` . Gjeopolitikë-fetarizëm-gjeostrategji – TV-SHENJA

Gjeopolitikë-fetarizëm-gjeostrategji

Filipsi duket se nuk i njeh (ose i përçmon) ndjenjat e shumicës së shqiptarëve, sidomos të atyre të besimit mysliman. Ndërtimi i kësaj xhamie është dhuratë e çmuar që u bëhet shqiptarëve, të cilët duhet t’i jenë mirënjohës Erdoganit (përjashto ata që janë të interesuar t’i hapet rrugë ekspansionit sllavo-ortodoks dhe veprimtarive si ajo që bënë greku Janullatos dhe kreu i Kishës Ortodokse të Rusisë, Kirill, kohët e fundit në Tiranë)

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Këta tre faktorë, mbi të cilat është ndërtuar tema e këtij numri të revistës “Shenja”, përcaktojnë zhvillimet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për të tria këto çështje kam shkruar shpesh, posaçërisht në shkrimin “Shqiptarët ndërmjet feve dhe fetarizmave politike” (“Shenja”, tetor 2013). Simbioza e gjeopolitikës me fetarizmin politik po shfaqet sërish fuqishëm dhe dhimbshëm. “Vitet e fundit besimi fetar ka hyrë në shkallë të pabesueshme në mbretërinë e politikës… të gjitha fetë kanë një prirje drejt fundamentalizmit” (Jimmy Carter “Our endangered Values. America’s moral Crisis”, 2005, f.16, 30). Lidhjet midis fesë e gjeopolitikës (europiane) i gjejmë dhe në perceptimet e mjegulluara të shtetarëve shqiptarë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas takimit të pakëndshëm BE-Ballkan Perëndimor në Sofie, lëshoi fjalët: “Europa është feja jonë”. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kur bisedonte me serbët në Bruksel, shprehej:“Baroneshës Eshton unë i besoj fetarisht”.

Ka shumë libra nga autorë të njohur perëndimorë që i shpjegojnë ose fetishizojnë lidhjet midis fesë dhe gjeopolitikës. Po ndalem vetëm tek libri “Amerikanizmi, feja e katërt e madhe perëndimore” (David Gelertner, “Americanism. The Fourth Great Western Religion”, 2007). Atje gjen vështrime historike, gjykime politologjike dhe interpretime konceptuale mbi ndërthurjen e fesë me jetën shoqërore e politike në SHBA. Amerikanizmi, si fe, u mbështetka në trashëgiminë biblike, në konceptin e “popullit të ri të zgjedhur” e të “tokës së re të premtuar’; në kredon amerikane si fe civile dhe “zionizmin amerikan” si vijimësi e zionizmit fetar izraelit të hershëm dhe e puritanizmin fetar të kolonëve të parë, që shkuan nga ishujt britanikë në Amerikë për të realizuar lirinë e besimit, për të ngritur shoqëritë e tyre thellësisht fetare me vlera të reja në “Qytetin e ndritur”. Sipas Gelertnerit, “amerikanizmi” qenka më shumë fe sesa nacionalizëm: “Feja amerikane nuk është as thjesht një fe politike, as një formë e patriotizmit” (f.6). Kredon amerikane ai e quan “zionizmi amerikan”, që duhet përhapur në të gjithë botën.

Kjo kredo ka nisur në kohën e presidentit të tretë, Xheferson, është përforcuar nga Abraham Linkolni, i cili “e vështronte luftën jo vetëm si mjet për vetëmbrojtje, por si drejtësi hyjnore”(f.103). Udro Uillsoni e bëri amerikanizmin një strategji botërore, atëherë kur e futi SHBA-në në Luftën e Parë Botërore. Gelertneri i numëron disa arsye pse në SHBA feja ushtron mbi ngjarjet ndikim shumë më të madh se filozofia (f.88). Konceptet amerikane të lirisë, të demokracisë e të barazisë ai i shpjegon mbi baza biblike. Gelertneri nuk lë pa përmendur fjalinë e presidenti Truman “Po, unë jam Sajrusi”, që ka kuptim politik me frymëzim biblik meqenëse: “Sajrusi në Bibël është mbreti persian, i cili rivendosi (riktheu) çifutët në shtëpinë e tyre. Trumani po bënte komentin e tij për rolin që ky luajti në krijimin e shtetit të Izraelit” (f.143). Këto shpjegime marrin konotacion trishtues nën jehonën rëqethëse të ngjarjeve të fundit në Gaza. Në libër gjejmë edhe fjalinë “Pjesëmarrja e Amerikës në Luftën e Parë Botërore ishte orvatja e saj të sillej si populli i ri i zgjedhur… ta përsoste botën, ta përhapte lirinë, barazinë për gjithë njerëzimin (f.147). Në libër analizohen edhe Lufta e Dytë Botërore, lufta në Vietnam, në Bosnjë, në Irak “për ta çuar botën drejt demokracisë”.

