` . Gara e Silverstonit nuk shtyhet, organizatorët gjejnë zgjidhje edhe për kompensimin e biletave - TV-SHENJA

Gara e Silverstonit nuk shtyhet, organizatorët gjejnë zgjidhje edhe për kompensimin e biletave

Në kohë pandemie të gjithë duket se po përshtaten nga pak, madje dhe Formula 1, me drejtuesit e Çmimit të Madh të Britanisë së Madhe që lajmëruan se gara e radhës në këtë cirkuit do të zhvillohet me dyer të mbyllura, pra pa praninë e tifozëve. Drejtuesit e garës së Silversonit, e cila do të zhvillohet në muajin korrik, bënë të ditur se gara do të zhvillohet normalisht dhe nuk do të ketë shtyrje të kalendarit për shkak të Koronavirusit.

Në fakt biletat e këtij çmimi të madh ishin shitur prej kohësh, por organizatorët kanë menduar dhe për kompensimin e tifozëve që i kanë blerë ato. Duke qenë se gara e këtij viti do të zhvillohet pa praninë e fansave, drejtuesit e pistës së Silverstone kanë bërë të ditur se biletat e blera për garën e këtij viti janë të vlefshme për garën që do të zhvillohet në botërorin e vitit 2021. Dhe Formula 1, ashtu si pjesa më e madhe e sporteve, ka shtyrë eventet e saj të parashikuar në këtë muaj por mendohet që deri në muajin korrik, kur garat e makinave më të shpejta në botë të nisin sërish, gjithçka do t’i jetë kthyer normalitetit, të paktën në botën e pistave.