janë muhamedan suni të vendosur, por që kanë frikë të kalojnë nëpër tokat e të krishterëve. Gegët, që nuk e praktikojnë islamin, janë katolikë të përkushtuar, jo më pak të ashpër. Ata që jetojnë në fushën e Mirditës njihen me emrin mirditorë dhe përbëjnë “zemrën e katolicizmit shqiptar”… Kështu e ka përshkruar këtë pjesë të Gegërisë Dora d’Istria.

Ndërkaq lidhur me femrat e Gegërisë, d’Istria ka nënvizuar siç vijon: “Murgjit katolikë në Mirditë janë agjentët aktivë të propagandës austro-romake. Ata kanë inspiruar te femrat një zell të madh kundër skizmës. Qysh në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, femrat e Mirditës ecin me kobure në brez, të shoqëruara nga qen të egër, që të lashtit i quanin molosë. Të holla dhe krenare, te huaja ndaj çdo kënaqësie, të veshura me një këmishë të kufizuar me të zeza, një pallto të bardhë dhe një përparëse po të njëjtës ngjyrë, ato përngjajnë si Diana e dëlirë dhe e tmerrshme altarët e të cilëve u ngritën në Tauridin e përgjakshëm”.

Dora d’Istra flet më me pietet për Toskërinë. Toskëria (Myzeqeja), shkruan ajo, që për kryeqytet ka Beratin, qeverisej nga një pasha dhe një kryepeshkop grek, ka qenë e rrethuar me vreshta dhe ullinj, ndërsa kalaja e tij ngrihej mbi një shkëmb piktoresk. Toskëria, e banuar nga të krishterët ortodoks dhe myslimanët e ritit shiit, shquhet për një popullatë më pak të ashpër sesa Gegëria. Kjo popullatë është më e bukura e Shqipërisë. Toskët kanë sy të kaltër, janë më gazmorë, kanë hundë romake dhe lëkurë plot ngjyrë. “Femrat myslimane të këtij vendi janë stoli të haremeve. Por, ama ato mund të kishin shërbyer edhe si model për Fidiasin dhe Praksitelin (skulptorët klasik grek, v. j.) . Shqiptarët mysliman kanë vetëm një grua, dhe ajo nuk është as e mbuluar dhe as e mbyllur, ajo merr pjesë në gjitha veprimtaritë e jetës së jashtme dhe aty përzihet me një energji të njëjtë”, shkruan d’Istria.

Portretin e shqiptares së denjë Dora d’Istria e sjell nëpërmjet personazhit të Eminesë, gruas së parë të Ali Pash Tepelenës, e cila – ndonëse ishte e bija e një përbindëshi, gruaja e një tirani, kunata e Shanisha-së (Çajnitzës), ajo ruajti zemërmirësinë atje ku triumfon mashtrimi, dhuna dhe pasionet më famëkeqe. “Karakteri i Eminesë, gruas së Aliut, i përngjan pak atij të Kamco dhe Çajnitzës. Modeste, dashamirëse, e çliruar nga fanatizmi, ekzistenca e saj vazhdon të përbuzë keqtrajtimet dhe mizoritë ku ajo ishte dëshmitare e detyruar. Vdekja e saj duhet të ishte e denjë për jetën e saj. Ajo ra viktimë e një bamirësie shumë të huaj për femrat myslimane, bamirësi që nuk bënte dallim mes krishterëve dhe muhamedanëve kur bëhej fjala për të mbrojtur të shtypurit nga tërbimi apo politika kriminele e vezirit të Janinës. Kështu, kujtimi i Eminesë, në Shqipëri, është ende i rrethuar nga një areolë me popullaritet prekës.”, ka nënvizuar d’Istria.

