` . Gashi dhe Sela: Bashkëpunimi duhet të vazhdojë edhe më fuqishëm – TV-SHENJA

Gashi dhe Sela: Bashkëpunimi duhet të vazhdojë edhe më fuqishëm

Pas takimit në nivel liderësh të dy partive opozitare shqiptare, Afrim Gashi i Lëvizjes BESA dhe Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët në një konferencë të përbashkët për media kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në të ardhmen, raporton SHENJA.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ne fjalimin e tij uroi që të rritet kapaciteti i bashkëpunimit me qëllim të ardhmërisë më të mirë të shqiptarëve duke e larguar BDI-në nga pushteti.

“Folëm në lidhje me nevojën që përfundimisht demokracia duhet të vijë në shoqërinë shqiptare në Maqedoni. Shqiptarët duhet ti gjejnë forcat brenda përbrenda tyre dhe BDI-ja në zgjedhjet e radhës përfundimisht të shkojë në opozitë. Uroj që bashkërisht të gjejmë kapacitete që opozitën shqiptare ta bëjmë një dhe në zgjedhjet e radhës të dalim fitimtarë”, deklaroi Sela.

Kryetari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi tha se kontaktet për bashkëpunim me z.Sela kanë filluar ende pa formuar BESA si parti politike, dhe shprehu nevojën që takimet të shpeshtohen në të ardhmen,

“Tentativat tona për bashkëpunim kanë filluar edhe pa u formuar BESA, edhe gjatë periudhës së zgjedhjeve parlamentare. Unë si kryetar i ri erdha ta rikonfirmoj që kjo organizatë politike e mban dorën shtruar për bashkëpunim edhe me Aleancën për Shqiptarët dhe partitë tjera politike shqiptare. Nëse nuk krijohen urat e komunikimit mes nesh, futen njerëz që na ndajnë neve. Andaj ne duhet të takohemi më shpesh, dhe uroj që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare vullneti politik i shqiptarëve të kapitalizohet me një ndryshim që shqiptarëve u duhet”, tha Gashi. /SHENJA/