Lufta e Dytë Botërore quhet “ndeshja gjysmë-finale për sundim botëror e SHBA-së kundër Japonisë perandorake dhe e Bashkimit Sovjetik kundër Gjermanisë naziste. Në finale (Lufta e Ftohtë) SHBA-ja i mposhti sovjetikët” (f.179). Pas kësaj dihet sa vrull mori teoria e neokonservatorëve në SHBA se historia kishte mbërritur në fundin e vet. Në dritën e zhvillimeve katastrofike që kanë ndodhur gjatë tri dekadave të fundit në zonën e tërmeteve shekullore gjeostrategjike, nga Adriatiku deri në Gjirin Persik e Pamir, vlejnë të citohen pohimet e Gelertnerit: “Amerika dhe Izraeli janë të lidhur së bashku me fije më të forta se ndjenjat dhe politika. Secili i duhet tjetrit më shumë se çdo komb tjetër në botë. Të dyja palët u krijuan nga ish-europianë të persekutuar që u vendosën në tokat e premtuara, ku kishte banorë të rrallë, duke shtrënguar Biblën e tyre, të vendosur ta bënin shkretëtirën të lulëzuar…” (f.192). Kështu, amerikanizmin tashmë e kanë shpallur si “FE”; “Europianizmin” ende jo. Prandaj, pse të nxitojnë shqiptarët që Europës t’i besojnë e t’i luten si Perëndisë?!

2. Krahas feve monoteiste, me shtrirje të gjerë mbi njerëzit, veprojnë edhe shumë besime të tjera dhe besëtytni; veprojnë tarikate, sekte, urdhra, rryma, sisteme e mekanizma të ndryshme fetare. Nuk është fort e re dukuria e lëvizjeve fetaro-laike me natyrë specifike, që i kapërcejnë kufijtë ndarës të popujve e të shteteve. Për lëvizjen “Hizmet-Feto” po dëgjojmë tani vonë, por për homologen e saj të krishterë, lëvizjen katolike “Opus Dei” është folur më herët. Drejt Shqipërisë gjatë tri dekadave të fundit kanë vërshuar plot organizata e mekanizma me petk fetare politik, që nuk i përkushtohen aq fort besimit të mirëfilltë, po merren me prozelitizëm në dëm të besimit islam. Mekanizma fetarë me kostum laik dhe mekanizma politikë me mbulesë fetare propagandojnë qëndrime ekstreme për qëllime gjeostrategjike. Feja shërben kryesisht si forcë mobilizuese për fanatikët. Deri tani në Shqipëri organet shtetërore dhe opinioni publik nuk kanë treguar vëmendjen e shqetësimin e duhur për këto dukuri,por janë marrë më shumë me disa islamikë me mjekra të gjata dhe me dyshimet për rekrutime pasuesish nga ISIS-i.

Qysh prej tentativës për grusht shteti në Turqi edhe në Shqipëri është krijuar njëfarë tensioni lidhur me praninë ose veprimtarinë e elementëve të lidhur me lëvizjen turke Feto. Shqiptarët ende nuk e kanë të qartë se çfarë ka ndodhur. Për vite shkollat e lidhura me sistemin e Gylenit në Shqipëri janë kujtuar si pjesë e politikës normale të shtetit turk. Tentativa për grushti shteti në Turqi krijoi huti në Shqipëri. U intensifikua propaganda anti-turke dhe islamofobe. Kjo propagandë gjeti terren edhe për shkak të qëndrimeve të mbyllura të kryesisë së Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë, që nuk sqaroi si duhet marrëdhëniet me mekanizmat e shtetit turk në fushën e praktikave fetare. Hutia shtohet edhe për shkak të atmosferës së tendosur që krijojnë mesazhet politike të kundërta që u vinë shqiptarëve nga jashtë. Diplomacia turke dhe vetë presidenti i Turqisë, Erdogan, publikisht disa herë kanë tërhequr vëmendjen e autoriteteve e të opinionit publik shqiptar për rrezikun që përbën për Shqipërinë lëvizja Feto. Turqia dhe presidenti i saj janë në të drejtën e tyre që një lëvizje, që ata e konsiderojnë rrezik e armik për shtetin e kombin e vet, ta paraqesin si të tillë edhe në botë dhe të kërkojnë mirëkuptim nga shtete e popuj të tjerë. Kjo nuk është ndërhyrje në punët e brendshme të të tjerëve, as shkelje e parimeve demokratike. Tani vonë kryeministri i Shqipërisë ka pohuar se ekziston një rrezik, për të cilin ka paralajmëruar Turqia dhe se duhen marrë disa masa në Shqipëri. Por, ende nuk ka pasur veprime të dukshme kundër këtij rreziku, fatmirësisht as aksione të bujshme që dëmtojnë seriozitetin e politikës shtetërore, sikurse ndodhi në Kosovë. Megjithatë, janë zhvilluar debate të ashpra në mjetet e informimit publik në Tiranë lidhur me këto probleme.

