` . Gjykata hodhi poshtë kërkesën e Prokurorisë Speciale për paraburgim - TV SHENJA

Gjykata hodhi poshtë kërkesën e Prokurorisë Speciale për paraburgim

Gjykatësi në procedurën paraprake në rastin “Titanik” ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorisë speciale për paraburgimin e katër nga 9 personat sa janë përfshirë gjithsej në këtë rast. Nga Gjykata themelore Shkupi 1 njoftuan sot se gjykatësi hetues ka lënë të lirë Mile Janakievskin, Edmond Temelkon dhe dy persona të tjerë të cilët vetë janë paraqitur mbrëmë në gjykatë menjëherë pas dorëzimit të kërkesës së prokurorisë speciale. Vetëm për Temelkon gjykatësi ka vendosur që i njëjti të paraqitet një herë në javë në gjykatën e Resnjës. Por, fjalën e fundit do ta ketë këshilli penal i Gjykatës , ku prokurorja Katica Janeva do të mund të ankohet.
“Lidhur me personin E.T. refuzohet propozimi për paraburgim dhe i caktohet masa preventive, paraqitje në gjykatën e Resnjës një herë në javë. Duke mbajtur llogari që të mos zbatohet masë më e rreptë për siguri nëse qëllimi i njëjtë mund të arrihet me masë tjetër, aq më tepër për gjendjen e dukshme shëndetësore të personit. Lidhur me tre personat e tjerë vendimi I gjykatësit në procedurën paraprake është se propozimi refuzohet. Shkaqet për këtë vendim janë shkruar në arsyetimin, për të cilin është dhënë afat për ankesë brenda 24 orëve dhe për faktin se nuk janë të plotfuqishme nuk mund të komentojmë më tepër, ndërsa kur do të bëhen të plotëfuqishme do të publikohen nga ana e gjyqit”, ka deklaruar Paula Bozhinovska, zëdhënës e Gjykatës.
Ngja Gjykata themelore Shkupi 1 thanë se të hënën do të merret në pyetje edhe një person me inicialet I.G. I dyshuar për falsifikim të rezultatit zgjedhor në zgjedhjet lokale të vitit 2013 në Komunën e Çairit. Ndërkaq katër personat e tjerë ndodhen jashtë vendit dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë kanë dëshmuar këtë me biletat e udhëtimit. Gjykata nuk ka caktuar datën se kur të njëjtit do t’i marr në pyetje, por thanë se kjo do të ndodhë pasi ato të kthehen në vend.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i prokurorisë speciale prej ku paralajmërojnë se do të ankohen ndaj vendimit të gjykatësit në procedurën paraprake i cili i la të lirë katër të dyshuarit e parë.  “Gjykata Penale në Shkup tani për tani lëshoj mundësin që të shkruhet në historinë e Republikës së Maqedonisë. Pasojnë ankesat”, ka shkruar në faqen zyrtare të prokurorisë special në Facebook.

Mbrëmë në Gjykatën themelore Shkupi 1 u paraqitën ish ministri për Transport dhe Lidhje, Mile Janakieski dhe kryetari i Pustecit, Edmond Temelko, të cilët nga Prokuroria Speciale u apostrofuan si të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kriminalizim të procesit zgjedhor. I pari që u mor në pyetje ishte Edmond Temelko, ndërsa më vonë rreth orës 9 të mbrëmjes në Gjykatë u paraqit edhe Mile Janakieski. Të dy të akuzuarit u larguan nga Gjykata pas mesnatës dhe nuk pranuan të komentojnë rastin. Prokurorja speciale publike, Katica Janeva dhe ekipi i saj paraditën e të premtes në aksionin “Titanik” kërkoi paraburgim për tetë personat të akuzuar për cenim të të drejtës zgjedhore, blerje të votave, shkatërrim të materialeve zgjedhore dhe keqpërdorim të fushatës zgjedhore, ndërsa Edmond Temelko është arrestuar në shtëpinë e tij në Resnjë.

Arben Zeqiri /SHENJA/


GJYKATA HODHI POSHTE KERKESEN E JANVES by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme