` . Gjeopolitika e Ngushticës së Hormuzit dhe konfrontimi amerikano - iranian - TV-SHENJA

Gjeopolitika e Ngushticës së Hormuzit dhe konfrontimi amerikano – iranian

Kthimi i tensioneve në një luftë reale ndërmjet Iranit dhe SHBA-së do të kishte pasoja jo vetëm për rajonin e Lindjes së Mesme, por edhe për botën, në përgjithësi, ashtu siç vë në dukje Jon Alterman nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Kjo nënkupton që një konflikti i atillë, me shumë gjasë, nuk do t’i linte pa prekur edhe partnerët e SHBA-së në rajon

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Ndonëse vendlindje e monoteizmit dhe religjioneve abrahamike, Lindja e Mesme do të duhej të ishte habitat dhe oazë e paqes, ku njerëzit do të gjenin prehje duke iu lutur Zotit në qetësi dhe prej ku do ta shpërndajnë mesazhin e bashkëjetesës. Megjithatë, atje mbretëron kaosi, luftërat qytetare, gjakderdhjet, krizat humanitare dhe aty ku zgjedhjet e lira janë luks, ndërsa puçet ushtarake rregull!

Fakti që në të ndodhen pikëkalime të rëndësishme për ekonominë e tregtinë botërore, siç është Kanali i Suezit, Ngushtica e Adenit, si dhe Ngushtica e Hormuzit, Lindja e Mesme është shndërruar në një hapësirë konkurrence, ku kryqëzohen interesat e fuqive të ndryshme rajonale e globale, si dhe rajon i intervenimeve të herëpashershme ushtarake! Së fundmi, retorika kërcënuese e ndërsjellë ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, si rrjedhojë e tensioneve në rajonin e Hormuzit duket sikur po shfaq në horizont një konflikt iri!?

E shtrirë midis Omanit dhe Iranit, lidhëse e Gjirit Persik me Detin Arab dhe përtej, përmes së cilës në vitin 2018 kaluan mesatarisht rreth 21 milionë fuçi nafte në ditë, përfshirë pjesën më të madhe të naftës nga vendete OPEC-ut – Arabisë Saudite, Kuvajtit, Emirateve Arabe dhe Iranit, kjo e bën Ngushticën e Hormuzit vendkalimin më të rëndësishëm të naftës në botë! Madje, edhe Katari, eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror të lëngshëm, dërgon pjesën më të madhe të saj pikërisht përmes Hormuzit! Në bazë të të dhënave të Administratës Amerikane për Informim Energjetik – EIA, 76% nga sasia e lartpërmendur, që kalon nëpërmjet kësaj ngushtice, destinacion e ka tregun aziatik – Kinën, Indinë, Japoninë, Korenë e Jugut, Singaporin etj. Ndërkaq Paolo D’Amico, kryetar i Asociacionit Ndërkombëtar të Pronarëve të Pavarur të Cisternave (INTERTANKO), me këtë rast, tha se: “Nëse ujërat bëhen të pasigurta, furnizimi i gjithë botës perëndimore vihet në rrezik”.

Andaj, çdo lloj tensionimi i situatës në këtë rajon jashtëzakonisht të ndejshëm, s’do mend se do të kishte pasoja për tregtinë, ekonominë dhe financat ndërkombëtare. Vlen të përmendim që, sipas CNN-it, si pasojë e sulmit të 13 qershorit mbi dy anijet – cisternat naftëmbajtëse, njëra japoneze e tjetra norvegjeze – të cilat lundronin në Gjirin e Omanit, çmimi i naftës së papërpunuar u rrit për rreth 4% në tregun global!

Pikërisht Flota e 5-të e SHBA-së, e dislokuar në Bahrejn që nga vitit 1995, ka për synim të sigurojë qarkullimin e lirë të lundrimit, si dhe të mbrojë rajonin nga kërcënimet e jashtme të cilët kanë për objektiv aleatët e SHBA-së, por edhe trupat amerikane në rajon.

Javëve të fundit opinioni dhe mediat e ndryshme ishin dëshmitarë të incidenteve të njëpasnjëshme në këtë pjesë të globit. Rrëzimi i aeroplanit amerikan pa pilot, sulmet mbi 2 anijet me 13 qershor, si dhe incidenti i 12 majit në të cilën u sulmuan 4 anije në ujërat territoriale të Emirateve të Bashkuara, janë reflektim i situatës së rënduar dhe tensionuese të marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së, në njërën anë, dhe Republikës Islamike, në anën tjetër!

Në fakt, që pas viteve të ‘80-ta Gjiri Persik ka qenë një arenë e fërkimeve ndërmjet këtyre dy vendeve, ndërsa rastet dramatike të kësaj përplasje ishin në vitin 1987 e 1988, përkatësisht gjatë luftës Iran-Irak, kur marina e SHBA-së i filloi operacionet kundër forcave iraniane për t’i mbrojtur anijet e aleatëve (Kuvajtit).

