` . Gjermania e shqetësuar lidhur me tensionet SHBA-Iran - TV-SHENJA

Gjermania e shqetësuar lidhur me tensionet SHBA-Iran

Qeveria gjermane është shprehur e shqetësuar lidhur me tensionet në Lindjen e Mesme në relacion SHBA-Iran me ç‘rast ka paralajmëruar për një përshkallëzim ushtarak të mundshëm dhe thirrje për një zgjidhje paqësore, transmeton AA.

Ulrike Demmer, zëdhënësja e kancelares Angela Merkel, deklaroi sot se me “shqetësim të madh po ndjekin tensionet në rritje në rajon, për çka mirëpresin çdo masë që synon një zgjidhje paqësore.

Demmer shtoi më tej se qeveria dënon të gjitha aktet të cilat si të tilla përshkallëzojnë më tej situatën në rajon.

Ndërkohë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Adebahr, tha se pavarësisht nga tensionet qeveria gjermane nuk ka reduktuar stafin e saj në ambasadat në Irak dhe në Iran.

Pak më parë, ushtria gjermane tha se për shkak të tensioneve ka pezulluar trajnimin e ushtarëve të Irakut, ndonëse nuk kishte shenja të ndonjë kërcënimi të veçantë për trupat e saj në Irak.