` . Godina që e ka më të fuqishme simbolikën se muret – TV-SHENJA

Godina që e ka më të fuqishme simbolikën se muret

Marrëdhëniet juridiko-pronësore të objekteve që përbëjnë kompleksin kanë ndryshuar disa herë. Për këtë ka pasur rol edhe tjetërsimi i pushteteve dhe zhvillimet politike, të cilat kanë rezultuar me shpërngulje të qytetarëve (siç ishte ai në Turqi i pas-Luftës së Parë Botërore) ose edhe eksproprijimi si akt shtetëror i periudhës së Jugosllavisë.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren  

Kompleksi muzeor i Lidhjes së Prizrenit gjendet në njërën ndër pjesët më mbresëlënëse të qytetit: pranë gurgullimës së Lumëbardhit dhe hijes së pasdites, që lëshohet rrëzë shpatit në maje të të cilit shtrihet Kalaja, kjo pararendëse në histori për objektet poshtë. Në afërsi është edhe kompleksi i Marashit, tani shëtitore dhe park i frekuentuar nga vendasit dhe vizitorët.

Ajo që na është fiksuar në kujtesë si ndërtesa e “Lidhjes” në të vërtetë është pjesë e një kompleksi të tërë, i cili është ndërtuar në periudhën e ngritjes së xhamisë së Gazi Mehmed Pashës (vitet 1573-1574), e njohur si xhamia e Bajraklisë (vendi ku është mbajtur Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit). Historianët vënë në spikamë se edhe objektet monumentale të kompleksit të Lidhjes, siç janë medreseja, tyrbja, biblioteka e, po ashtu, edhe ndërtesa e Lidhjes, janë të ndërtuara nga po i njëjti pasha. Kjo e fundit fillimisht ka shërbyer si dershane (mësonjëtore/leximore) e kompleksit. Në periudhën 1878-1881 ndërtesa në fjalë u shfrytëzua si rezidencë qeveritare-administrative e Lidhjes së Prizrenit.

Në vitin 1795 i ati i Ymer Prizrenit, myderriz Sylejman Efendiu, i kishte ndërtuar pesë dhoma shtesë në godinën e medresesë dhe që të gjitha i kishte notifikuar si dhuratë për medresenë me një vakëfname para kadiut të kohës. Për më tepër, kishte dhuruar edhe një sasi të konsiderueshme të hollash për mirëmbajtjen e saj.

Marrëdhëniet juridiko-pronësore të objekteve, që përbëjnë kompleksin, kanë ndryshuar disa herë. Për këtë ka pasur rol edhe tjetërsimi i pushteteve dhe zhvillimet politike, të cilat kanë rezultuar me shpërngulje të qytetarëve (siç ishte ai në Turqi i pas-Luftës së Parë Botërore) ose edhe eksproprijimi si akt shtetëror i periudhës së Jugosllavisë.

Kah fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX tek ndërtimet dhe restaurimet e ndërtesave të moçme vërehet ndikimi i stilit barok nga Evropa me elemente të neoklasicizmit.

Periudha e pas Luftës së Dytë Botërore sjell një stil të ri të pamjes së qytetit, duke shkatërruar në masë të konsiderueshme një numër objektesh autentike me qëllim të zgjerimit të rrugëve dhe “ofrimit më të mirë të shërbimeve komunale” në kuadër të planit të ri urbanistik. Në vitin 1948 është eksproprijuar një pjesë e oborrit të medresesë për nevojat e fabrikës së stofrave, ndërsa katër vite më vonë edhe një pjesë me qëllim të zgjerimit të rrugës kryesore. Madje, në vitin 1955 ishte planifikuar që të rrënohen të gjitha objektet përbërëse të kompleksit, me përjashtim të xhamisë së Bajraklisë, por me politikat “liberale” të Titos ky plan ishte anuluar. Kjo dukuri e ka prekur edhe kompleksin e Lidhjes, në të cilën janë rrahuar ca pjesë të vjetra. Kështu, në vitin 1968, me arsyetimin e ndërtimit të rrugës së re, janë rroposur disa objekte në atë lagje, ndërkaq ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit është zhvendosur për disa metra në hapësirën ku gjendet edhe sot. Në po atë vit ndërtesa, që dikur njihej si Rezidenca Qeveritare e Lidhjes, u cilësua si përmendore dhe u vu nën mbrojtjen e shtetit. Në përvjetorin e 90-të solemnisht është hapur si muze dhe ka kaluar në pronësinë shoqërore.

