` . Gjermania e rinovuar “hakmerret” ndaj Holandës, Belgjika triumfon në Qipro - TV-SHENJA

Gjermania e rinovuar “hakmerret” ndaj Holandës, Belgjika triumfon në Qipro

Gjermania arriti të hakmerret ndaj Holandës për humbjen në Ligën e Kombeve, pasi ia doli të triumfojë në “Johan Cruiff Arena” të Amsterdamit, me rezultatin 2-3.

“Pancerat” e Joakim Low interpretuan në mënyrë perfekte takimin dhe arritën të kalojnë në avantazh që në minutën e 15’ me anë të Leroy Sane, ndërsa në të 34-ën ishte talenti i Bayernit, Gnabry që dyfishoi me një gol të bukur nga distanca.

Reagimi i holandezëve ishte në lartësinë e duhur dhe pas disa ndërhyrjeve shpëtimtare të Nojer në pjesën e parë, shënuan dy herë në 45-minutëshin e dytë, me de Ligt dhe Depay, duke rikthyer baraspeshën.

Goli vendimtar i sfidës erdhi vetëm në minutën e fundit të takimit, kur Schulz shfrytëzoi një asist të Reus, për t’u dhënë fitoren gjermanëve të Joakim Low.

Kjo ishte ndeshja e parë në grup për Gjermaninë, që starton këtë edicion në mënyrën e duhur, ndërsa Holanda renditet gjithashtu në kuotën e 3 pikëve, pasi fitoi ndeshjen e parë me Bjellorusinë.

Në sfidat e tjera, Belgjika triumfoi 0-2 në transfertën qipriote, Polonia mposhti 2-0 Letoninë dhe Maqedonia e Veriut mori një barazim 1-1 në transfertën ndaj Sllovenisë. /SS/