Prirja më e theksuar ka qenë për të akuzuar shtetin turk për neo-otomanizëm dhe presidentin e Turqisë për autoritarizëm, për nëpërkëmbje të të drejtave të njeriut dhe të lirive të shtypit. “Çështja Feto” i ka sjellë dëme Shqipërisë, sepse e vë padrejtësisht në pozitë të vështirë para shtetit mik turk dhe krijon terren për gërricje të tjera politiko-fetare shqiptare. Nuk është mbajtur si duhet parasysh rregulli se shqiptarët janë të interesuar në radhë të parë për marrëdhënie sa më të mira me shtetin turk dhe jo për mënyrat e mjetet që ky shteti gjykon më të mirat për zgjidhjen e problemeve të brendshme.

3. Ne shqiptarët jemi mburrur me tepri për tolerancën dhe harmoninë fetare në vendin tonë. Të huajt herë na kanë lavdëruar me dashamirësi, herë na kanë përgëzuar me hipokrizi. Shumë prej tyre kanë punuar nën rrogoz për të na vështirësuar e prishur ekuilibrin konfesional, si modus vivendin shekullor politik e fetar. Harmonia fetare shqiptare duket e bukur dhe joshëse kur e përshkruajmë, por është e brishtë dhe e ka krimbin brenda. Disa herë janë krijuar situata tensioni në marrëdhëniet ndërfetare. Tani vihet re një tjetër fushatë islamofobe e antiturke brenda në Shqipëri, që nxitet më shumë nga jashtë. Ka analistë e vëzhgues, si Alon Ben-Meir, Deivid Filips ose Fank Shkreli në SHBA, ose dhe shtetarë të lartë europianë, që dërgojnë mesazhe se “Shqipëria duhet të zgjedhë midis BE-së dhe Turqisë. Nëse Shqipëria vazhdon të jetë e bindur ndaj Erdoganit, dera e anëtarësimit në BE do tëmbyllet” (“Telegraf”, 21 maj 2018). Deivid Filips është i njohur për projektin e shuarjes së aspiratës shqiptare për bashkim kombëtar, duke e zëvendësuar bashkimin me një sajesë amorfe si “fqinjëria e mirë shqiptare në Ballkan” (A. Baleta “Themelvënia e vetëvendosjes shqiptare”, “Shenja”, korrik 2012 ). Mesazhet “Me Turqinë apo me BE-në” janë shqetësuese kur i dëgjon, sepse të sjellin në mendje atë që ndodhi në Ukrainë, pasi diplomacia perëndimore më 2013 i vuri kushtin Ukrainës së Janukoviçit: “Me BE-në apo me Rusinë”. Diplomacia perëndimore po e thekson fort (ndoshta jashtë përmasave reale) rrezikun rus në Ballkan. Madje, ndaj shqiptarëve e paraqet si “rrezik i përbashkët ruso-turk”.

Deivid Pilips përdor gjuhë shumë të vrazhdë dhe arsyetime tejet sfiduese ndaj politikës miqësore të Shqipërisë me Turqinë. Ai shfaq mllef të pakuptimtë për ndërtimin e xhamisë në Tiranë në saje të kujdesit që tregoi presidenti i Turqisë. Filipsi duket se nuk i njeh (ose i përçmon) ndjenjat e shumicës së shqiptarëve, sidomos të atyre të besimit mysliman. Ndërtimi i kësaj xhamie është dhuratë e çmuar që u bëhet shqiptarëve, të cilët duhet t’i jenë mirënjohës Erdoganit (përjashto ata që janë të interesuar t’i hapet rrugë ekspansionit sllavo-ortodoks dhe veprimtarive si ajo që bënë greku Janullatos dhe kreu i Kishës Ortodokse të Rusisë, Kirill, kohët e fundit në Tiranë). Nuk bën të heshtim as kur ish-përgjegjësi për degën Europë-Azi në “Zëri i Amerikës”, shqiptari Frank Shkreli nga Nju Jorku, jep alarmin mbi rrezikun sllavo-otoman për shkombëtarizimin e shqiptarëve (“Telegraf”, 1 maj 2018).