Kriza e tanishme zë fill që kur pala iraniane kërcënonte me mbyllje e kësaj arterie si rezultat i vendosjes së sanksioneve ekonomike dhe përpjekjes perëndimore për të ndaluar eksportet e naftës iraniane për shkak të programit të saj bërthamor! Në prill të këtij viti shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave iraniane, Muhamed Bakiri, duke folur për kalimin e anijeve iraniane nëpër Hormuz deklaroi se: “Në rast se nafta jonë nuk kalon, nuk do të kalon as nafta e të tjerëve”. Vitin e kaluar nafta iraniane përbënte rreth 10% të sasisë së naftës që kalonte në Hormuz ose rreth 2.2 milionë fuçi nafte në ditë!

Përshkallëzimi i tensioneve ndërmjet të dyja vendeve kulmoi me tërheqjen e SHBA-së nga marrëveshja bërthamore – të cilën shtetet e fuqishme P5 +1 e kishin arritur me Iranin në vitin 2015 – si dhe rivendosja e masave ndëshkuese financiare ndaj Iranit, me argumentimin që ky i fundit është aktor destabilizues në Lindjen e Mesme. Që nga ajo periudhë SHBA-ja, në raport me Iranin, e ka ndjekur “strategjinë e presionit maksimal, e cila ka për synim t’i dëmtojë rrjedhat e të ardhurave të Iranit (Al Jazeera).

Kthimi i tensioneve në një luftë reale ndërmjet Iranit dhe SHBA-së do të kishte pasoja jo vetëm për rajonin e Lindjes së Mesme, por edhe për botën, në përgjithësi, ashtu siç vë në dukje Jon Alterman nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Kjo nënkupton që një konflikti i atillë, me shumë gjasë, nuk do t’i linte pa prekur edhe partnerët e SHBA-së në rajon. Në këtë rast Irani do t’i përdorte forcat detare e raketore, si dhe do t’i vinte në përdorim metodat e luftës hibride ose proxy, për të sulmuar anijet kudo në Gjirin Persik, të inkurajojë Huthit në Jemen për të goditur caqet në Arabinë Saudite, si dhe anijet të cilat kalojnë nëpër ngushticën e Babel-Mendebit drejt kanalit të Suezit e Mediteranit!

Konfrontimi direkt ndërmjet ShBA-së e Iranit mund të ndikojë, pra, në aspekt të rrjedhës së energjisë në shtete kyçe industriale, të cilët e krijojnë suksesin e ekonomisë globale, por edhe të ekonomisë së SHBA-së!

Richard Sokolosky dhe Aaron D. Miller nga think thank-u për politikë të jashtme, Carnegie Endowment for International Peace – konstatojnë se përdorimi i forcës ushtarake mund të bëhet bindës në rast se Irani përbën kërcënim direkt për interesat vitale dhe jetike të SHBA-së në rajon. Sipas tyre, Teherani nuk paraqet kërcënim për tre interesa kryesore amerikane:

  • parandalimin e terrorizmit kundër amerikanëve jashtë ose kundër atdheut amerikan;
  • ruajtjen e rrjedhës së pandërprerë të naftës nga Gjiri Persik;
  • parandalimin nga posedimi i armës nukleare.

 

Irani, vërtet, llogaritet nga SHBA-të si shtet që e mbështet terrorizmin, por ai nuk ka sulmuar civilë amerikan ndër vite. Përkundrazi, ata kanë një interes të përbashkët në luftën kundër ISIS-it në Siri e Irak, ndërsa përskaj kërcënimeve të herëpashershme për mbyllje të Ngushticës së Hormuzit, Irani nuk i ka jetësuar ato kërcënime, por edhe nuk e ka rritur pasurimin e uraniumit për armë bërthamore (Sokolosky, Miller).

Një sulm ushtarak nga ana e SHBA-së kundër Iranit nuk do të gjente mbështetje as tek partnerët e saj evropian, aq më tepër kur dihet fakti që ata edhe më tej qëndrojnë në marrëveshjen. Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijancic bën të ditur se “rajoni nuk ka nevojë për përshkallëzim, destabilizim dhe tensione të mëtutjeshme”. Ndërsa këshilltarja e lartë për politikë të jashtme e Frederika Mogherini-t tha; “Para se të fajësojmë dikë, kemi nevojë për prova të besueshme” (The New York Times).

Nuk duhet harruar fakti që evropianët nuk duan që, përmes përshkallëzimit të situatës, të dobësohet linja moderniste në Iran dhe forcimi i linjës radikaliste!

Duke u nisur nga përvoja e Irakut në vitin 2003, evropianët nga administrata e Trump-it kërkojnë prova dhe investigim më të fuqishëm, ngase një luftë e re alla-Irak do të ishte papranueshme, në fund të fundit, edhe për votuesit e tyre!