Në vitet 1976-78, me qëllim të formimit të kompleksit muzeor, kjo me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes, janë bërë intervenime urbanistike, duke i rrënuar disa objekte përreth kompleksit të Gazi Mehmed Pashës. Gjithashtu janë bërë edhe ca restaurime dhe konservime në kompleks.

Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës më 1989, situata politike qe tensionuar mjaft. Kjo ndikoi edhe në trashëgiminë kulturore shqiptare. Në vitin 1991 janë grabitur dymbëdhjetë eksponate autentike origjinale nga kompleksi dhe fati i tyre nuk u bë i njohur asnjëherë. Krahas dhimbjeve shpirtërore dhe dëmeve materiale që i solli lufta e fundit në Kosovë, ajo e preku edhe ndërtesën e Lidhjes. Dhunëtarët pushtues nuk mund a kapërdinin shëmbëllimin e lavdishëm të Lidhjes së Prizrenit. Të stisur nga urrejtja ndaj gjithçkaje shqiptare, në orët e vona të datës 27 mars 1999, forcat e regjimit e qëlluan me armë ndërtesën e Lidhjes, duke e shkatërruar tërësisht atë. Më pas përhapën lajmin se gjoja NATO e paskësh bombarduar muzeun. Brenda javës, në atë hapësirë mbollën fidanë dhe larguan shtatoret e Ymer Prizrenit dhe Abdyl Frashërit, që kishin qenë në oborr të kompleksit që nga viti 1978.

Me përfundimin e luftës dhe çlirimin e vendit, ndërtesa e Lidhjes është projektuar dhe rikonstruktuar. Punimet kanë përfunduar më 10 qershor 2000. Tri vite më pas është ristrukturuar oborri i kompleksit të Lidhjes së Prizrenit dhe që atëherë kjo ndërtesë e gëzon epitetin e Muzeut Historik. Këtu janë të paraqitura eksponate që dëshmojnë për zhvillimin e ngjarjeve politike gjatë periudhës 1878-1881.

Sot kompleksi muzeor i Lidhjes në gjirin e vet e ka ndërtesën e Lidhjes së Prizrenit, në të cilën eksponohen dokumente të kohës, armë të vjetra dhe figura të protagonistëve të Lidhjes, ndërtesën e ish-medresesë, ku gjenden veshmbathje karakteristike të viseve shqiptare dhe galeri me piktura që i janë kushtuar historikut të Lidhjes, si dhe një pjesë të ish-bibliotekës, e cila në vitin 1983 qe mbyllur me presionin e pushtetit të kohës.

Në aspektin arkitektonik, godina e Lidhjes ka planimetri drejtkëndëshe dhe përbëhet nga përdhesi dhe një kat, karakteristikë e shtëpive të vjetra prizrenase. Kati del në formë konsole me pamje kah rruga kryesore. Fasada e saj është e bardhë. Përreth ndërtesës është ngritur një mur me pjesë të hapura në midis, në të cilat ka parmakë.

Ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit është shndërruar në simbolin identifikues të qytetit. Ndonëse Prizreni është kopshti më i bukur i trashëgimisë kulturore në Kosovë, në të cilin janë të “kultivuara” një numër i konsiderueshëm godinash me vlerë historike e arkitektonike, “Lidhja” është ai trëndafili që dallohet në mesin e shoqeve. Edhe sot e kësaj dite, ndërtesa e Lidhjes është pjesë e logos zyrtare të Komunës së Prizrenit. Mbi të gjitha, “Lidhja” është dëshmi. Dëshmi se simbolika e një ngjarjeje të ngjizur në mbamendjen kolektive dhe vetëdijen kombëtare vlen më tepër se një godinë e bërë me gurë e beton. Prandaj, megjithëse ka pësuar zhvendosje e rrënim, ajo e ruan madhështinë e saj sikur në ditët kur delegatët e 1878-shit gravitonin në ato hapësira. Dhe, kjo me të vetmen arsye: sepse “Lidhja” bashkon, krijon unitet si rrallëherë në të kaluarën e kombit.