Këtu në Shqipëri e dimë më mirë se Franku në Amerikë se rreziku që shqiptarët të tjetërsohen kombëtarisht e fetarisht vjen nga gjeopolitika e gjeostrategjia sllavo-greko-ortodokse në Ballkan, ndërsa myslimanizmi ka qenë e mbetet mburojë nga mësymja prej këtij rreziku. Frank Shkreli duhet ta lexojë më mirë fjalën e senatorit amerikan Xhesi Helms, në korrik 1983, në Senatin Amerikan lidhur me këtë problem. Frankut, për pozitën dhe përvojën që ka pasur në “Zëri i Amerikës”, nuk i ka hije të shkasë në pozitat e katolikocentrizmit shqiptar, as të bashkojë zërin me ata që Turqinë e përshkruajnë si rrezik otoman për shqiptarët. Franku, kur trajton çështjen shqiptare, më mirë të përfitojë nga shkrimet e çiftit amerikan Dioguardi. Ka shumë shenja se po intensifikohet “fryma e rryma e keqe e kryqëzatave për qëllime politike kundër shqiptarëve” (A. Baleta, “E Djathta” 17 janar 1995). Ka më se një shekull që flitet për konvertim të myslimanëve shqiptarë në të krishterë. Intelektualë e politikanë të spikatur kanë qenë e janë bartës të këtyre ideve. Dikur qenka bërë një bisedë midis tre politikanësh: Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi dhe Idhomene Kosturi, ku Mustafai paska pas hedhur idenë se “sikur shqiptarët të ishin të krishterë, Europa do t’i donte më fort”. Idhomeneja, ortodoks, kishte replikuar: “E ke me tërë mendtë apo sa për të na bërë qejfin ne dy të krishterëve. Po ta kesh me gjithë mendtë ti dashke shkatërrimin e kombit shqiptar. Myslimanizmi e ka shpëtuar Shqipërinë. Fetë duhet të mbeten siç janë në Shqipëri”. Më 5 dhjetor 1918, gjatë një darke me një anëtar të delegacionit amerikan në Konferencën e Paqes në Paris, Esat Pashë Toptani i ka shpjeguar atij rrjedhën e punëve të fesë në Shqipëri pas betejës së Kosovës më 1389.

Paraardhësit e shqiptarëve e kuptuan parimin “ku është shpata, është feja”, bënë gjënë e duhur që u myslimanizuan, se shpëtuan jetën e pasurinë dhe i shërbyen me besnikëri Perandorisë Osmane, derisa kësaj i erdhi fundi. Pastaj Esati ka shtuar: “Sot feja na është bërë pengesë për të hyrë në vathën e krishterë. Por, ne mund të bëjmë përsëri siç bënë paraardhësit tanë.” (Stephen Bonsal “Suitors and Suppliants” 2001, f.84-85). Kanë kaluar 100 vjet nga ajo bisedë dhe shumë politikanë e propagandistë shqiptarë i fryjnë kacekut të politikës “pragmatiste” të Esatit, me një ndryshim se këta të sotmit vetëm e fajësojnë Perandorinë Osmane, çka Esati nuk e bënte. Pas 100 vjetësh pragmatizmi i Esatit nuk ka prodhuar fryte. Europa nuk po i do shqiptarët më shumë se i donte atëherë. Para 100 vjetësh, kur shqiptarët do të shkëputeshin nga Perandoria Osmane, fati i tyre rëndohej nga trajtimi i padrejtë se kishin qenë pjesë e kësaj Perandorie. Fati nuk u ecte shqiptarëve, sepse edhe dy vendet më dashamire të një shteti të pavarur shqiptar, Italia e Austro-Hungaria, u përfshinë në një rivalitet për ndikim mbi këtë shtet të saposhpallur e të gjymtuar.

Tani, pas një shekulli kur Shqipëria pret me ankth t’i thonë ta kapërcejë derën e integrimit (të fetishizuar) europian, përsëri mbi të rëndon zemërimi pse ka marrëdhënie të mira me Turqinë “neo-otomane” ose pse ndërton një xhami me ndihmën e Turqisë. Si për mallkim, edhe tani mbi fatin e Shqipërisë përsëri po rëndon një rivalitet i miqve të saj për ndikim në Ballkanin Perëndimor, rivaliteti midis SHBA-së dhe Europës, sidomos midis SHBA e Gjermanisë!
Pra, bëhet e qartë se diversiteti fetar nuk e kompaktëson unitetin shqiptar, e as nuk e forcon rolin gjeostrategjik të shqiptarëve. Por, prishja e ekuilibrit sjell pasoja shumë më të rënda. Shqiptarëve u duhet ta ruajnë modus vivendin e ekuilibrit fetar, të mos bien lehtë viktimë e përplasjeve midis 4, 5, 6… feve në Ballkan. Myslimanët shqiptarë, fatkeqësisht, mbeten ende në pozitën e “jetimëve fetarë”.