Çamet zeshkane, labet të përvuajtura

Çamëria, që gjendet përballë ishujve të Jonit, është një ndër kontrastet më qesharake të lindjes. Dora d’Istria, duke mos iu dhënë entuziazmit patriotik, për t’i lëvduar mrekullitë e këtij vendi të bukur, përqendrohet te vuajtjet e çamëve. Çamët, që me shumicë janë muhamedan suni, shfaqin një prirje të vendosur drejt qytetërimit. Shkrimtarja vë në pah sidomos bukurinë e rrallë të gruas çame: “Në luginat të Çamërisë admirojmë bukurinë e atyre virgjëreshave me sy të zi, flokët e gështenjta të cilave arrijnë deri poshtë këmbëve. Sot çdo gjë ka ndryshuar”. Por, nuk e lë pa e dënuar gjendjen e mjerueshme që mbretërimi i Ali Pashës dhe pasardhësit e tij ua kanë shkaktuar banorëve të kësaj krahine. Këto luftëtarë të mrekullueshëm, që hasen të stolisur me armë, ashtu si edhe toskët, kanë përkulur kokën. “Gratë e tyre me këmbë të bukura, me bel të hollë, pamje të hijshme, me shikim fitimtar, bien në mjerim, dhe nëse është e nevojshme, detyrohen të punojnë arën, për të zëvendësuar qetë të hequr nga pashallarët”.

Tokat e Labëve, vë në pah, Dora d’Istria, nuk janë të favorizuara nga qiejt ashtu si luginat e bukura të banuara nga çamët. E dominuar nga malet e Himarës, konfederata e Labëve nuk përmban veçse një popullsi mizore, e ekspozuar ndaj uraganit aq të dhunshëm, saqë thyejnë pemët, rrëzojnë fshatrat dhe gremisin kopetë në humnerat të pa fund. Dhërmia, Himara, Porto-Palermo, të gjitha rreth detit, janë lokalitetet kryesore të kësaj krahine. Porto-Palermo ofron dalje në luginën e Delvinës, pjesa e vetme e kultivuar e Labërisë, gjë të cilën një popull më aktiv dhe më inteligjent do ta transformonte në një “parajsë” tokësore. Qyteti i Delvinës, i ndërtuar në shpatin e një mali, dominon mbi tokën pjellore, të pasur me ulli, limon dhe shegë. Kështjella, që qëndron mbi një kodrinë, është vendbanimi i pashait.

Labët, që i përkasin Islamit dhe Kishës Ortodokse, vazhdon përshkrimin e saj d’Istria, kanë qenë të detyruar të luftonin përjetësisht kundër stuhive të ndryshme, por të pafuqishëm dhe të pakultivuar nuk kanë bërë ndonjë progres drejt qytetërimit. Labët konsideroheshin nga shqiptarët e krahinave të tjera si më pak të moralshëm, por edhe të korruptueshëm, ndaj edhe flisnin për ta me përbuzje. “Labët jetojnë në ujë si peshqit e detit. Gratë e tyre aty kalojnë gjysmën e jetës. Me lëkurë të zezë dhe të shndritshme, me gjokse të tharë, me bark të madh, nënkuptojnë një jetë pothuajse kafshësh. Labët nuk konsideronin martesën institucion të rëndësishëm”, njofton, midis tjerash, Dora d’Istria.

Në këtë kapitull ajo shkruan edhe për trimërinë e grave suljote dhe shumë grave të tjera shqiptare. Por, ajo shkruan edhe për gratë me prejardhje greke, mbi fatin tragjik të Frosinës ose edhe zhdërvjelltësinë e Vasilikës. Dhe, si përfundim do të shtonim se, sipas Dr. Stilian Adhamit, Dora d’Istria e ka shprehur admirimin për femrën shqiptare me përgjigjen që u jep, më 4 maj të vitit 1881, treqind vajzave të shkollave të Shkodrës, të cilat në shenjë mirënjohje i patën çuar shkrimtares një penë argjendi, me ç’rast ajo është shprehur: “E marr me mend penën e bukur të shqiptarëve të mija të dashura, të cilat do kisha dëshirë t’i përqafoja një ditë. Uroj që kjo penë më e fortë se një skeptër të përdoret gjer në fund të jetës sime për mbrojtjen e nderit dhe të drejtave të Shqipërisë, atdheut tim të nderuar”.

Sigurisht, që me një artikull nuk absolvohet dot tema lidhur me gruan shqiptare të shekullit XIX, por nëpërmjet tij mund të aktualizohet nxitja e një projekti studimor ndërdisiplinor kushtuar gjinisë femërore të popullit shqiptar.